Rrefehet 21-vjeçari që plaçkiti kosovarët në Rrugën e Kombit

Nëse nuk do të zbuloheshim nga ana e policisë, do vijonim grabitjet gjatë gjithë muajit gusht, pasi tani pritej edhe fluks më i madh i kosovarëve”. Kështu ka deklaruar ndërsa është marrë në pyetje 21-vjeçari Ardit Maxhuni, i cili akuzohet për dy grabitje të ndodhura në autostradën Rrëshen-Kalimash, e fundit mëngjesin e së shtunës.
Maxhuni ka rrëfyer para bluve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë të gjithë planin që së bashku me bashkëpunëtorin e tij, 21-vjeçarin Anton Nikolli i cili është shpallur në kërkim, bënin para grabitjeve.
Ndërkaq, burime zyrtare nga Policia, pohojnë se gëzhojat e gjetura në vendin e grabitjes dy ditë më parë në Reps të Mirditës dhe arma e cila i është kapur grabitësit Ardit Maxhuni do i nënshtrohen ekspertizës balistike në Tiranë.
Kjo, pasi dyshohet që të njëjtët persona të jenë autorë edhe të grabitjes dhe plagosjes së 5 personave, mes tyre, 2 fëmijë në Qafë-Qelë në Pukë, më 14 korrik.
Arma dhe gëzhojat do t’i nënshtrohen ekspertizës, për të provuar edhe autorësinë e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet të jenë kryer nga ana e Ardit Maxhinit dhe Anton Nikollit. Në orët e para të së shtunës, 2 kosovarë, F.Ahmeti, 51 vjeç dhe O.Cakiqi, 55 vjeç u grabitën me armë në autostradën Rrëshen-Kalimash. Pas denoncimit të dy kosovarëve, forcat e policisë prangosën si autor 21-vjeçarin Ardit Maxhuni nga Fushë-Arrëzi, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij Anton Nikolli./Indeksonline/