Rrëfen shqiptarja e verbër: Më thanë, të hedhim në det bashkë me qenin

Udhëtim aspak i këndshëm për studenten shqiptare, 24 vjecare Kedrit Shalarin, me banim prej dhjetë vitesh në Itali, e cila më 16 gusht u nis nga Vlora për në Brindisi me një traget.
Kedrit në një rrëfim për News 24 ka treguar se si personeli i tragetit e ka diskriminuar në një sërë mënyrash, fillimisht duke e larguar nga restoranti i tragetit pastaj duke e ndaluar të qëndrojë në vendet e rezervuara për pasagjerët e më në fund kërcënimi që Kedrit tregon në lidhjen telefonike në studion e News 24.
“Sapo vura këmbë në target mendova se kisha vënë këmbë në Europë dhe se ligji do më mbronte përsëri, pas 1 muji e gjysëm pushime ku mu desh të sqarohesha me shumë persona, por fatkeqsisht nuk ishte ashtu. Me thanë ose lëviz që këtu ose të hedhim në det ty dhe qenin. Personeli i tragetit i sygjeronte policisë që të me nxirrnin jashtë sepse isha një pasagjere e bezdisshme”, rrëfen Kedrit.
Kjo situatë u krijua pasi 24 vjeçarja nuk shikon dhe shoqërohej nga qeni i saj, i cili i shërben si udhërrëfyes.
Nga ana e autoriteteve thuhet se qeni-guidë mund të qëndrojë në çdo hapësirë publike dhe kjo lejohet bazuar në ligj. Kedrit i kërkoi personelit të tragetit që të kontrollonin certifikatën shoqëruese të qenushes së saj me emrin Vera, ku thuhej se kafsha duhet ta shoqërojë kudo, por pavarësisht kësaj ata vazhduan me rrugën e tyre.
Pas zbarkimit në tokë, Kedrit menjëherë ka denoncuar rastin në fjalë në stacionin e Karabinierëve ne provincën së Lecces, një shoqatë e cila mbron të drejtat e kafshëve, ka paditur shoqërinë e lundrimeve, ndërsa e ka quajtur rastin: “Një episod i tmerrshëm, dhe shkelje e të drejtave njerëzore”.
Tashmë janë autoritetet e drejtësisë italiane që do të thonë fjalën e tyre për diskriminimin.
Historia e Kedrit ka bërë bujë në mediat italiane këto ditë. Vetë Kedrit jep apelin që rasti i saj nuk duhet të përsëritet.
“Mesazhi që unë kam për të thënë në këtë rast meqë po flas me tv shqiptar është që të fillohet të kuptohet detyra e këtyre lloj qenësh dhe që personat e verbër edhe në Shqipëri të fillojnë t’i përdorin lirisht”, shprehet Kedrit për News 24. (BW)