Uji Dea

Remitencat, “infuzioni” që vjen e shkon

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Remitencat janë një infuzion i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, por nuk mund të bëhen faktor zhvillimi nëse 70 për qind e tyre shkojnë për import, vlerëson për Telegrafin eksperti i ekonomisë, profesori Muhamet Mustafa.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, remitencat në Kosovë janë në vlerën 127.8 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në të cilën ka pasur 119.1 milionë euro dërgesa, del se bashkatdhetarët tanë kësaj here kanë qenë më dorëlëshuar.

Shumica e dërgesave vijnë nga vendet e BE-së, ku pjesëmarrjen kryesore e zë Gjermania me 34 për qind, e përcjellë nga Zvicra me 22 për qind, pastaj Italia me 8 për qind, Austria me 6 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Franca dhe Sllovenia me nga 4 për qind.

Mustafa shprehet se remitencat në Kosovë kanë ndikim të madh, sepse shërbejnë për të servisuar konsumin familjar e më pak për investime.

Uji Dea

“Një pjesë e remitancave shkon për edukim dhe një pjesë tjetër, rreth 17 për qind, shkon në fushën e shëndetësisë. Si pasojë e gjendjes jo të mirë në shëndetësinë kosovare, bashkatdhetarët nuk kursejnë para që të afërmit e tyre të shërohen”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, Kosova është vend i cili importon produktet e konsumit të gjerë. Mjetet të cilat vijnë nga remitencat në Kosovë, nuk ndikojnë në rritjen ekonomike të Kosovës, sepse ato kalojnë në vendet prej nga vijnë produktet e konsumit, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të atyre vendeve.

Mustafa ka deklaruar se në ekonomi ndodh një efekt i cili njihet si efekt i multiplikuesit, apo i shumëzuesit: një euro që konsumohet, bën një rrethxhirim të pesëfishtë në ekonominë e një vendi, e cila gjë krijon një nxitje të zhvillimit ekonomik.

“Në qoftë se ajo euro nuk e bën këtë rrethxhirim në Kosovë, po në vendet prej ku importohen produktet, efektet janë atje e jo në Kosovë. Problemi të cilin e ka ekonomia kosovare është riindustrializimi. Efektet në investime, në zhvillim, do të vijnë në shprehje vetëm nëse krijojmë një strukturë ekonomike përmes riindustrializimit, për çka unë jam angazhuar disa herë gjatë seancave parlamentare në Kuvend, por edhe në kohën kur e kam udhëhequr institutin RIINVEST”, tha Mustafa. /Telegrafi/