UBT

Referendumi i parë shqiptar në Kosovë u mbajt në mënyrë dinjitoze

/ 10 minuta lexim

Nga Rifat Blaku – Në mënyrë më të përshtatshme për kohën rrumbullakohet procesi i nisur më 2 korrik të 90- shit, kur ishte shpallur Deklarata Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, ajo e 7 shtatorit 1990 e Kushtetutës së Kaçanikut. Më pastaj, në bazë të Ligjit të Kuvendit të Kosovës ishin organizuar zgjedhjet e para parlamentare më 24 maj 1992.

Ngjarja e stuhishme rreth shthurjes së përgjakshme të ish- Jugosllavisë ishin shprehur në mënyrë të veçantë mbi supet e shqiptarëve dhe fatit historik të tyre. Të gjendur në udhëkryq dhe në mëshirën e askujt shqiptarët bëjnë përpjekje të mundimshme për sigurimin e një pozite të re kushtetuese të Kosovës atëherë në federatën- konfederatën jugosllave, bëjnë përpjekje dhe angazhohen për shprehjen e lirë të vullnetit të popullit. Një ngjarje politike e rëndësisë së veçantë me pasoja largvajtëse për Kosovën dhe shqiptarët pa dyshim se është mbajtja e Referendumit për Kosovën shtet Sovran dhe të pavarur në shtatorin e viti 1991. Këtu përpiqemi t’i sistemojmë disa nga kujtimet e atyre ditëve në organizimin dhe mbajtjen e këtij akti tepër të rëndë- sishme historik. Pas suprimimit të dhunshëm të Kuvendit të Kosovës nga ana e Serbisë, në Kosovë ishin krijuar partitë e para politike dhe sistemi pluralist politik..

Në mungesë të organeve të Kuvendit të Kosovës një punë të rëndësishme e kryente Këshilli i formuar Koordinues i Partive Politike të Kosovës. Këshilli i Koordinues i Partive Politike kishte marrë vendim politik për organizimin e Referendumit popullor me të cilin Kosova do të nxirrte një pozicion të barabartë me ish- republikat e tjera të ish- Jugosllavisë. Për këtë qëllim Këshilli kishte emëruar një Komision Qendror për organizimin dhe mbajtjen e Referendumit. Komisioni kishte këtë përbërje: 1. Fehmi Agani, 2. Fatmir Sejdiu, 3. Rifat Blaku, 4. Hivzi Islami, 5. Ramush Tahiri, si dhe Ejup Statofci e Ismet Salihu nga Komisioni Kushtetues i ish- Kuvendit të Kosovës. Këta dy të fundit ndërkohë ishin tërhequr nga puna e Komisionit. Pëlqimin për përbërjen e këtij Komisioni (nëpërmjet Fehmi Agani të ndjerë) e kishte dhënë edhe kryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës Ilza Ramajli. Më kujtohet se Këshilli Koordinues i Partive politike të Kosovës përbëhej nga: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Ali Aliu, Ramush Tahiri, Veton Surroi, Shkelzen Maliqi (vetëm në 3 mbledhje) Reshat Nurboja. Ky Këshill mbledhjet për çështje të karakterit të përgjithshëm i mbante në zyrat e LDK-së, ndërsa disa mbledhje të karakterit të veçantë i kanë mbajtur në shtëpinë e të ndjerit prof.dr. Fehmi Agani e ndonjë edhe në shtëpinë e prof.dr. Ali Aliut. Kumtesat për medie nga punimet e Këshillit punues i përgatiste dhe i destinonte Ramush Tahiri.

Si të mbahet Referendumi pa ndërhyrjen e policisë serbe? Gjatë muajve gusht e shtator 1991, Komisioni Qendror për organizimin e Referendumit ka mbajtur 4 mbledhje. Mbledhjet janë mbajtur në selinë e Partisë Fshatare të Kosovës. Dihet se çfarë ishte atmosfera politike dhe interesimi i policisë serbe gjatë atyre ditëve. Që në mbledhjen e parë, më kujtohet, kemi diskutuar jo vetëm për anën politike, por edhe për atë organizative. Duke pasur parasysh, gjithnjë në kontekst kohe, realitetin e ri, tendencat e zhvillimeve politike dhe strategjike në ish- Jugosllavi preokuponte çështja e dilemës dhe problemit se si të mbahet referendumi dhe t’i shmangemi ndërhyrjes të soldateskës serbe, e cila nën pretekstin se është provokuar mund të rrisë gamën e krimit mbi popullin e Kosovës. Në anën tjetër, duhej të siguronim legjitimitetin e vullnetit të deklaruar të popullit me referendum se më nuk mund të jetojmë nën Serbi e me Serbinë. Në po këtë mbledhje është folur edhe për formulimin e pyetjes për Referendum, si dhe për realizimin teknik të formularëve.

Në mbledhjen e parë unë u caktova të kontaktoj me të ndjerin prof.dr. Ejup Statovci për ta njoftuar atë se duhej t’i bashkëngjitej punës së Komisionit. E takova të nesërmen përballë ndërtesës së Radio Prishtinës afër Rektoratit. Pasi e informova për kërkesat e anëtarëve të Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ai shfaqi qëndrimin e tij të rezervuar jo vetëm për mënyrën e informimit, por edhe për disa çështje organizative, metodën e punës dhe përbërjen e Komisionit. Për shkak të përgjimeve dhe përcjelljeve nga organet e sigurimit shtetëror serb, bëhej puna edhe në konspiracion, ndërsa në periudhën mes njërës dhe mbledhjes tjetër mbaheshin edhe takime veç e veç me anëtarët e Komisionit. Këtë punë e kryente anëtari një i ri e më vital dhe me pak i dyshuar për policinë, gazetari Ramush Tahiri. Në mbledhjen e tretë, pos tjerash, kemi biseduar, përveç për zhvillimet aktuale edhe për pasojat e mundshme largvajtëse që mund t’i sillte Referendumi, si dhe për formulimin definitiv të pyetjes për Referendumin. Me sa më kujtohet, për formulimin e përfundimtar dhe ekzakt të pyetjes kishte edhe propozime të tjera. Më kujtohet për disa propozime të bëra nga i ndjeri Fehmi Agani dhe të tjerat nga Ramush Tahiri. Tekstin definitiv e kishim miratuar edhe me përkrahjen e kryetarit të atëhershëm të Kuvendit Ilaz Ramajli (me të cilin në Slloveni kishte kontaktuar F.Agani).

Hidromorava

Përllogaritja e elektoratit është bërë në mënyrë profesionale Në njërën nga mbledhjet është diskutuar edhe çështja e kontingjentit me të drejtë vote të popullsisë mbi 18- vjeçare të Kosovës. Aq më parë kur në atë vit shqiptarët kishin refuzuar, për shkaqe të njohura, pjesëmarrjen në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, familjeve dhe ekonomive shtëpiake të organizuar nga Enti Federativ i Statistikave. Bile për të joshur shqiptarët që të marrin pjesë në atë regjistrim në fillim të atij viti në selinë e LDK-së kishe ardhur vetë drejtori i EFS të ishJugosllavisë. Në takim i kishin dhënë përgjigjen në ekuivalencë me situatë e përgjithshme dhe raportin Kosovës -SerbiJugosllavi. Përllogaritja e elektoratit të Referendumit është bërë në mënyrë shumë të sigurt profesionale nga anëtarët me kompetencë të përfillshme ndërkombëtare shkencore (në veçanti Hivzi Islami dhe Rifat Blaku). Më kujtohet se formularët (maketat e pyetjeve) janë bërë në lokalet e revistës “Ora”. Ramush Tahiri (vetë i dyti)- për shkaqe sigurie, pa prezencën e asnjë daktilografisti, kishte shtypur formularët e parë. Dihet se çfarë ka qenë pyetja. Formularët janë shtypur në disa shtypshkronja, si në “Dukagjin”. Disa në Prizren e gjetiu. Në barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë rreth mbarëvajtjes së Referendumit kishin këshillat lokale komunale për referendum. Sikundër që dihet, përkundër të gjitha vështirësive të shumta të kohës së Referendumit për Kosovës shtet sovran dhe i pavarur kishin votuar 87 % të popullsisë, ndërsa për Kosovën e pavarur kishin votuar 99.87%. Raporti përfundimtar i rezultateve të Referendumit është shtypur në zyrat e korrespondenturës së “Vjesnikut”. Është shtypur me makinë (është daktilografuar).

