UBT

Sabri Maxhuni Novosella e pati si busull orientuese At Gjergj Fishtën

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nga Remzije Zekolli – Sabri Maxhuni Novosella, i cili, në gjithë shkrimtarin e tij të gjerë e ka At Fishtën si një busull orientuese, teksa rrëmon në skutat e errëta të konspiracionit, për të çjerrë maskat e vjetra e të reja të puthadorëve pansllavë, në librin e tij “At Fishta, Profet i Shqiptarizmës”, e trajton këtë figurë madhore të shqiptarisë në frymën e mesazheve dhe kredove kombëtare që ai përcjellë në kohë-hapësirën gjeostrategjike të shqiptarëve.

Për At Gjergj Fishtën, këtë profet të ndaluar, pas shembjes së muranës së kobit dhe demonizimit gjysmëshekullor sllavo-enverist ndaj figurës së tij, është shkruar shumë; por kryesisht ai është parë në rrafshin estetik, në atë kontribut vërtet të shquar, që ai ka dhënë me penën e tij të mprehtë e magjepsëse, për krjimin e një prej sagave poetike më mbresëlënëse në Evropë, për luftërat epike, krenarinë dhe lavdinë e popullit shqiptar, njërit ndër popujve më të lashtë të kontinentit të vjetër.

Sabri Maxhuni Novosella, i cili, në gjithë shkrimtarin e tij të gjerë e ka At Fishtën si një busull orientuese, teksa rrëmon në skutat e errëta të konspiracionit, për të çjerrë maskat e vjetra e të reja të puthadorëve pansllavë, në librin e tij “At Fishta, Profet i Shqiptarizmës”, e trajton këtë figurë madhore të shqiptarisë në frymën e mesazheve dhe kredove kombëtare që ai përcjellë në kohë-hapësirën gjeostrategjike të shqiptarëve.

Ribotimi nga autori i këtij libri është dëshmi e interesit të gjërë të lexuesve mbarëshqiptarë, që kanë parë dhe shohin tek Fishta një model qëndrese e mosbjerrjeje, në analet e një historie të trazuar, ku shpesh në këtë historinë tonë kaotike, kemi ngatërruar kahje e në vend që të godasim me “gurë” bukëshkalët e tradhtarët, kemi goditur heronjtë dhe profetët e lirisë, siç ishte dhe mbetet dhe At Fishta.

Nëse në Shqipërinë socialiste, personaliteti i Fishtës konsiderohej si fashist, cinik, demagog, shovinist, ksenofob antisllav, e çka jo tjetër, në Kosovë as që mund të botohej e të futej në programet shkollore, edhe për shkak të qëndrimit të tij kundër pushtuesve sllav, që i kishin pushtuar tokat shqiptare. Sulmet më të pamëshirshme që vinin edhe nga institucione kompetente te Shqipërisë së atëhershme ishin të periudhës së krizës më të thellë ideologjike, të viteve 70-80, kur ishte thelluar lufta kundër “ndikimeve negative nga e kaluara” dhe korifejt e elitës kombëtare qenë shpallur “armiq” e “reakisionarë”.

Poeti i madh Gjergj Fishta është një nga vazhduesit autentikë dhe të drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara në shekullin e njëzetq dhe kjo shprehet në mënyrë të dukshme edhe në mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, si vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi, po ku mbi të gjitha gjallojnë me forcë e pathos idetë më të pastërta e më frymëzuese kombëtare dhe nacionaliste.

Duke marrë guximin prej intelektuali elitar dhe antikonformist që të shkruaj për At Fishtën, ideologun, filozofin, vizionarin kombëtar, Maxhuni na përcjellë një kritikë të një lloj të veçantë, si një lexues i apasionuar dhe reflektiv i veprës së tij, të cilën ai e lexoi në dhe të huaj, në kushtet e mallit, mungesës dhe përballjeve të shumëkahshme me ingranzahet e “konspiracionit”.

I larguar nga toka amë për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare, Maxhuni e pati Fishtën jo vetëm një ngushëllim dhe kompensim të madh, por edhe një shëmbëlltyrë, pasi me vargjet e tij, me palcën e identitetit të fortë shqiptar që plazmonte vepra e tij, ai krijoi atë mur mbrojtës aq të nevojshëm, për të përballuar zulmën, ngasjet dhe përndjekjet mizore që iu vinin këtyre veprimtarëve nga analet e errëta të antishqiptarizmës, më së shumti brenda vetë shqiptarëve.

Kjo endje e detyruar, do të ndikonte tek Maxhuni që ai shpirtërisht ta përjetonte veprën e At Fistës, që ta kishte atë një model konceptimi të realiteteve historike e aktuale shqiptare dhe një rrugë të mundshme të shtruar nga ku duhet të kalonte çdo veprimtar i përkushtuar për fatet e popullit të tij.

Vetë autori i këtij libri do t’i përjetonte proceset e kohës sikurse vetë At Fishta, procese të cilat i karakterizonin kurthet e tradhëtitë e një pas njëshme, që i bëheshin kombit shqiptar nga okupatorë brenda dhe jashtë ballkanikë, siç do te thoshte shumë herë Sabri Maxhuni, por ato sllavo greke ishin të pa ndalshme kundër interesave kombëtare.

Mobi Casa

Me mjeshtri Sabri Maxhuni na i rikujton mesazhet në krijimtarinë e Fishtës për ndjenjën e pastër kombëtare, duke vënë theksin në potencialin e fuqishëm të zërit të këtij tribuni të pandalshëm e pathyeshëm për rrugëtimin e ardhmërisë shqiptare.

