RCCOLA

Rrugëtimi drejt rikthimit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Halil Matoshi – Vizita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në Vatikan dhe takimet, së pari me Sekretarin e shtetit, Kardinalin Pietro Parolin, e pastaj edhe me Atin e Shenjtë Papa Françeskun, është një moment kthese për Kosovën dhe rrugën e saj të vërtetë euroatlantike. Kryeministri kërkoi njohje nga shteti i Vatikanit me një letër që e quajti popullore, si një dhuratë të kosovarëve që duan të rikthehen në familje, në shtëpi – aty ku ishim gjithnjë.

Ibrahim Rugova thoshte se ishte në gjendje të merrte një shkop dhe të vente një thes në shpinë, për t’u shndërruar në një lypës, për të mirën e popullit të tij.

Haradinaj po e vazhdon traditën. Ndoshta ai mund të hidhërojë ndonjë individ konfuz, por ta bëjë të duhurën për popullin dhe vendin e tij.

Ati i Shenjtë, i do popujt e martirizuar suç janë shqiptarët e Kosovës, prandaj kur ai i tha kryeministrit Haradinaj se shqiptarët i ka në zemër, kjo ishte njohje mbi njohjet. Njohje simbolike. Njohje e sakrificës dhe ripranim në familje.

Pse është kjo kthesë në rrugën e vërtetë?

Kryeministri Haradinaj është një lider popullor, i pranueshëm jo vetëm nga shqiptarët dhe jo vetëm nga të gjitha komunitetet fetare në Kosovë, por edhe nga pakicat etnike të cilëve ua ka shtri dorën e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës.

Përplasja e Haradinajt me konceptet radikale islame në kontinuitet nuk është diçka e panjohur.

“Kërcënimet” anësore, pas rastit me gulenistët, nuk e kanë tjetërsuar atë nga një marrdhënie miqësore qoftë edhe me shtetin e kërcënuesit, porse i kanë dhënë një impuls të ri, drejt një mardhënie emancipuese dhe kulturore me Perëndimin.

Turqia si anëtare e NATO-s që tre dekada kërkon t’i bashkangjitët BE-së, mirëpo pikërisht autokracitë në lidership, rrymimet radikale islame, të drejtat dhe liritë e njeriut të cënuara në mënyrë permanente, janë pengesat thelbësore.

UBT

Nën vello të marrëdhënieve të mira tradicionale ndërmjet shqiptarëve dhe turqve gjatë fundit të shekullit 20 nuk mund të fshihet tërë një histori inkursionesh otomane mbi hapësirën shqiptare.

Kryeministri Haradinaj shkoi në audiencë te Papa Françesku, për të ndjekur ëndrrën e popullit të tij, për përqafimin e vlerave europiane, që i miratojnë poashtu, miliona turq.

Kosova është e orientuar nga Perëndimi, sepse nuk ka alternativë, jo vetëm pse Perëndimi e nxori atë nga skllavërimi njëshekullor serb por edhe për faktin se Serbia ende po mban një qëndrim armiqësor ndaj Republikës së vigël në Ballkanin qëndror, pra nuk ka alternativë mbrojtëse.

Për Qeverinë Haradinaj, një park ekonomik-trajnues në Prizren që garanton valimin e flamurit gjerman edhe për një shekull në qytetin jugor të Kosovës dhe në zemrën historike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si dhe një “Bondsteell” ekonomik amerikan në Prishtinë, janë të një rëndësie thelbësore, jo si porosi për traditat dhe sentimentet fetare në Kosovë, sepse liritë fetare bëjnë pjesë poashtu në vlerat e përbashkëta europiane, por si porosi për Serbinë e pabindur ende nga këto vlera, që t’i mbajë duart larg Kosove.

Në këtë sens duhet të vlerësohet vizita e Haradinajt në Selinë e Shenjtë.

E duhura në kohë të duhur, thotë tradita diplomatike europiane dhe në këtë kontekst, Haradinaj ka zgjedhur udhëtimin drejt Vatikanit, jo për t’i irrituar disa shqiptarë të padurueshëm islamë, porse për ta kapur momentumin kur Serbia “është në bela” me Selinë e Shenjtë rreth kanonizimit të kroatit Alojz Stepinc. Pra është kjo koha kur raportet e shtetit serb ne Vatikanin janë në pikën më të ultë dhe ne këso situatash, siç thoshte Winston Churchill, kundërshtarin politik duhet me e vënë në pozitë të keqe karshi Fuqive të Mëdha.

Kryeministri Kosovar nuk shkoi te Papa në Ramazan për të dhënë mesazh fetar, por mesazh të pastër politik, prandaj ata shqiptarë që e shohin me sy të keq Haradinajn, duhet ta dekodojnë mesazhin e Serbisë qe Vatikani nuk do ta njohë kurrë “shtetin e rremë”, sipas logjikës së Djurićit apo “manekinin fashist” Vulin se kuazi shteti kosovar paskësh dështuar!?

Dhe pjesëmarrja e Kosovës si palë në tavolinën e Samitit të Sofjes të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, me delegacion shtetëror, pa tendencë për primat, por me sensing prej burrështetasi, është pikërisht dëshmi se shteti i Kosovës megjithë dëshirat e mëdha të disa qarqeve neo-otomaniste turke dhe neofashiste serbe, nuk po dështon, por është në rrugën e duhur për t’u rikthyer fuqishëm edhe në rrafshin ekonomik kah Perëndimi.

Autori, ish analist politik, është këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj