RCCOLA

Rugova ringjallet në bronz

/ 5 minuta lexim

I përjetësuar në shtatore bronzi, presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova ka qëndruar të premten në mesin e qindra qytetarëve në Prishtinë.

Të ardhur nga Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Ferizaj…dhe rajone tjera të vendit, e të mbledhur në sheshin para Kuvendit të Kosovës, i quajtur sheshi “Ibrahim Rugova”, ku edhe është vendosur shtatorja e mbuluar me flamurin e Dardanisë, kosovarët rikthyen ditët e “lavdisë”.

Nostalgjia për ish- presidentin Rugova, lideri i parë dhe i vetëm sa ishte gjallë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka larguar paksa nga realiteti banorët e shtetit më të ri.

Të emocionuar, shumë pjesëmarrës në ceremoni për më shumë se gjysmë ore sa zgjati ceremonia edhe menduan se ai u ringjall.

“Po më duket si i gjallë kur ka qenë”, janë fjalët e një gruaje që thirrej Valentina, e që me duart që filluan t’i dridhen, ndonëse shtatorja ende ishte e mbuluar me flamurin e Rugovës-dardan dhe nuk shihej figura e tij, duke shtyrë njerëz para vetes mundohej t’i bënte vend vetes në fillim të rreshtave të parë, për të shikuar më mirë shtatoren. Sikurse ajo pati dhe burra në moshë të thyer që për pak u çmallën me njeriun që e patën idol me vite duke menduar po ashtu se ishte i gjallë para tyre, e i cili sa ishte gjallë dhe në krye të LDK-së e bëri partinë më të votuar në vend.

Rugova u “ringjall”

“Rugova paska ardhë”, një burrë me plis rreth të 70-ve, i thërret shokut të tij teksa i afrohet Kuvendit të Kosovës dhe e sheh nga larg shtatoren. E miku i tij, po i asaj moshe i shoqëruar dhe nga 3-4 burra të tjerë, ia kthen “A paska ardhë a”. Ata nuk po shikojnë vetëm një shtatore të mbuluar me flamurin dardan.

Në sytë e tyre ish- presidenti që zakonisht thirret me mbiemrin e tij ‘Rugova’ shihej i gjallë. Jo pak nga të pranishmit shikonin nga shtatorja e Rugovës me mallëngjim.

Madje, pati dhe nga ata që me emocione të pakontrolluara kërkonin shpëtim në ringjalljen e tij. “Sikur të ishe gjallë ti, këta s’kishin ardhë në pushtet kurrë”, iu drejtua Rugovës.

Menduh Idrizi dhe ca kushërinj të tij që nuk kanë pasur fat të afrohen më në afërsi të shtatores, por janë rreshtuar mbrapa saj në rrugën që të çon mbrapa Teatrit Kombëtar, thonë njëzëri se “Rugova po të ishte, kështu nuk kishte shkuar puna”.

Fundamenti

Ata ia hedhin fajin cilido politikan nga të gjitha partitë që po arrin të orientojë rrjedhat e qeverisjes së shtetit, siç kishe bërë , sipas tyre, Rugova. Për të çuar më shumë peshë zemrat e kosovarëve që në shesh iu duk se panë të ‘gjallë’ Presidentin, ndikoi edhe deklarata e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Gjatë fjalimit të tij para masës, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi Mustafa i quajti “Shekulli i Ibrahim Rugovës”, ndërsa Rugovën presidenti historik i vendit.

Mustafa tha se Kosova nderon sot Atin e saj themeltar. “Prandaj, kjo ditë shtatori na bën krenarë që jetuam dhe punuam në shekullin e Ibrahim Rugovës”.

Shtatorja nderon të gjithë kosovarët

“Rugova, mjeshtri i artit poetik dhe dijetari, doli në ballë të popullit të Kosovës në orët më të liga të historisë së re të kësaj pjese të Evropës”, tha Mustafa.

Ai ka theksuar se urtësia dhe vizioni e shndërruan Presidentin Rugova në një personalitet të respektuar kudo në botë. Prandaj, sipas tij, Rugova, prijës i një populli të shtypur brutalisht, u bë i mirëpritur në të gjitha qendrat vendimmarrëse të botës.

Mustafa ka vlerësuar se Rugova ishte prijës largpamës, një politikan që betejën politike e bënte duke shpalosur pikëpamjet e tij. Rugova është nderuar edhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Presidentja e ka quajtur të premten një ditë historike dhe të lumtur për të gjithë kosovarët dhe miqtë e Kosovës.

“Nga sot përjetësisht në këtë vend në Sheshin kryesor të Prishtinës, të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të qëndrojë shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova, si përmendore që na kujton gjithë veprimtarinë e këtij intelektuali, të këtij veprimtari, të këtij burrështetasi, të këtij vizionari që nëpërmjet atdhedashurisë e përkushtimit të paluhatshëm besoi dhe ndërtoi platformën politike dhe shtetin tonë, Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, duke na bërë neve popull të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm, që iu kthehemi rrënjëve tona në familjen e civilizimit evropian”.

Jahjaga e ka vlerësuar Rugovën, “president themeltar”.

Pas fjalimeve të krerëve të shtetit, nën intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës, nga njësia e Forcës së Sigurisë së Kosovës, është zbuluar shtatorja e Presidentit, nga ana e presidentes Atifete Jahjaga, bashkëshortes së ish – presidentit, Fana, zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa. Shtatorja e bronztë e punuar nga skulptori nga Tirana, Julian Muqollari, është e gjatë 4.25 centimetra.