R. Tahiri ua ka shpërndarë rezultatin e Referendumit gazetarëve të Radio Zagrebit. (Shefki Uka, Nadire Vllasi, Behxhet Barajliu, Llukman Halili, etj), prej nga pastaj është shpërndarë në të gjitha mediet elektronike, etj. Ishte ky referendumi i parë në historinë e shqiptarëve, i cili u zbatua në mënyrën më dinjitoze me seriozitetin dhe pjekurinë më të madhe politike dhe tregoi qartë mundësinë e organizimit dhe mobilizimit dinjitoz të shqiptarëve kur është çështja te aspiratat e tyre historike, mesazhi i këtij Referendumi ishte i qartë. Prej atij momenti asnjë strukturë politike e as ndonjë tjetër organizative nuk ka komunikuar me Serbinë, por kanë filluar të ndërtohen dhe zhvillohen struktura të reja vetjake që Serbia do t’i quajë paralele. Do të fillojë një realitet krejtësisht i ri. Kosova do të fillonte organizimin e mëvetë- sishëm, të pavarur, por jo e lirë në sistemin arsimor, shëndetësor, në sistemin financiar, etj.Në atë kohë,sikundër dihet, ishte ngritur edhe platforma politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ishJugosllavi, ku merrnin pjesë 11 parti me tri opsione për momentin e atëhershme të zbatueshme. Referendumi i shqiptarëve të Kosovës kishte refleksion ndikimi edhe tek shqiptarët në Maqedoni dhe në Serbi (Preshevës, Bujanoc), të cilët më pastaj do të mbajnë referendum për pozicionin e tyre politik. Duket theksuar se përkundër rrethanave tejet të rënda nën mbikëqyrjen rigoroze të administratës dhe policisë serbe, Referendumi pati mbarim të mbarë, ndonëse sa më kujtohet kishte një të vrarë në Drenicë gjatë rezistencës për arrestimin e tij me material të Referendumit, si dhe disa raste ku janë zënë disa persona me materialin e Referendumit nga policia. Rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës (në Slloveni) më 18 tetor 1991 me ç’rast është shpallur Republika e Kosovës me kryeministër Bujar Bukoshin. Kështu në mënyrë më të përshtatshme për kohën rrumbullakohet procesi i nisur më 2 korrik të 90-shit kur ishte shpallur Deklarata Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, ajo e 7 shtatorit 1990 e Kushtetutës së Kaçanikut. Më pastaj në bazë të Ligjit të Kuvendit të Kosovës ishin organizuar zgjedhjet e para parlamentare më 24 maj 1992. Me aktin e Referendumit fillon realiteti i ri, ngase ky dokument do të përcillet në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe qendrat vendim-marrëse politike rreth krizës në ish- Jugosllavi dhe sikundër që dihet ajo shërbeu edhe si një dokument- argument për komisionet e ndryshme që do të trajtojnë krizën e përgjakshme dhe ndarjen e ish- Jugosllavisë. Sidoqoftë, me Referendumin e parë të shqiptarët të Kosovës fillojnë të sendërtohen synimet historike të popullit shqiptar. Kjo datë do të shënohet në vend të veçantë në historinë më të re të shqiptarëve.

(Autori ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit, aktualisht profesor universitar i Ekonomisë)

(Kosova Sot)