UBT

Rifat Blaku – Nga fusha e Llapit në auditorët e Universitetit të Kosovës

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Nga Arif Ejupi – Në mesin e këtyre futbollistëve, vend të veçantë në historinë e futbollit llapjan zënë edhe Rifat (Rexhep) Blaku, Abdullah (Rizah) Vokrri dhe Hajrush (Rrahim) Rama. Të tre ishin jo vetëm futbollistë dhe gjyqtarë të dalluar, por edhe shembuj të shkëlqyer të përkushtimit ndaj dijes.

Ata arritën titujt më të lartë akademikë në fushat e tyre përkatëse, duke mbetur të lidhur ngushtë me sportin deri në fund të jetës. Përmes jetës dhe veprës së tyre u dëshmua se Llapi nuk nxori vetëm sportistë, por edhe intelektualë të klasit të parë, që frymëzuan breza të tërë me shembullin e jetës së balancuar mes sportit dhe dijes.

Klubi Futbollistik “Llapi” i Podujevës është ndër ekipet më të vjetra dhe më me traditë në Kosovë.

Ky klub gjatë historisë së tij, gati 93 vjeçare ka nxjerrë futbollistë të shumtë të cilët, me përkushtim dhe talent, kanë ngritur emrin e Llapit dhe të Kosovës në piedestal.

Ndër legjendat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në këtë histori veçohen emrat si : Fadil Vokrri, Esat Mehmeti dhe Shukri Pararada.

Krahas tyre, vlen të përmenden edhe futbollistët: Ejup Bekteshi, Bedri Muçolli, Fazli Llugaliu, Shaban Hajrullahu, Shaban Hajdari, Rifat Raçi, vëllezërit Hashim e Bislim Aliu, Sylejman Mehmeti (portier), Ahmet Haxhiu, Shefqet Osmani (portier), Nezir Halili (minoritar ashkali), Agim Berisha (portier), Selatin Vokrri, Shukri Shabani, Muhamet Vokrri, Idriz Mehmeti, Emin Simnica, Islam Ajeti, Emin Ajvazi, Islam Visoka, Izeir Mustafa, Basri Muçolli, Rifat Hajdari, Luan Salihu, Avni Stublla, Sabri Miftari, Agim Llugaliu, Tafil Ajvazi, Bejtush Bejta, Rrustem dhe Fehmi Podvorica, Rasim Ymeri, Isak Ibrahimi, Bedrudin dhe Xhavit Havolli, Fadil Kodraliu, Fidaim Konushevci (portier), Ragip Stublla, Adil Vokrri, Isa Blakçori, Naser Hyseni, Bekim Mulliçi (portier), si dhe shumë të tjerë që me dinjitet dhe krenari mbrojtën ngjyrat e kësaj skuadre.

Në mesin e këtyre futbollistëve, vend të veçantë në historinë e futbollit llapjan zënë edhe Rifat (Rexhep) Blaku, Abdullah (Rizah) Vokrri dhe Hajrush (Rrahim) Rama. Të tre ishin jo vetëm futbollistë dhe gjyqtarë të dalluar, por edhe shembuj të shkëlqyer të përkushtimit ndaj dijes.

Ata arritën titujt më të lartë akademikë në fushat e tyre përkatëse, duke mbetur të lidhur ngushtë me sportin deri në fund të jetës. Përmes jetës dhe veprës së tyre u dëshmua se Llapi nuk nxori vetëm sportistë, por edhe intelektualë të klasit të parë, që frymëzuan breza të tërë me shembullin e jetës së balancuar mes sportit dhe dijes.

Kësaj radhe, ky artikull synon të risjellë në kujtesë jetën dhe veprën e prof. dr. Rifat Rexhep Blaku, një prej figurave më emblematike të skuadrës së Llapit dhe të arsimit universitar në Kosovë.

