Fundamenti

Sabit Abdyli poeti nga Vitia që kujdeset për mërgimtarët

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shaban Cakolli – Sabit Abdyli u lind në vitin 1946 në Kabash. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Viti. Studimet i bëri në Shkup e Prishtinë. Shkruan poezi e prozë. Artikujt për migrimet e shqiptarëve në Zelandë të Re janë përmbledhur në librin “Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha”.

Ka botuar edhe librin dokumentar “Ankthi i Pranverës ‘99” për ngjarjet gjatë luftës së vitit 1999 në katundet e Vitisë. Poashtu edhe monografia e parë e shkruar për Kabashin e Anamoravës mban siglën e tij.

Në vitet 1991-1999 ka punuar si përgjegjës dhe të mësimdhënës në paralelet e gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, në Kabash.

Sabit Abdyli tash jeton dhe vepron në Auckland – Zelandë e Re.

Poezi nga Sabit Abdyli

POETI

Vdes e ngjallet
për një fjalë
për një varg
për plis e për fis

Auckland, maj 2013

DITË E PËRDITË

Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem femërisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë

Mars, 2013

NËNËMADHJA

si shtëllungë leshi në furkë
të tashmen tjerrë
një nga një kujtimet
në bosht mbledh e dredh
end qilima kuq e zi
të dorës së parë
me këngë aromë ftoi e molle
përkund e rritë ardhmërinë
nënë
nënëmadhe
e derës së parë.

Auckland, 27 janar 2013

FLAMURI

U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.

Auckland, 2010

FUNDI I PËRRALLËS

Motit të trazuar si askund
Përmes klithmash të pafund
Të përzunë
Dallgët e kreshpëruara
Të bardha si retë
Të prunë
Me vaj në buzë
Buzë gremine
Biçim njerëz
me përralla mbretërish
Erdhën
Me bisht ndër shalë
E shkuan

Janar, 2011

PORTERT NJERËZISH TË MUNGUAR

Asnjë herë nuk harron emrin
Në gurrën e tij etjen shuan
Nuk shtiret
Nuk shitet
Nuk blihet
Nuk di kleçka ç’është
Cicërimë e zogut e shqetëson
Me zemër flet e dashuron

Auckland, korrik 2011

KULLA

Në kohë furtunash
Kulla gostiti horra, u vuri plisa të bardhë
Miladinit, Mugoshës …
Me ta në krye
thyen rrugë
u thyen
kullën me çati të kuqe mbuluan
zogjve ua ndrydhën këngën
për të kënduar thanë; ne këndojmë

Auckland, korrik 2011

PRISHTINA’81

ARKATANA

Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje korzosë së ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy…
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji

Auckland, mars 2011

KAPRICIOZE

Korba të zinj
Në eter mprehin thinjtë

Oxhak i shtëpisë tymos
me blozë
të zinjtë e zogjve kombçar

Majë lisave poshtërisht lëshohen
Me thonj e me sqepa
drejt shkëmbit të Prometheut

Shpendët sa grima
si të ishin kafshë nate
I kashaisa
I zhvesha mitesh me blozë

E ngura dot s’u hiqej
erë shurre kundërmojnë

EMRAT PA EMËR

Kalërojnë ligjet
Emrat pa emër zvarranikë
kalërojnë ndrydhin liritë
shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin fjalën
me kode që ata dinë
hanë s’hanë fjalë
synojnë maje
të etur kroje shterojnë
grigja me gishta n’gojë
hajt bir

Shkurt, 2012

KRIMBAT

Krimben krimbat
me të mirat e gjithë punës në vite
me të mirat e mbi tokës e të nëntokës
në të gjitha kohet
krahësh të djathtë e të majtë
ndryshojnë vetëm në ngjyra
brejnë e krimbin njësoj
krimbin zvarget
krimbat

4 prill 2012

NJË HERË PËRKULET BURRI

Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi …
u përkulën
kur puthën Flamurin

Auckland, 2.05.’12

ALI PODRIMJES

Vargu i tij
etjen i shuan tokës
deri te Mollë e Kuqe
e përtej saj
latoi gurë shtigjesh e urash Dardanisë
ligjëroi si hisja të mos na shuhet
e shkoi mbas Lumit tij

22 korrik 2012

QULLASHËT

Qullashët qullashë
në ditët e agut
çdo gjëje i dalin “zot”
shtetit, politikës
Sofrës së begat
hanë me dy lugë
se një u duket pak.

Janar, 2012

LUTJE E KOHËS

Nga pushtetarë mujsharë
injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
dhe
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv
runa Zot!

Auckland, gusht 2012

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.