Uji Dea

Riza Halimi deputet deri në fund të vitit, më pas Shaip Kamberi

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Deputeti i deritanishëm në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, ka arritur që nga Kryesia të marrë pëlqimin që të vazhdojë mandatin e deputetit deri në fund të vitit 2014, dhe më pas ulësen e deputetit ta trashëgojë Shaip Kamberi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc.

Ky është rezultati i bisedimeve të zhvilluara në selinë e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Preshevë e cila zgjati për 6 orë e gjysmë për të caktuar bartësin e listës për zgjedhjet Parlamentare që do të mbahen në Serbi, ka mësuar portali Titulli.

Anëtarët e kryesisë të pranishëm në mbledhje, që përbëhet nga gjithsejtë 19 anëtarë, më në fund u morën vesh që Riza Halimi edhe njëherë të jetë bartës i listës së këtij subjekti të vetëm politik shqiptar që merr pjesë në zgjedhjet Parlamentare të 16 marsit.

Shaip Kamberi, sipas marrëveshjes së arritur do të duhej që detyrën e deputetit ta vazhdojë në vitin 2015, kur edhe Halimi do të duhej të lëshojë këtë post.

Vlen theksuar se Riza Halimi për herë të katërt kandidon për deputet popullor, përderisa Shaip Kamberi, ish kryetar i komunës së Bujanocit, tani kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc, për herë të parë pretendon ulësen e deputetit në parlamentin e Serbisë.

PVD me këtë rast do të dalë me një listë prej dhjetë kandidatëve, si bartës i saj do të jetë Riza Halimi, kurse me numrin dy Shaip Kamberi.

Hidromorava

Kush është Shaip Kamberi?

Ish kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, një jurist i diplomuar dhe me përvojë në këtë lëmi, në mesin e banorëve të Luginës njihet për zgjidhjen e shumë rasteve të paraqitura në zyrën e Këshillit për të Drejtat e Njeriut (KDNJ), që si shkak kishin shkeljen e të drejtave themelore të njeriut dhe pakicave.

Gjatë karrierës, veprimtarinë e tij, përveç në PVD, nga viti 1999 e zhvilloi edhe si kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut me seli në Bujanoc, derisa sa edhe u zgjodh kryetar i komunës së Bujanocit në vitin 2008-të.

Kamberi, nga vitit 2008 deri në vitin 2012-të drejtoi komunën e Bujanocit, ndërsa që nga humbja e zgjedhjeve në këtë komunë, mbeti i angazhuar vetëm si kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc.

I lindur më 15 tetor të vitit 1964 në Tërnoc të Bujanocit, ai shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Bujanoc, ndërsa në vitin 1989 doli Jurist i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Karrierën e tij politike e filloi në Partinë për Veprim Demokratik ku u anëtarësua në vitin 1990. Nga viti 1995 profesionalisht është angazhuar në degën e PVD-së në Bujanoc./Titulli.com/