Rekuiem për një ëndërr

Nga Ilir Mirena- Shkrimin e Veton Surroit duhet lexuar si një manifest të urrejtjes dhe pasqyrim fatkeq të një kohe të perënduar.

Ka disa ditë që në gazetën e tij personale, Kohën Ditore, Veton Surroi ka filluar të hedhë dritë në errësirën e arkivave sekrete të Kosovës. Kur vogëlsia ime po shkarravit këta rreshta, seria e shkrimeve të tij ende nuk ka përfunduar. Nuk e ndiej të nevojshme të pres fundin e enciklikës së tij drejtuar secilës shtëpi të Kosovës, sepse, që në pjesën e parë të shkrimit të tij mund të lexoni edhe pjesën e fundit të tij.

I vetëdijshëm për mungesën e rëndesës që kam edhe në zhvillimet më minore në këtë vend, kjo sigurisht nuk më privon nga e drejta për ta dhënë mendimin tim.

Po e bëj këtë sqarim për ndokënd që mund të pyes se pse futem në debate të tilla të rezervuara vetëm për korifenj të mendimit lokalë, siç është në këtë rast VS.

Është hera e parë që jam duke i lexuar shkrimet e tij pas një kohe të gjatë. Edhe pse kohë pas kohe ai boton fjalime mendjeshitëse, të cilat i mban në do konferenca të çuditshme – ku jepet mendimi për çështjet për të cilat nuk do të pyeteni kurrë – ndalem mbi të aq kohë sa zgjat shfletimi i një faqeje gazete. Shumë moti nuk gjej diçka atraktive në ato që thotë dhe shkruan. Asgjë pikante.

Por, reagimi i fundit është një shpërthim i tij. Është shpërthimi i një arrogance, mllefi të shumë viteve, mendimit se gjithmonë kemi të drejtë, se e kemi çelësin e të vërtetës dhe një inat kryeneç provincial.

S’do mend se kemi drejt që të reagojmë. Secili, thonë relativistët, ka të drejtë nga këndvështrimi i tij dhe gabim nga këndvështrimi i parë nga ana tjetër. Por, nuk është e drejtë, e as e moralshme që atë reagim ta shfrytëzosh për një sulm frontal kundër të gjithëve. Pikërisht këtë bën VS. Që në shkrimin e parë.

Fitili i shpërthimit ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell me intervistën e tij, ku përshkruante një darkë dhe një zvarritje gjatë asaj darke. Një zvarritje që zanafillën e kishte dekada më herët, e po ashtu as fundin nuk do ta ketë në atë darkë. Një zvarritje sa një jetë njeriu. Një dost i imi më tha se VS meriton Çmimin Nobel për Zvarritje Politike, nëse do të kishte të tillë.

VS, pas humbjes së Partisë së tij Ora, publikisht kishte deklaruar se hiqte dorë nga jeta politike. Një diçka që duhet respektuar, duke përfshirë edhe privatësinë e tij. Por, këtë duket të mos e ketë pasur sinqerisht. Fundja, këtë e pohon edhe vetë kur tregon se si i tunduar nga shansi presidencial, një telefonatë i kishte mjaftuar për të lënë përgjysmë perëndimin e diellit në brigjet e Qerretit.

Dhe sulmin e fillon ndaj kryeministrit të vendit, shpalos inate që nga Konferenca e Rambujesë, partisë të cilën ai e drejton, ku bëj pjesë edhe unë, sulme dhe etiketime ndaj deputetëve dhe mediave të caktuara, përdor rastin e Fatmir Limjat për qëllime lehtësisht të deshifrueshme (para një kohë nga gazeta e tij kundër Limës ishte udhëhequr një fushatë e neveritshme shpifjesh), e deri te një krahasim vulgar fanonian i situatës së sotme politike në Kosovë me zhvillimet politike në Amerikën Latine gjatë viteve ’60 e ‘70.

