Eko Higjiena

“Rruga e Prishtinës” është rrugë e Vetëvendosjes!

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në zyrën e Lëvizjes VV!, e cila ka lokacionin e saj edhe në rrugën e Prishtinës, ishin të pranishëm shumë pjesëmarrës për të bashkëbiseduar me drejtuesit e Lëvizjes VV! rreth problemeve të cilat duan që të inkorporohen në programin qeverisës lokal.

Ismajl Kurteshi ka treguar shumë raste të keqpërdorimeve që kanë ndodhur në komunë, duke përmendur rastin e drunjve dekorativë, blerjen e drunjve të konfiskuar për nevojat e shkollave me një dyfishim të faturave, rreth shpenzimeve marramendëse për zyrën e kryetarit të komunës, për drekat e darkat e panevojshme që bëhen në emër të punëve zyrtare etj.

“Këta duhet t’i ndalim sa më parë. Ne e kemi ndershmërinë, vullnetin dhe dëshirën për ta ndryshuar vendin dhe komunën. Me ne, nuk do të ketë tolerim të asnjë keqpërdorimi, qoftë edhe minimal. Nuk ka më lojë me interesin publik, duke e vënë interesin personal si primare. Jemi duke punuar shumë dhe ritmi i punëve tona edhe më shumë do të fuqizohet pas marrjes së besimit të qytetarëve. Do ta shtojmë disiplinën në punë, duke respektuar orarin dhe duke rritur cilësinë e punës për sa kohë jemi në detyrë. Ju po e shihni se komuna është e korruptuar, buxhetin e ka drejtuar vetëm për mallra dhe shërbime, nuk ka shpresë për rritje të investimeve kapitale pasi që ka vetëm rënie gjithnjë e më shumë të investimeve kapitale nga kjo qeverisje” – ka theksuar Kurteshi.

Suzana Selimi, kandidate për këshilltare komunale nga kjo lagje, ka thënë se ne nuk do të jemi si ata në asnjë mënyrë, ndonëse qytetarët janë të zhgënjyer. “Qytetarët janë shumë të zhgënjyer. Kudo vërehet pakënaqësia e tyre. Kudo shohim njerëz që nuk e duan këtë keqqeverisje dhe duan ndryshime. Njerëzit janë të rezervuar, sepse ky pushtet i ka zhgënjyer mjaft shumë, por shpresa do të jetë me Lëvizjen VV, e cila vazhdimisht ka qenë pranë qytetarëve dhe është me vullnet të paluhatshëm për ta ndryshuar vendin në rrugë të mbarë” – ka thënë kandidatja Selimi.

UBT

Leonard Miftaraj, kandidat për këshilltar komunal dhe njëherazi ekonomist, duke folur para të pranishmëve, ka thënë: “Kjo qeverisje ka blerë vetura me çmime që realisht do të mund t’i blente dyfishin e makinave. Ka paguar çmimin prej 8 000 eurosh për një veturë, ndërsa me këtë çmim në tregun e automjeteve, blihen dy vetura, të të njëjtit vit dhe të së njëjtës markë. Për dallim nga konkurrentët tanë, neve nuk na zgjedhin kandidatin për kryetar komune nga Skënderaji, siç ka ndodhur me partitë e tjera politike. Neve nuk na ka zgjedhur kryetarin Albin Kurti, por e kanë zgjedhur anëtarësia e gjerë e Lëvizjes VV, nëpërmjet votimit demokratik. Partitë në pushtet kanë kandidatët e tyre të zgjedhur nga kryeministri apo liderët e tyre të subjekteve politike, prandaj ne kemi përparësi edhe në këtë aspekt të procedurave demokratike brenda subjektit e të cilën do ta reflektojmë edhe jashtë” – ka thënë Miftaraj.

Në takim mori pjesë edhe kandidatja tjetër për këshilltare komunale, Elmaze Rexhepi, e cila përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për përkrahjen që po merr Lëvizja dhe ka përmendur aktivitetin e saj të hershëm në Lëvizje, si aktiviste dhe sfidat të cilat kanë qenë në rrugëtimin e Lëvizjes në Gjilan. “Jam krenare dhe ndihem mirë që Lëvizja vetëm po rritet dhe po merr besimin edhe të qeverisjes së komunës dhe të vendit” – ka shtuar Rexhepi.

Fehmi Sylejmani, po ashtu kandidat për asamble komunale, ka rrëfyer para të pranishmëve se si Kurteshi, kandidati për kryetar të komunës së Gjilanit, është dëshmuar edhe sa ishte në drejtorinë për arsim, pak vite më parë. “Kur erdhi Kurteshi në krye të detyrës, disa drejtorë nuk rrinin tërë ditën në disa kafene për t’u argëtuar. Ai rriti përgjegjësinë në punë, rriti disiplinën, shtoi seriozitetin dhe ndali mëditjet për ata që nuk ishin të përgjegjshëm. Posa ndëshkoheshin me këto mëditje, filloi ndryshimi në cilësinë e punës, sepse disa posa merrnin këtë formë ndëshkimi, përmirësoheshin në sjelljet e tyre gjatë punës dhe respektimit të orarit” – u shpreh Sylejmani.

Në fund banorët e “Rrugës së Prishtinës” janë shprehur me gatishmëri të plotë për të marrë pjesë në aktivitetet e Lëvizjes VV! dhe kanë shprehur vullnetin e tyre të marrin pjesë në ndryshimet e mëdha të nëntorit, sepse sipas tyre, gjendja është katastrofale dhe shpresa e vetme mbetet në Lëvizjen VV!, me njerëzit e saj të pa korruptuar dhe që e duan komunën thuhet në njoftimin e degës së VV në Gjilan./rajonipress/