Rifati lindi më 28 janar të vitit 1944 në Podujevë. Ai vinte nga një familje që për kohën shquhej për mikpritje, traditë dhe bujari në Llap e më gjerë.

Sherifi, gjyshi i Rifatit, gëzonte reputacion jo vetëm te të moshuarit, por edhe te rinia, sepse ishte nga të paktët që i kuptonte hallet dhe dëshirat e saj.

Meqë, shtëpia e Rifatit ishte afër stadiumit të Llapit, që në kohën kur ishte nxënës i shkollës fillore “Gjuro Gjakoviq” të Podujevës, ai ishte shikues i rregullt i kësaj skuadre.

Rifati një ditë, mes shpresës dhe frikës se do t’i refuzohej kërkesa nga gjyshi Sherifi dhe babai Rexhepi, kërkoi leje për t’u regjistruar në ekipin e Llapit.

Paraprakisht, rreth kësaj çështje kishte biseduar me axhën e tij, Ymerin, të cilin e llogariste mbështetës të sigurt.

Jahja Sahit Fusha, Bajram Jetullah Haxhiu dhe Ymer Sherif Blaku, njihen si lojtarët e parë shqiptarë të Klubit Futbollistik “Llapi” të Podujevës.

Edhe pse deri vonë kishte paragjykime dhe mendohej se vetëm “djemtë e prapët” luanin futboll, Rifati nuk u pengua nga familja.

Mirëpo, ai besimin e dhënë nuk e tradhtoi. Krahas shkëlqimit në fushë, shënonte rezultate edhe në mësime. Në Klubin e Llapit luajti në të gjitha pozitat, por mesfushën e kishte më për zemër.

Gazeta “Rilindja” në numrin e saj të datës 6 tetor 1963, ka paraqitur përbërjen e plotë të KF “Llapi” të Podujevës, në ndeshjen e zhvilluar në Gjakovë kundër KF “Vëllaznimi”.

Ajo që e bën këtë burim të veçantë është fakti se në skuadrën e Llapit, kanë luajtur vetëm katër shqiptarë: Ejup Bekteshi, Abdullah Vokrri, Shaban Hajrullahu dhe Rifat Blaku.

Në këtë Ligë të ashpër, të dominuar prej serbëve dhe malazezëve, emërtimet e klubeve si: Borci, Slloga, Buduqnosti, Remonti, Grafiçari, Metohija, Gragjevinari, Odbrana, Cërvena Zvezda, Rudniku, Rudari, Prizrenka, Radniçki e të tjerë, dëshmonin qartë ndikimin ideologjik dhe përpjekjet për të imponuar terminologjinë sllave edhe në sport.

Kjo nuk ishte rastësi, por pjesë e një politike të gjerë të asimilimit dhe margjinalizimit të shqiptarëve edhe përmes sportit.

Edhe emri i KF Llapi të Podujevës ishte deformuar në KF Llab. Në gazetën “Rilindja”, e vetmja gazetë në gjuhën shqipe e lejuar në Kosovë gjatë regjimit jugosllav – KF “Llapi” i Podujevës, paraqitet në mënyrë sistematike me emrin e sllavizuar “KF Llab” deri në vitin 1974.

UBT

Ky emërtim figuron në të gjitha raportet sportive, formacionet, rezultatet dhe analizat e ndeshjeve. Jo një herë, jo rastësisht, por çdo herë dhe qëllimisht.

Ky fakt konfirmon se sllavizimi i emrit nuk ishte një devijim teknik apo përkthim fonetik, por një politikë e qëllimshme redaksionale e diktuar nga regjimi, për të kontrolluar dhe zhveshur nga identiteti çdo institucion shqiptar, përfshirë edhe klubet e futbollit.

Vetëm pas demonstratave të ‘68-ës, dhe ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, që lejuan më shumë autonomi për Kosovën dhe përdorimin e emrave autoktonë shqiptarë në institucione, KF “Llapi” rifitoi emrin e tij të vërtetë në shtypin e kohës dhe dokumentet zyrtare.

