Sahiti: Futbollistëve nuk do t’iu mungojë asgjë
Shtabi teknik i përfaqësueses së Kosovës tashmë ka caktuar agjendën e saj për ndeshjen e 5 marsit që e zhvillojnë me Haitin në Mitrovicë. Nga 2 deri më 6 mars gjithçka është e planifikuar dhe besohet se kushtet që do t’iu afrohen atyre janë të mira.
Tekniku i përfaqësueses se Kosovës, Muharrem Sahiti ka konfirmuar se ata tashmë i kanë inspektuar objektet ku do të punojnë lojtarët, duke filluar nga fusha ku do të kryejnë stërvitjen, akomodimin në hotel dhe fushën ku do të zhvillohet ndeshja. Sipas tij këto objekte ofrojnë kushte të mira.
“Para disa dite bashkë me përzgjedhësin kemi kontrolluar të gjitha këto hapësira dhe nga ajo që kemi parë kushtet janë të mira. Fusha në stadiumin “Adem Jashari” në fillim ishte dobët, mirëpo menjëherë pas sugjerimit aty është intervenuar dhe tash gjërat janë përmirësuar dhe mendoj se edhe ajo fushë është e mirë”, ka thënë Sahiti.
Bunjaki tashmë ka caktuar edhe disa rregulla për të përzgjedhurit e tij gjatë qëndrimit në Kosovë, rregulla këto që aplikojnë të gjitha kombëtaret tjera. Lojtarët nuk janë të lejuar të kenë vizita familjare jashtë orarit që është në program dhe nuk guxojnë të largohen nga hoteli pa leje nga shtabi teknik, si dhe janë të obliguar t’i përmbahen kodit të veshjes së përfaqësueses.
Derisa, atyre i është ndaluar intervistat përmes telefonit gjatë kohës së tubimit nga 2 deri me 6 mars. Të rikujtojmë se Kosova për këtë ndeshje do të përbëhet kryesisht me futbollistët që luajnë nëpër klube të ndryshme evropiane, dhe nëse bëjmë një krahasim se ku luajnë ata dhe ku do të luajnë këtu, mendohet se mund t’i zhgënjejmë me atë që i ofrojmë, por më këtë gjë nuk pajtohet Sahiti.
“Është fakt që ata punojnë në një infrastrukturë moderne, por në këtë rast nuk bëhen krahasime të tilla. Ndjenja për të luajtur për shtetin tënd i tejkalon disa gjëra kështu që unë them se infrastruktura këtë herë nuk do të merret shumë për bazë. Edhe pse prapë them se kushtet nuk janë të këqija, sidomos akomodimi është shumë i mirë”, tha Sahiti i cili aktualisht është duke u preokupuar me skuadrën e tij Gjilanin, i cili në fundjavë e zhvillon ndeshjen e viti ku përballet në çerekfinale me rivalin vendor Dritën.
Ekspedita e futbollistëve të Kosovës do të nis të mblidhte nga data 1 derisa do të kompletohet me 3 mars kur edhe e kanë stërvitjen e parë. Pritet që Kosova ti zhvilloj dybstërvitje të përbashkëta, në Kastriot, sikurse edhe Haiti, i cili para ndeshjes do të stërvitet vetëm një herë. Tash për tash vazhdon të mbetët enigmë se kush është ftuar pasi që ishte vet përzgjedhësi që nuk ka pranuar asnjëherë të flas për emra.
Gjithsesi, janë vet disa futbollistë që kanë pranuar se kanë marr ftesë, e ku padyshim emri më i përfolur që edhe ka ngjall debat është ai i Samir Ujkanit i cili e la kombëtaren e Shqipërisë për t’iu bashkuar Kosovës. Bunjaki ka njoftuar se nesër më 2 mars do të bëjë publike listën përfundimtare të futbollistëve që do të veshin fanellën e Kosovës./zeri/


