RCCOLA

Rrëfimi i dëshmitarit për krimet serbe, i vonuar

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Rrëfimi i një qytetari të Mitrovicës dhënë një gazete ditore, se kishte qenë dëshmitar i shumë krimeve mbi popullatën e Mitrovicës, gjatë kohës së luftës, ka nxitur reagimin e Qendrës Rajonale të KMDLNJ në Mitrovicë.

Halit Barani, kryetar, nëpërmes të një reagimit dërguar medieve, tha se QR e KMDLNJ, që nga themelimi ka bërë shumë përpjekje për evidentimin e të gjitha krimeve që forcat paramilitare dhe ushtarako-policore serbe i kanë kryer ndaj shqiptarëve të pafajshëm në rajonin e Mitrovicës dhe për të kontribuar në këtë drejtim ka ftuar të gjithë ata që kanë pasur informata të ndryshme që ato ti paraqesin.

Mjerisht, kontributi i dëshmitarëve okularë dhe atyre që kanë informata kredibile lidhur me krimet monstruoze serbe ndaj popullatës shqiptare, është shumë i vogël, edhe pse KMDLNJ është i bindur se numri i atyre që kanë mundur të kontribuojnë në këtë drejtim është shumë i madh. Me apo pa qëllim, me apo pa vetëdije, nga frika apo mosguximi qytetar, personat e tillë, pra ata që nuk kanë ofruar dëshmitë e tyre për krimet monstruoze, kanë ndikuar që ato të zbardhen fare pak, për të mos thënë asnjë, kanë bërë që familjarët që nuk dinë asgjë për të dashurit e tyre të pagjetur të përjetojnë ankthe e dhembje dhe të mos bëjnë jetë normale gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës, thuhet në reagimin e Baranit. Ai ka përsëritur se shumë dëshmitarë kanë hezituar të paraqiten në këshill,ose nuk kanë guxuar të paraqitën.

RCCOLA

Ndonëse është më mirë vonë se kurrë, QR e KMDLNJ në Mitrovicë, rrëfimin e dëshmitarit të vonuar për një gazetë ditore e vlerëson si rrëfim të turpshëm të një qyqari, i cili gjatë gjithë këtyre viteve nuk ndjeu dhembje për të vrarët dhe familjet e atyre që ende presin ndonjë lajm për më të dashurit e tyre që i kanë të pagjetur, nuk pati kurajën dhe guxim që të flasë për atë që thotë se ka parë me sytë e tij dhe ka dëgjuar me veshët e tij.

Si është e mundur që ky rrëfimtar i pandjenja të ketë frikë të flasë për atë që ka parë e dëgjuar, edhe 14 vjet pas atyre që kanë ndodhur, e për të cilat flet sot, por jo me emër e mbiemër të plotë. A është i vetëdijshëm ky rrëfimtar se për këtë periodë më shumë se 14 vjeçare të heshtjes së tij qyqare, gjurmët e krimit monstruoz kanë mundur të dëmtohen apo zhduken tërësisht, nga ata që i kanë bërë këto krime, apo edhe nga vet koha, gjë që i vështirëson tej mase të gjitha përpjekjet për të zbardhur atë që ka ndodhur e për të cilën thotë se ka qenë dëshmitar okularë, ka pyetur Barani.

Duke qenë se ky rrëfim, sipas Baranit, i ka shqetësuar shumë familjarët e të pagjeturve dhe pavarësisht se a janë rrëfimet e dëshmitarit kredibile apo jo, pasi që nuk ka asnjë të dhënë lidhur me këto vrasje dhe në këtë periudhë kohore QR e KMDLNJ ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin menjëherë të gjitha masat e duhura për të dëgjuar dëshmitarin dhe për të filluar hetimet për zbardhjen e rasteve për të cilat flet dëshmitari./zeri/