ARKATANA

Përmbyllet Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, në fokus gazetaria dhe inteligjenca artificiale

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Me një seri ligjëratash dhe diskutimesh mbi sfidat bashkëkohore të gazetarisë, është përmbyllur Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, ku morën pjesë studentët së bashku me profesorët e fakultetit dhe ekspertë të fushës.

Gjatë akademisë, studentët patën mundësinë të trajtonin tema aktuale që lidhen me transformimin e medias në epokën digjitale, ndikimin e inteligjencës artificiale në gazetari, si dhe rëndësinë e verifikimit të informacionit në një mjedis të mbushur me dezinformim.

Profesoresha Gjylie Rexha ligjëroi temën “Saktësia e kontestuar e informacionit në epokën digjitale”. Përmes një bashkëbisedimi interaktiv me studentët u analizuan raste konkrete të raportimit mediatik, përdorimi i burimeve të informacionit dhe rëndësia e verifikimit të fakteve në gazetarinë moderne.

Më pas, profesoresha Xhevahire Millaku ligjëroi në temën “Sfidat e gazetarisë përballë inteligjencës artificiale”, duke nxitur një debat të hapur mes profesorëve dhe studentëve mbi ndikimin që teknologjitë e reja kanë në profesionin e gazetarit, etikën profesionale dhe të ardhmen e mediave.

Akademia u përmbyll me ligjëratën e profesorit Musa Sabedini, i cili trajtoi temën “Inteligjenca artificiale dhe gazetaria, partneritet profesional apo kërcënim për profesionin”. Gjatë prezantimit u diskutua për mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në procesin e raportimit, por edhe për sfidat që sjell përdorimi i saj në ruajtjen e standardeve profesionale dhe besueshmërisë së medias.

Uji Dea

Dekani Ferid Selimi vlerësoi sfidat e gazetarisë në kohën e intelegjencës artificiale si një çështje që duhet të kihet parasysh, sidomos nga mediat serioze. Ai vlerësoi se gazetaria profesionale, në pikën e sotme të zhvillimit, varet shumë nga redaktorët profesionalë.

Në fjalën përmbyllëse, Koordinatori i Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim, Safet Zejnullahu, vlerësoi angazhimin e studentëve dhe profesorëve gjatë Akademisë Verore, duke theksuar rëndësinë e diskutimeve akademike për zhvillimin profesional të brezit të ri të gazetarëve.

“Akademia Verore dëshmoi se media dhe komunikimi janë fusha që zhvillohen vazhdimisht dhe kërkojnë mësim të përhershëm. Studentët tanë duhet të jenë të gatshëm të përballen me ndryshimet teknologjike, të ruajnë etikën profesionale dhe të ndërtojnë një gazetari të bazuar në fakte, integritet dhe përgjegjësi ndaj publikut”, u shpreh Zejnullahu.

Akademia Verore u mbyll me mesazhin se përballë zhvillimeve të shpejta teknologjike, gazetaria mbetet një profesion që ndërtohet mbi besueshmërinë, mendimin kritik dhe përgjegjësinë publike, ndërsa dialogu mes studentëve dhe profesorëve mbetet një element kyç në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.