Reforma, partitë politike dhe koalicionet
Nga Përparim Sadiku – Shtetit dhe shoqërisë kosovare i duhen zgjedhje të lira parlamentare mbi bazën e një reforme rrënjësore, madje mbajtja e zgjedhjeve të mirëfillta dhe pa keqpërdorime të votës së qytetarit është edhe një nga kushtet e ecjes së Kosovës drejtë integrimit në strukturat euro-atlantike.
Përpjekja për të mbajtur zgjedhje sa ma shpejtë dhe pa reformë të mirëfilltë zgjedhore mund ta degradoj procesin dhe ti bllokoj institucionet e shtetit, kur kem parasysh rastin e zgjedhjes së kryetarit të shtetit, kur patjetër në Kuvendin e Kosovës duhet me qenë në sallë dy të tretat e deputetëve, e që zgjidhja më e mirë do të ishte që kryetari të zgjidhet nga populli, por si duket presidentes Atifete Jahjages nuk do t’ia luajnë kulltukun për një mandat të plotë ligjor, edhepse marrëveshja nuk ishte e tillë, por ja që legjitimitetin e Kuvendit e ka dhe se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta kontestoj, ndërsa të vetmit janë deputetët e Kuvendit të Kosovës që mund ta rrëzojnë presidenten…
Kushtetuta e shtetit mund të amandamentohet vetëm për rastin e vazhdimit shtesë edhe për një mandat të rezervuar për minoritetet si dhe kërkesës për përfshirje me nga një vend të rezervuar për malazezët dhe kroatët në Kuvendin e Kosovës, madje kërkesa e minoriteteve po bazohet në atë se kinse mandatet e kuvendeve nuk kanë qenë të plota, kjo realisht është kërkesë në vazhdimësi për hapjen e Kushtetutës së shtetit të Kosovës që buron nga Pakoja e Ahtisarit, që tashmë pakoja nuk ka kuptim…
PDK-ja do e humb primatin…
Thotë një fjalë popullore se “shtëpia shembet nga brenda”, madje kështu edhe po ndodhë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ndarja e rrugëve mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselin në njërën anë dhe Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit në anën tjetër është fillim i fundit i humbjes së fuqisë së parë politike në nivel vendi të Partisë Demokratike të Kosovës, madje procesi demokratik edhe e pranon si model që një parti politike lidere në skenën politike të qëndroj dy mandate qeverisëse, kjo edhe është e shëndetshme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës…
Ndarja e Partisë Demokratike të Kosovës po ndodh për dy arsye: njëra arsye e cila ka të bëjë me koncepte ideo-politike, pra diferencimi politiko-ideologjik, për faktin se PDK-ja synon të profilizohet si e djathtë, atëherë këtij subjekti i duhet patjetër që t`i largojë nga struktura majtistët (ish të burgosurit politik), që realisht edhe janë themeltarët e ndërtimit të PDK-së, kurse arsyeja tjetër ka të bëjë me raporte mes shokësh të luftës dhe të paqes, apo thënë ndryshe ikje nga bashkëfajësia (që mund të cilësohet si tradhti). Këtu nuk flitet për proces të brendshëm demokratik, por ka të bëjë me përjashtim në heshtje apo ikje “me vullnet”!… ndërsa një PDK-je vërtet djathtiste i duhet të pushoj së udhëhequri me përgjegjësi qeverisëse për vendin përderisa ajo të reformohet rrënjësisht dhe ti riorganizoj radhët e koncepteve të djathta…
Një fjalë popullore thotë “mos ja ndërto kurthin dikujt tjetër, ngase në atë kurth do të biesh edhe vet”. E njëjta gjë po ndodh edhe me PDK-në vetëm se kohërat ndryshojnë, pra fati i LDK-së dikur po e përcjell edhe PDK-në sot!..
LDK-ja do të rikthehet si e parë në fatkeqësinë e PDK-së…
Rivaliteti politik mes ish-presidentit të Kosovë Fatmir Sejdiut dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafës ka të bëjë më shumë me shfryrje inatesh të primatit politik mbi LDK-në se sa që mund të pritet një reformë rrënjësore me këta dy personalitete, reformë kjo që i duhet LDK-së, por i duhen me koncept dhe njerëz të rinj. Meqenëse LDK-ja gjatë zgjedhjeve të brendshme politike nuk pati fatin që në krye të saj ta vë një koncept të ri politik, pra një kryetar karizmatik, atëherë me Isa Mustafen kryeministër i mbetët që të jetë e hapur për kuadro profesional që i nevojitën për të udhëhequr suksesshëm me shtetin.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të rikthehet si partia e parë në nivel shteti, por jo në suaza të një oferte ndryshe për të udhëhequr shtetin karshi interesave të qytetarëve, por në fatin e keq që po e përcjell PDK-në, të ndarjes së PDK-së.
Do të mbetët sfiduese për LDK-në dhe Isa Mustafën se si do t’ia bëjë me qëndrimin e “ngurtë” karshi minoriteteve, a do pranoj apo jo që minoriteteve t’iu vazhdohet edhe një mandat i rezervuar në Kuvend, madje kur i kem parasysh rrethanat politike dhe kërkesën e amerikanëve edhe për një mandat shtesë kjo s’ka dyshim se do të ndodh…
**********
Partitë tjera politike, t`i quaja kështu minore karshi dy partive LDK-së dhe PDK-së, duhet të bëjnë punë për ti ruajtur votat që i kanë e dikush me shpresë për ti rritur, pra ato parti minore duhet hapur për kuadro dhe njerëz të rinj, madje edhe disa nga partitë parlamentare sot prapë nuk duhet shmangur koalicioneve paraprake për të synuar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
E veçanta në preferenca të zgjedhjes për të votuar nga ana e qytetarit, sidomos nga partitë parlamentare që janë sot, përfshi këtu edhe partinë e Fatmirë Limajt, e cila për këto zgjedhje parlamentare do funksionoj në këshille inicuese për shkakun e kohës së shkurt për të mbajtur kuvend, e që si iniciativë ajo ka komunën e Malishevës, pra të gjitha kanë modele në nivelet komunale për të treguar se si udhëheqin. Pra, populli mund ti ndëshkoj apo privilegjoj varësisht nga përformanca e udhëheqjes së tyre në nivel komunal, edhepse dallojnë përgjegjësitë e udhëheqjes me nivelin qendrorë.
Koalicionet paszgjedhore
Të gjitha partitë politike që fitojnë garën për të qenë në Kuvendin e Kosovës janë favoritë për koalicione, përjashto Vetëvendosjen e cila nuk duhet me asnjë kusht që të jetë pjesë e ndonjë qeverisje, madje ajo edhe mund të udhëheq një ditë shtetin kur do jetë parti e parë, por paraprakisht fuqia e saj duhet ndërtuar nga baza që janë nivelet komunale.
Koalicionet më të mundshme dhe më natyrale janë mes LDK-së AAK-së, AKR-së (nëse hyn në kuvend) dhe minoritetet, ku këtu nuk bënë përjashtim as partia e Fatmir Limajt, në raste tjera të papritura apo thënë ndryshe mos funksionimit normal të Kuvendit, atëherë si opsion i mundshëm për të dalë nga kjo gjendje mund të jetë një koalicion mes dy partive rivale për primat në nivel vendi mes LDK-së dhe PDK-së…


