Rrënuesit dhe ndërtuesit e Evropës

Nga Mehmetali Rexhepi – Të çmuar miq! Pas dy netësh që ndoqa Evrovizionin, domethënë konkurrimin për këngën më të bukur në Evrovizionin 2018, me gjithë padrejtësitë, zilinë e shfrenuar të fqinjëve grekë, sikur harrojnë qytetërimin tonë të mohuar pellazg-ilirë, kontributin e shqiptarëve për lirinë e Greqisë…Si rrallë herë u ndjeva i ngazëllyer dhe krenar me paraqitjen e bukur, profesionale, dinjitoze të kantautorit të shkëlqyeshëm, djaloshit Eugent Bushpepa!

Siç shkruante Dritëro Agolli: “Fjala shqipe s`shitet në pazar…”, është po kjo fjalë shqipe e veshur më muzikalitetin dhe kumbimin melodik në këngën “Mall”, në shqiptimin e fuqishëm, tejet të ndjeshëm dhe melodik të artistit të ri shqiptar Eugent Bushpepa, aq sa mahniti publikun evropian dhe botëror… Zbërthimi poetik i “mallit të shqiptarit” para Evropës dhe botës, nuk ishte thjesht një porosi argëtuese, por zbërthim i një shpirti të dhimbshëm, të mohuar, të paragjykuar, të minimizuar, të ndjekur, të masakruar, të blasfemuar, por mbi të gjitha këto: krenar. Krenar deri në kuptimin më të lartë të kësaj fjale.

Edhe një herë i shpërfaqëm Evropës hiletare se jemi themeli autokton i saj; se jemi më evropianë se grekët e serbët e gjenocidit mbi ne; se nuk jemi të verbuar nga urrejtja, paragjykimet, përbuzjet, sharjet dhe zilia patologjike e tyre; se jemi themeli i qytetërimit evropian më gjithçka. Andaj, miq të dashur! U ndjeva i ngazëllyer, meqë shkëlqeu drita e ngjyrave të këngës shqipe… Animet, hilet e votimit nuk më bëjnë përshtypje… Barrën e shfaqjes së talentit artistik, për t`i përfaqësuar edhe dy kombe e shtete tjera, si për Italinë e për Qipron, e morën pikërisht edhe dy bashkëkombësit tanë të talentuar… I ngritën shtetet që përfaqësuan në majat e renditjes konkurruese evropiane.

Me gjithë atë, kursi i urrejtjes e nënvlerësimit nga pushtuesit e trojeve tona nuk ka të ndalur…! Të lumtë Eugent! I lumtë rinisë së talentuar shqiptare, e cila i shpërfillë ndalesat e hekurta të politikës,dhe shpalos imazhin e çiltër të kombit të tyre përpara të tjerëve! Evropë: në shumë fusha do ta shihni gjeniun e kësaj rinie, mirëpo ia keni mbyllur dyert! Pra, Evropë hap dyert për rininë tonë të talentuar, jo vetëm për të shtruar pllaka, por dhe për t`i shfaqur prirjet e saja shkencore, artistike, krijuese dhe vlerat qytetëruese!

Ne nuk jemi rrënuesit e Evropës, ne jemi ndërtuesit dhe mbrojtësit e saj./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).