Fundamenti

Rritja e pagave do të shkaktojë ngritje çmimesh

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Ekspertët theksojnë se rritja e pagave për 25 për qind për shërbyesit civilë, në sektorin publik, është dukshëm shumë herë më e madhe sesa inflacioni që është paraqitur në gjashtë vjetët e fundit. Inflacioni, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin e kaluar ka qenë jo më shumë se 1.3 për qind.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi, thotë se nuk mund të ngrihet një paralele ndërmjet rritjes së pagave dhe inflacionit, i cili është paraqitur në Kosovë gjatë viteve të fundit.

“Rritja e pagave është dukshëm shumë herë më e madhe sesa inflacioni, për arsye se inflacioni në Kosovë, bashkuar në pesë-gjashtë vjetët e fundit, nuk e kalon shifrën dyshifrore, derisa rritja e pagave vetëm gjatë këtij viti është 25 për qind”, bën të ditur Gashi.

Edhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, konsideron se rritja e pagave është në një shkallë më të lartë sesa niveli i inflacionit. Megjithatë, sipas Ramosajt, kjo shkallë e rritjes së pagave do të shkaktojë rritje të inflacionit dhe ai shkaktar do të jetë i natyrës artificiale.

“Rritja e çmimeve mund të shkaktojë rritje të inflacionit. Kryesisht, në Kosovë inflacioni nuk rritet si rezultat i rritjes së sasisë së parave në qarkullim, por rritet më shumë nga pozitat monopoliste që kanë bizneset e ndryshme”, vlerëson Ramosaj.

Uji Dea

Në Kosovë nuk ka pasur rritje të pagave që nga viti 2011. Qeveria e Kosovës në vitin 2011 kishte ngritur pagat për punonjësit e sektorit publikë prej 30 deri në 50 për qind, vendim ky i cili në atë kohë ishte në kundërshtim me atë që kishte thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, vlerëson se me rritjen që është bërë gjatë viteve të fundit, Kosova qëndron afër vendeve të rajonit sa i përket pagave. Ai konsideron se kjo rritje e pagave është e bazuar në një zhvillim të brendshëm ekonomik.

“Me vetë faktin që viteve të fundit kemi rritje të GDP-së dhe rritje të buxhetit të shtetit, atëherë kjo me automatizëm na mundëson që të kemi një rritje të pagave. Do të ishte paradoksale sikur të hyrat në buxhetin e Kosovës të ulen dhe ne t’i rrisim pagat në sektorin publik. Mirëpo, në Kosovë ka ndodhur e kundërta, do të thotë është rritur edhe buxheti edhe GDP-ja, por janë rritur edhe pagat”, thekson Gashi.

Ndryshe, që nga muaji prill i këtij viti, të gjithë shërbyesit civilë në sektorin publik në Kosovë, do të marrin pagat me rritje nga 25 deri në 50 për qind. /REL/