Ky është një argumentet i rëndësishëm pse Rifat Blaku dhe bashkëlojtarët e tij të asaj kohe duhet të konsiderohen figura qendrore në historinë e KF “Llapi” të Podujevës.

Me gjithë gjendjen tepër të tensionuar dhe presionet e çdoditshme, Rifati me brezin e tij ia zbardhi fytyrën skuadrës së Llapit.

Ai, me lojën e tij të bukur, sidomos goditjet me kokë dhe shkëputjet në ajër, kënaqte shikuesit llapjanë.

Rifati, teknik dhe driblues i shkëlqyeshëm, herë-herë luante edhe si sulmues i majtë. Ai fanellën e Llapit e barti me dashuri e dinjitet deri në fund të viteve ’60, duke u përballur me padrejtësi të shumta nga regjimi.

Ish-nxënës të tij në shkollën tetëvjeçare dhe në gjimnaz, si prof. dr. Fatmir Sejdiu (President i Kosovës) dhe Zejnullah Zejnullahu (sekretar shumëvjeçar në shkollën “Ali Ajeti” të Sveçlës), edhe pse në moshë, e kujtojnë ende lojën e tij atraktive dhe gjuajtjet si prej katapulte me kokë.

Me lojën e tij vetëmohuese dhe cilësore, Rifati u bë motivim për shumë të rinj llapjanë.

Kudo dëgjoheshin fjalët: “Derisa mixha Sherë, burrë me zë, ka lejuar nipin e tij të luajë futboll, duhet lejuar edhe ne djemtë tanë.”

Rifati simbolizonte të riun llapjan, sportist dhe shkollar. Përveçse në Llap, ai luajti edhe në skuadrën e të rinjve të Krahinës së Kosovës, së bashku me legjendën Luan Prekazi.

Të gjithë habiteshin se si gjente kohë për futboll dhe studime. Rifati ishte sportdashës i madh.

Përveç futbollit, adhuronte atletikën, hendbollin, basketbollin, notin, mundjen, etj.

Madje, gjatë viteve 1975 – 1978 ishte drejtor i Klubit Basketbollistik “Elektricisti” të Prishtinës, me trajner Bardhyl Nushi.

Rifati dinte të programonte kohën. Ishte i lidhur si “mishi me thoin” me të vëllain, Muratin, dy vjet më të madh. Të dy punonin me vullnet natë e ditë për të arritur suksesin e dëshiruar edhe në shkencë.

Murati u bë profesor i Leksikologjisë në Fakultetin Filologjik, ndërsa Rifati i Gjeografisë ekonomike në Fakultetin Ekonomik. Të dy këto fakultete vepronin në kuadër të Universitetit të Kosovës.

Vëllezërit Blaku, gjatë punës së tyre si mësimdhënës universitarë, u përballën me sfida të shumta.

Në prill të vitit 1981, prof. dr. Murat Blaku, akademikët Ali Hadri e Rexhep Ismajli, prof. dr. Fehmi Agani, prof. dr. Ymer Jaka etj, u goditën nga i ashtuquajturi “diferencim ideo-politik”.

Ndërsa, Mr. Sc. Ukshin Hoti, (fati i të cilit edhe sot është i paqartë ) prof. dr. Muhamet Tërnava, Halil Alidema, Shemsi Reçica etj, u dënuan me burgim të rëndë vetëm pse ishin solidarizuar me studentët e Universitetit të Kosovës.

Prof. dr. Rifat Blaku, edhe pse mbretëronte gjendje e rëndë dhe ambient represiv, iu përkushtua thellësisht hulumtimit shkencor, duke botuar dhjetëra punime mbi demografinë, migracionin dhe riatdhesimin.

Ai do të kujtohet përjetësisht si njeri i fushës së gjelbër, si shkencëtar me vizion dhe politikolog i dalluar./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.