RCCOLA

Rasti i fundit?

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Blerim Shala- Nuk kemi kohë më të presim. Status Quo në Veri po na e zë frymën në të gjitha aspektet e mundshme.

Që prej disfatës së madhe në ICJ (Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë), në korrikun e vitit 2010, e cila zhbëri shpresat e Serbisë që së paku e Drejta Ndërkombëtare do të ofrojë prehje për qëndrimin qyshmoti të diskredituar dhe të diskualifikuar të Serbisë për të drejtën e saj mbi Kosovën që tashmë kishte pësuar humbje në rrafshin politik dhe ushtarak, Beogradi ka qenë ai që fund e krye ka përcaktuar orarin, dinamikën dhe përmbajtjen e bisedimeve me Prishtinën. Për më shumë, ky fakt nuk është mëdyshur as prej Prishtinës dhe as prej Brukselit.

Beogradit ta zëmë, i duheshin dofarë bisedimesh teknike sa për sy e faqe (lexo: imazh ndërkombëtarë), autoritetet serbe pajtoheshin me Marrëveshjet e arrira poashtu sa për të hequr qafe një telashe tjetër (lexo: pengesë), në rrugëtimin e vet kah Bashkimi Evropian, i cili pos perspektivës politike shumë të domosdoshme, sjellë edhe para të majme, edhe më të domosdoshme, në trajtë të përkrahjes financiare për ekonominë e dërrmuar gati të bankrotuar të Serbisë.

Hesapet a llogaritë që i kishe bërë Beogradi ishin lehtë të lexueshme: Jep sa më pak kur bëhet fjalë për bisedimet me Prishtinën, edhe këtë pak ofroje sa më vonë, për të marrë sa më parë dhe sa më shumë prej Brukselit, i cili me emrat kryesorë përfaqësues që ka sot, jorrallë duket më i interesuar se vetë Beogradi për ta shndërruar këtë shtet me trashëgimi aq të rëndë historike dhe politike në një rrëfim të suksesit, duke ia mësyrë me shpejtësi portave të Bashkimit Evropian.

Kur të këqyrim çfarë ka ndodhë në këtë rrafsh tash e gati dy vjet, lidershipit serb nuk i kanë shkuar punët keq. Përkundrazi. Hiç këtu Marrëveshjen për IBM-in, të gjitha të tjerat kanë dashtë të arrihen madje para se të përcaktohej statusi i Kosovës (në vitin 2008), në ato Grupet e përbashkëta punuese që i udhëhiqte UNMIK-u prej vjeshtës së vitit 2003. Beogradi dha pra fare pak kah Prishtina, mori goxha shumë prej Brukselit, statusin e shtetit kandidat për inkuadrim në BE, tutje mbeti me të gjitha strukturat në Veri të Kosovës dhe tani synon që temën e largimit eventual të tyre, e cila aktualisht (së paku) njeh një bashkim të qartë midis Prishtinës, Brukselit, Washingtonit dhe kryeqendrae të tjera perëndimore, ta shfrytëzoj maksimalisht për të marrë si kompensim krijimin e një entiteti të veçantë në Veri, i cili do të mundësonte që Serbia të jetë e pranishme përjetë e mot në këtë pjesë të Kosovës.

Liderët serbë synojnë, gjë që po shihet fare qartë, t’i ndajnë disi kaptinat e bisedimeve teknike në Bruksel dhe atë të largimit të strukturave të sigurisë nga Veriu. Ata tani duan që bashkëpunimin e premtuar me Brukselin dhe Prishtinën në zbatimin e Marrëveshjeve të dialogut teknik, ta kompensojnë me marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për hyrje në BE. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, atëherë duan ta shtyjnë sa më vonë temën e Veriut, në ndërkohë të blejnë kohë dhe të marrin përkrahjen e domosdoshme financiare për problemet e mëdha në vend, ashtuqë në rrethana më të volitshme, në pranverën e vitit 2013, të pranojnë disi temën e dialogut të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, shumë të kërkuar nga ana e Perëndimit.

Llogaritë e Beogradit supozojnë që nuk do të jetë rendi që pala kosovare në pranverën e vitit vijues do të jetë e gatshme për bisedimet e këtilla, të paralajmëruara (përndryshe) tash e sa kohë, sepse viti 2013, në çdo variant do të jetë vit zgjedhor në Kosovë, e dihet që politikanët nuk kanë aspak dëshirë që në një vit kur maten forcat nga vota e qytetarëve, të merren me temat e ndjeshme, çfarë për kosovarët është kjo e krijimit të marrëdhënieve fare të reja, të panjohura në historinë e re të Kosovës dhe Serbisë.

Fundamenti

Zgjate Zot – kjo është politika serbe karshi Kosovës, kur bëhet fjalë për praninë e Serbisë brenda Kosovës, sepse kështu ne të gjithë, deshëm apo nuk deshëm, qofshim qeveritarë, opozitarë apo veç qytetarë të thjeshtë, jemi pengje të Veriut, të këtyre raporteve të këqija me Serbinë.

Shkurt e shqip pra: Nuk kemi kohë më të presim. Status Quo në Veri po na e zë frymën në të gjitha aspektet e mundshme, si kur bëhet fjalë për funksionimin e shtetit të Kosovës, fuqizimin e pozicionit ndërkombëtarë të vendit, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimi në OKB, krijimin e një ambienti shumë më të mirë për investime të jashtme, më në fund, përmirësimin e jetës së qytetarëve të rëndomtë të Kosovës.

Te këto konkludime nuk është fare vështirë të mbërrihet. Secili prej nesh në një mënyrë apo tjetrën e di këtë, e përjeton këtë fat përditë, dhe frustrimet e veta të shumta provon t’i adresojë disi duke kërkuar, në masë të madhe, shpëtim me ‘ilaçe’ të gabuara, të cilat qyshmoti janë me afat të skaduar.

Prishtina zyrtare, politika kosovare në përgjithësi, ka mbërri në ditën kur duhet me këmbëngulje të kërkojë që tema e normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë të shtrohet sa më parë, me Agjendë fare të qartë dhe me afat kohor i cili njeh muaj dhe jo vjet në trajtë të një procesi të ri tranzitor.

Përpjekjet e tashme të Beogradit zyrtar për një tjetër shtyrje të kësaj çështjeje, me arsyetime dhe justifikime të shumta, meritojnë gjithsesi një kundërpërgjigje shumë të prerë, e cila do të duhej t’i bashkonte të gjithë faktorët relevantë politikë në Kosovë.

Kjo kundërpërgjigje kërkon përkrahjen e Brukselit dhe Washingtonit për hapjen e menjëhershme të kësaj teme. Ky është ai momenti i pritur. Nëse humbet edhe ky rast, atëherë, do të jetë (fatkeqësisht) lehtë e parashikueshme që do të jetë e pamundur që gjërat të kthehen mbarë në Veri. Dhe jo vetëm në Veri.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)