UBT

Rreziku i shoqërisë kosovare – Gazetaria Senzacionale!

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mentor Shala- Ajo që më së shumti iu kemi frikësuar si profesionistë, raportimit sensacional, tashmë është bërë pjesë e gazetarisë kosovare.

Tituj bombastikë, akuzues, ofendues, shkrime e raportime të paverifikuara me të gjitha burimet, shkrime e raportime tendencioze, shkrime e raportime me vetëm njërën anë të stories, përdorimi në mënyrën më të paskrupullt të burimeve anonime, plasimi i qëndrimeve të redaksive ose edhe grupeve tjera të interesit duke u fshehur pas burimeve anonime… Me këtë lloj gazetarie, shoqëria kosovare ka rrezik të shkojë drejt një shoqërie ku trazirat dhe konfliktet mund të shihen si zgjidhje e vetme e problemeve.

Është e vërtetë se mediet janë pasqyrim i gjendjes në një shoqëri. Por, roli më i madh dhe më i rëndësishëm është se ato krijojnë opinion. Opinioni i përgjithshëm gati gjithmonë e përcakton rrugën dhe ndërtimin e një shoqërie. Mediat e pasluftës në Kosovë kanë dy periudha të zhvillimit të tyre. Periudhën prej vitit 1999-2006 dhe periudhën pas vitit 2006 e deri më sot. Periudha e parë 1999-2006, kemi një zhvillim të mediave në Kosovë në aspektin profesional. Në këtë periudhë kemi shumicën e mediave që burim kryesor të financimit i kanë donacionet, kryesisht ndërkombëtare. Vetë forma e financimit krijoi kushte për zhvillimin profesional. Duke mos qenë të varura nga grupet e interesit politik, ekonomik ose grupe tjera të interesit, mediat ishin shumë të përgjegjshme profesionalisht duke bërë kështu që Kosova në këtë periudhë radhitej para të gjitha vendeve të rajonit në listat e organizatave ndërkombëtare të cilat merren me monitorimin e mediave. Kosova në aspektin profesional ishte para Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës e Malit të Zi. Si vend i dalë nga lufta, Kosova përfitoi shumë në trajnimin e gazetarëve të rinj nga trajnerë të mediave shumë të fuqishme botërore. Edhe ky element ndikoi shumë në nivelin e profesionalizmit. Por çka ndodhi pas vitit 2006?

Donacionet u ndalen! Ekzistenca e mediave filloi të rrezikohej. Për të mbijetuar në treg, mediat duhej të gjenin forma të financimit. Gazetat nuk mund as të mbulonin shpenzimet e shtypit nga shitja e tyre. Televizionet (kryesisht ato me frekuencë nacionale) e kishin pak më të lehtë për shkak se kompanitë e kishin me interes reklamimin në këtë medium. Kjo formë u sillte të ardhura. Mediumi publik e kishte më së lehti për shkak se çështja e financimit ishte e zgjidhur me ligj. Në tregun e vogël të Kosovës të gjitha këto media e kishin shumë të vështirë të mbijetojnë. Numri i bizneseve dhe kompanive që mund të konsideroheshin si burim i financimit nga marketingu, nuk ishte i mjaftueshëm për të gjitha mediat në Kosovë. Këtë situatë sigurisht që e shfrytëzuan grupet e ndryshme të interesit, kryesisht politike.

Edhe presioni institucional filloi të rritej, por jo në formë klasike. Njoftimet dhe publikimet e tjera të institucioneve shtetërore, ishin të shumta dhe sillnin përfitime të majme. Kjo i shtynte mediat që të vërsuleshin drejt kësaj forme të financimit e cila domosdoshmërisht i bënte të dëgjueshme ndaj pushtetit. Kjo formë e financimit nuk zgjati shumë pasi që Qeveria ka më shumë se dy vjet që ka ndaluar publikimin e njoftimeve në media. Dhe tash mediat janë bërë kryekëput të varura nga grupe të ngushta të interesit dhe kjo situatë ka filluar të bëhet e rrezikshme. Ajo që më së shumti iu kemi frikësuar si profesionist, raportimit sensacional, tashmë është bërë pjesë e gazetarisë kosovare.

Tituj bombastik, akuzues, ofendues, shkrime e raportime të paverifikuara me të gjitha burimet, shkrime e raportime tendencioze, shkrime e raportime me vetëm njërën anë të stories, përdorimi në mënyrën më të paskrupullt të burimeve anonime, plasimi i qëndrimeve të redaksive ose edhe grupeve tjera të interesit duke u fshehur pas burimeve anonime… Këto i shohim e i dëgjojmë çdo ditë në mediat tona. E nëse këto i shohim e i dëgjojmë çdo ditë në mediat tona, atëherë lind pyetja çfarë opinioni mund të ketë shoqëria?! Sigurisht jo të shëndetshëm! Një ish moderator në MacNeil-Lehrer News Hour, Robert McNeil, duke e përmbledhur gjendjen e tanishme në gazetarinë televizive, ka shpallur fundin e lajmeve të cilat ne i njohim.