Për të gjithë ata që e njohin më për së afërmi, apo qoftë vetëm nëse kanë përcjellë shkrimet e tij, kjo nuk paraqet ndonjë risi. I tillë ka qenë edhe më herët ndaj cilitdo. Vetëm kujtojeni karikimin që i bënte Presidentit të ndjerë Rugova me ato veshjet e brendshme të shoferit në plazhin e Durrësit.

Pse e kujtoj këtë detaj?

Sepse ai do të jetë i tillë ndaj secilit që do të jetë në pushtet, qoftë dje Ibrahim Rugova, sot Hashim Thaçi, e kushdo qoftë tjetër nesër. Jo se është kundër rrymës, apo nga shpirti kryengritës. Aspak. Konformizmi është natyrë e tij politike. Por, ngase sot vetë nuk është aty. Mungesa e protagonizmit në skenën politike të vendit, e bën që të ysht secilin që është në opozitë duke i ofruar partneritet dhe shërbim falas përmes mediumeve të tij, Kohës Ditore dhe KTV-së.

Mendoj se reagimi dhe arsenali i tij ofendues është kurthim i tij, por edhe i një mendësie jo pak të përhapur në Kosovës, se me anglishten tuaj të përkryer, me keqpërdorim të medive në emër të lirisë së fjalës, me degustimin e venave dhe njohjen e frutave të detit, apo me bisedat e gjata plot intelektualizëm e gogësima snobizmi, pas ndonjë darke të gjatë mund të bëheni partner i pazëvendësueshëm me të huajt dhe faktor vendimmarrës në këtë vend. Po. Në të 90’tat, kjo edhe ka qenë e mundur. E dhimbshme, por sot këtë e vendos dikush tjetër. Qytetarët janë ata.

Prandaj, VS është pasqyrim fatkeq i një kohe që moti ka perënduar. Shkrimin e tij duhet lexuar si një manifest të urrejtjes. Assesi ndryshe. Manifestim i një njeriu që është i bindur se meriton më shumë. Bash për këtë, shkrimeve të tij edhe nuk do t’u shkoj deri në fund. Është interneti që jep mundësinë për përzgjedhje më të rafinuar për lexim ditor.

Situata e tij të kujton personazhin e pafat, Sara Goldfarb, në filmin e Darren Aronofskit, Rekuem për një ëndërr. Meqë ka kohë që nuk e kam parë këtë film, m’u kujtua si për mjegull. Për të qenë më i saktë në ngjashmëritë, përshkrimin e saj më të plotë e rilexova në internet.

Sara, një vejushe në moshë, jeton e vetme në Brooklin, kalon kohën pranë televizorit, derisa një ditë merr një telefonatë se do të jetë pjesëmarrëse në njërin nga programet e saj të preferuara. Por, nuk ia thonë se kur, vetëm se duhet të presë. Pas asaj telefonate, ajo behet e obsesionuar me trupin e saj dhe për të rikthyer rininë e saj. Ajo nxjerr nga dollapi një fustan të moçëm ngjyrë të kuqe, i cili nuk i përshtatet më moshës së saj të shtyrë. Që trupi i saj të futet brenda atij fustani, ajo ia nis një diete duke përdorur amfetamina. Përkundër këshillës së të birit se do të bëhet e varur nga amfetaminat, ajo insiston se mundësia për t’u paraqitur në televizion i ka dhënë asaj një motiv për të jetuar.

Sarës ftesa nuk i mbërrin kurrë. Ajo fillon të ketë halucinacione se është personazhi kryesor brenda shout televiziv dhe njëkohësisht ndjehet e kërcënuar nga frigoriferi i saj, që i transformohet në një përbindësh. Derisa e tillë përfundon në një klinikë mentale.

Ngjashmëritë mes personazheve të mia në këtë shkrim le të mbesin interpretimi juaj i lirë. Them se reagimi i VS është një rekuiem i tij për një ëndërr. Një ëndërr presidenciale.

Autori është Zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne, janë personale.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).