RCCOLA

Sa e ke diplomën tuxhar?

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Blerina Rogova Gaxha-Po të mos ishim në prag të vitit të ri universitar, dhe po të mos ishin storiet e rrëfimet për njëmijë suksese e njëmijë dështime të mijëra maturantëve, edhe kjo gjë ‘e vogël’ do të shkonte siç shkon uji nën urë. “Pranojmë studentë edhe pa diplomë mature”.

Po të mos ishte kjo ‘imtësirë’ e një universiteti privat, e vënë në një ndër panot në qendër të Prishtinës, ndoshta as që do të kujtoheshim për gjithë ato rrëfime të shumë e shumë maturantëve për padrejtësitë, për dështimet dhe për ngeljen ‘out’ nga e drejta për shkollim.

Janë të shumtë ata që e kanë kaluar provimin kombëtar, por edhe më të shumtë janë ata që kanë dështuar në të, por jo gjithmonë këta ‘dështakë’ janë dështakët e vërtetë, meqë përgjigjen për ‘in’ e kanë marrë plot nga ata që s’e patën gati asnjë kriter për të kaluar në arsimin e lartë, për ta marrë një ‘out’ plot nga ata që e kanë merituar më shumë se të tjerët. Por arsyet e ngeljes dhe arsyet e kalimit në provimin shtetëror, nuk i morën as të parët, as të dytët. Çdo gjë mbeti vetë një mister i njohur brenda Ministrisë së Arsimit. Çka, qysh e tek, ministrisë i mjaftoi t’u thotë: Paqi fat tjetër herë!

Një tjetër luftë që nga mbarimi i luftës deri më sot, ka ndodhur në artierien e në zemrën e këtij populli, kjo është lufta me dijen ose lufta në arsim. Në atë prej nga pritet çdo gjë, kur ne të plakemi e të mos jemi. Lufta me dijen nuk është luftë me zor. Por që secili ka të drejtën ta dijë arsyen e dështimit, të kuazi dështimit apo edhe të suksesit të tij, kjo nuk mund të mohohet.

Nuk është se është fajtor Ministria e Arsimit, ose se fajtorë janë komisionet, se fajtorë janë profesorët, ose se fajtorë janë vetë nxënësit. Le të mbetet faji jetim, por fati i atyre, që kjo mund t’u mbesë më shumë se një damkë dhe fati i të cilëve mund të ndryshojë tmerrësisht, le të mbetet në ndërgjegjën a atyre që e kanë fuqinë dhe magjinë e marrjes së vendimeve, gjithnjë nëse e kanë.

Hidromorava

Po për të gjithë këta ‘dështakë’ duket se dikush ka gjetur një zgjidhje, ka një universitet privat në Ulpianën e Prishtinës që është ‘strehë’ për të mbeturit jashtë provimit të maturës. Sikur të ishin tuxhar që bëjnë mall e tregti me dijen! Në kohën kur testi i maturës është standard që përcakton një nivel shtetëror, dhe jo një mall që shitet e blihet. Por edhe kjo e ka historinë e vet.

Në 13 vitet e pasluftës, arsimi i lartë privat është shndërruar jo pak në biznes dobiprurës, dhe tashmë nuk ka as plan e as tavan, se kush dhe çfarë mund të studiojë. Nuk ka standard e kriter vlerësimi, dhe vetëm fatkeqësia mund t’i pengojë studentët të mos e kryejnë fakultetin në afatin rekord. Mjafton të duan e të kenë para, dhe “pronarët rektorë magnifikus” e shkollojnë memleqetin. Mjafton të të fusin brenda, dhe nuk del nga aty aq sa mund të dalë faraoni nga piramida.

Ju kujtohet Universiteti privat “Kristal” në Tiranë? Dy diploma të shitura aty, dy bosëve italianë, dhe të zbuluara nga vetë mediat italiane, u bënë shumë shpejt të shtrenjta dhe zbuluan fytyrën e vërtetë të këtyre ‘gjigandëve’ të arsimit. Këto dy raste ishin vetëm një pikë uji në tregëtinë e institucioneve të arsimit të lartë privat, këndej e andej kufirit, i cili sot për sot, është sistem piramidal, që më shumë se gjithçka po e varros dijen e një kombi.

Po të mos ishte historia e sistemit të imponuar shkollor të viteve të 90-ta, ku shtëpitë e Kosovës ishin bërë shkolla me dhunë, dhe çmimi që u pagua dhe po paguhet për të është i madh, imagjinojeni sa do të jetë nesër ky çmim, me gjithë tregëtinë dhe “tuxharët” e arsimit, e më gjithë padrejtësitë e lëshimet që mund të bëjë institucioni më i lartë i dijes… ndoshta do të ketë edhe atëherë një storie për profesorin që besonte se makaronat rriten në Itali.