“Jam pesimist. Sepse të gjithë trendet në gazetarinë televizive po shkojnë drejt sensacionales, drejt vlerave tabloide duke përjashtuar vlerat serioze. Në këta trend, shoh fundin e lajmeve si një mundësi për t’u shërbyer njerëzve dhe shndërrimin e tyre në një dëfrim. Frikësohem se lëvizja e vlerave të lajmeve në këtë drejtim vetëm sa do të rritet me rritjen e konkurrencës”, thotë McNeil. Reporteri i njohur televiziv Daniell Schorr, derisa po mblidhte teknikën e tij pas një konference për shtyp të Martin Luther Kingut, i cili po përgatitej për një protestë paqësore – të cilit i kishte parashtruar disa pyetje, përgjigjet e të cilave mund të provokonin dhunë – e pa Luter Kingun të ulur në një kënd të sallës të zemëruar. Schorr e pyet Luther Kingun, pse ishte në atë gjendje depresioni dhe Luther King ia ktheu:

KKVITI

”Për shkak tëndin dhe kolegëve tuaj në televizion jam në këtë gjendje. Ju po më provokoni mua që unë ta provokoj dhunën dhe nëse unë nuk e bëj këtë, ju do t’i gjeni ata që provokojnë dhunë dhe ju i vendosni në TV ata. Duke u dhënë hapësirë në TV, atyre që provokojnë dhunë, ju i zgjidhni ata liderë tanë. Dhe nëse do të ketë dhunë atje, a do të ndiheni edhe ju bashkëpjesëmarrës të nxitjes së kësaj dhune?”, i kishte thënë Luter Kingu, reporterit Schoor. Italiani Francesko Sidoti në artikullin e tij ‘Çfarë është gazetaria hulumtuese?’, konsideron se sensacionalja lidhet kryesisht me arsyet komerciale të medieve, megjithatë ai nuk i përjashton edhe lidhjet me problemet dhe situatat politike të spikatura. Ai thekson se investigimet në Itali shpesh fusin në burg apo nxjerrin në faqet e para njerëz, të cilët më pas dalin se s’kanë gisht në këto ngjarje.

Në Kosovë aspekti i sensacionales është shumë i theksuar. Mediat kanë krijuar vazhdimisht raporte sensacionale për vite me radhë duke u thirrur në burime anonime të cilat akuzojnë me emra e mbiemra njerëz të ndryshëm, pa tentuar të verifikojnë as vërtetësinë e burimeve. Kemi shumë raste të arrestimeve që janë kryer në mënyrë spektakulare me qindra policë të njësisë speciale dhe të gjitha aksionet janë të xhiruara nga kamerat televizive të cilat janë transmetuar në televizionet kosovare. Pavarësisht se në fund ka rezultuar që shumica e këtyre rasteve të raportuara në mediave kanë dalë të pasakta, reputacioni publik i personave të apostrofuar, sigurisht është dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Sidoti thotë se ‘kjo alkimi e rrezikshme e drejtësisë me medien është një shenjë alarmi e mosfunksionimit të thellë të demokracisë. Mediet, minojnë vetë themelet e institucionit të drejtësisë.’

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, ishte i vetmi institucion që ka reaguar ndaj formës së arrestimit spektakolar dhe mënyrës së mbulimit nga mediat, e sidomos nga televizionet, duke e konsideruar si shkelje të të drejtave dhe lirive njerëzore. Sidoti thotë se ‘nga ky këndvështrim gazetaria dhe gjykatat vendosin njerëz në bankën e të akuzuarve, por i nënshtrohen akuzave të ngjashme në shumë aspekte. Në Itali, si në gjithë vendet demokratike, gjykatësit paditen për senzacionalizëm, njëlloj si gazetarët.’ Në Kosovë nuk janë të theksuara rastet e padive kundër gazetarëve. Kemi shumë pak raste kur gazetarët janë paditur për shpifje dhe nuk kemi asnjë gazetar të burgosur në Kosovë.

Mediat në Kosovë duhet të mendojnë që të joshin kompani të huaja mediale që merren me biznesin e mediave, të vijnë në Kosovë, dhe të bëhen pjesë e tyre nëse me të vërtetë dëshirojnë të mbijetojnë në treg. Me gazetari sensacionale është e vështirë të mbijetosh në treg. Nëse kësaj ia shtojmë edhe situatën shumë të dobët financiare, atëherë pothuajse është e pamundur. Me këtë lloj gazetarie, shoqëria kosovare ka rrezik të shkojë drejt një shoqërie ku trazirat dhe konfliktet mund të shihen si zgjidhje e vetme e problemeve. Për të mos qenë shumë skeptik vetëm procesi i digjitalizimit mund ta ndërrojë situatë e vështirë mediale në të cilën gjendet Republika e Kosovës. Por kjo i përket vetëm mediave transmetuese. Megjithëse edhe në këtë proces jemi shumë, shumë vonë. Ende nuk e kemi filluar procesin i cili zgjatë më së paku 3 vjet, ndërsa transmetimi analog do të shkyçet në qershor të 2015.

Autori është:

Zëvendësdrejtor i RTK’së. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne janë personale.