Në situatën politike që po përjeton kombi shqiptar në Ballkan, këto mesazhe peshojnë më shumë në kandarin e kësaj kohe të tejngarkuar, ndihen më të gjallë e më të fuqishëm se kurrë, në librin e tij me kritikat dhe komentet, aparatin shpjegues dhe analitik, me analizën e tij të mprehtë dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat, ku jehona e veprës së Fishtës vjen më e gjallë, më alarmante dhe më kuptimplote se kurrënjiherë më parë në kohën e shqiptarëve në Gadishullin e Vjetër.

Penës së mprehtë maxhuniane nuk i ka shpëtuar as kryevepra e At Fishtës “Lahuta e Malcis” , por as publicistika e tij plot nerv e palcë atdhetare, ku jepen të gjalla sintagmat e botës shqiptare, eposi i lirisë dhe qytetërimit tonë kombëtar përballë ingranazheve diabolikë të makinës makthioze slloavo-bizantine.

Maxhuni, i vetëdijshëm për peshën e atij makthi përjashtues e denigrues me të cilin u shoqërua Fishta dhe vepra e tij, në periudhën më të errët kur ideologjia komuniste i shpalli luftën më të ashpër këtij profeti të shqiptarizmës, e vendos atë në panteonin e merituar, në atë paneton nga ku përjetësisht ai do të prijë me idetë, vizionet dhe projektet e tij unike kombëtare.

Një studiuesi mendjeprehtë si Sabri Maxhuni s’ka mundur t’i shpëtoj kjo publicistikë e rëndësishme e Fishtës, ku renditen vështirësitë që e përcjellin kombin shqiptar në zhvillimin e identitetit kombëtar. Në çdo shkrim Fishta shpreh dashurinë për atdheun, dhimbjen e pikëllimin për vuajtjet dhe padrejtësitë që i bëheshin atij gjatë rrjedhave të historisë. Fishta kishte dëshirë që atdheun ta shihte të zhvilluar ekonomikisht, të përparuar si qytetërimet tjera të botës.

Roli i familjes në ruajtjen e identitetit kombëtar ka një përparësi të dukshme në publicistikën “Udha që do të ndjekim”. Fishta mirë e dinte se pa zhvillimin e familjes së shëndoshë kurrë s’do të kishim mundur t’iu mbijetonim ne shqiptarët këtyre luftërave të padrejta që i përjetuam si komb. Ndaj shpreh mendimin tim të lirë se autori Sabri Maxhuni-Novosella vetëm sa ka filluar t’i hyjë një studimi më të thellë të veprës së filozofit, idologuat,vizionarit të kombit shqiptarë, At Fishtës, të cilin me plotë të drejtë ai e quan profet të shqiptarizmes.

Maxhuni s’do ndalet me kaq, ka çka shkruan për poetin, frymëzuesin dhe udhërrëfyesin se në ç’drejtim të shkoj zhvillimi i kombi tonë. Fishta është për të një rrugë e shtruar drejt një platforme reale të shtetit kombëtar shqiptar, ku të bashkohen në një vektor të përbashkët vizionet, idetë dhe energjitë tona kombëtare.

Jo rastësisht, Fishta është për Maxhunin një idhull, një simbol, një ikonë e shqiptarisë, pasi idetë e tij, imazhet, trajat poetike dhe kumtet nacionaliste që përcjell në kohën tonë vepra e tij, duket se janë burim frymëzimi e përkushtimi atdhetar për Sabri Maxhunin, i cili në çdo shkrim dhe libër të tij iu bie këmbanave të “zgjimit” të popullit shqiptar, për të kuptuar drejt të shkuarën e tij, për të ecur me vetëdije në të sotmen dhe për të projektuar e realizuar një të ardhme të sigurtë, siç e imagjinonte dhe këmbëngulte që të bëhej realitet Profeti i shqiptarizmës në të gjitha kohët, i madhi At Gjergj Fishta.

Arbëreshin albanolog dhe njeriun me rreth të gjerë ndikimi kulturologjik në Itali, Gaetano Petrotta, Fishta e kishte bërë aq për vete, sa që ai do të shprehej: “Fishta është ndër të parët e ndër më të mëdhenj atdhetarë, të cilët në kohë më të vështira bënë çmos për ta mbajtur gjallë lëvizjen kombëtare kundër dhunës barbare dhe kundër lakmisë dhelprake serbe dhe kundër propagandës greke. Kudo që shtrohej çështja e Shqipërisë, At Fishta gjendej aty pranë e, ku me vepra e ku me shkrime, sidomos me poezinë e tij të gjallë, zgjonte nga gjumi më të plogështit dhe mbante gjallë gjithmonë shpresën e ardhmërisë “.

Ribotimi i librit të tij me titull “At Fishta, Profet i Shqiptarizmës”, është jo vetëm një vlerësim i lartë që Maxhuni i bën kësaj figure emblematike të popullit shqiptar, por dhe vlerësim i lexuesit shqiptar, i cili e ka dashur dhe e don At Gjergj Fishtën, pasi tek ky gjeni i arkitipit qëndrestar të shqiptarisë, ka gjetur dje, gjen sot dhe do të gjejë ende nesër, modele e një shprese konkrete e të sendërtuar në vizione reale për lirinë dhe begatinë e shqiptarëve në Ballkan./rajonipress/