Mobi Casa

Rokadë në Qeveri: Vlora në vend të Bajramit, Besimi në vend të Bedriut?

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Ndryshimet e paralajmëruara në kabinetin qeveritar mësohet se do të konkretizohen deri javën e ardhshme. Burime të Radio Kosovës brenda dy partive në pushtet, Partisë Demokratike dhe asaj Aleanca Kosova e Re kanë konfirmuar se bisedimet për ndryshime do të vazhdojnë edhe sot në mes të partnerëve të koalicionit.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re janë në fazën përfundimtare të marrëveshjes për ndryshime në kabinetin qeveritar. Burime brenda dy partive në pushtet kanë thënë se çështja e emërimeve pothuajse është vendosur dhe deri javën e ardhshme do të jetë gati përbërja e re.

Sipas të njëjtave burime, Aleancës Kosova e Re do t’i jepet Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe emri i ministrit është vendosur të jetë shefi aktual i Rrjetit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOST) Fadil Ismaili.

Ndërsa, Besim Beqaj, mësohet se do të lëvizë në Ministrin e Integrimit. Megjithatë, ai ka kërkuar të shkojë ministër i Financave pas largimit të Bedri Hamzajt. Për postin e ministrit të Financave është në kombinim aktualisht edhe Safete Hadërgjonaj që kryeson Komisionin Parlamentar për Financa si dhe Behxhet Haliti, shefi aktual i departamentit të Administratës Tatimore.

Ajo që dihet gjithashtu është se Bajram Rexhepi do të lërë postin e ministrit të Punëve të Brendshme. Për ta zëvendësuar në këtë post mësohet se personi më i pëlqyer është Vlora Çitaku, ministrja aktuale e Integrimit.

KKVITI

Lëvizje pozitash do të ketë edhe në nivel zëvendësministrave, për të cilat AKR ka kërkuar katër pozita.

Ajo që është mësuar gjithashtu është se postin e zëvendësministrit të diasporës do ta lërë edhe Nuredin Lushtaku dhe kjo pozitë do t’i ipet dikujt nga Partia e Drejtësisë.

Në këtë rifreskim pozitash në ekzekutivin e vendit, në kombinim për t’u bërë pjesë e strukturës qeverisëse është përmendur gjithashtu edhe emri i Kadri Veselit.

Megjithatë, deri më tani, askush nuk ka pranuar të flas zyrtarisht as në Partinë Demokratike e as në Aleancën Kosova e Re.