Uji Dea

Rapuca: Pallavrat e LDK-së nuk mund të shkaktojnë huti në opinionin gjilanas

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Ky Ramiz Ramadani i LDK-së me krejt LDK-në, për 8 vjet me radhë, nuk patën bërë asgjë për bujqësinë e Gjilanit, e tash po mundohen me pallavra me shkaktua huti në opinion, se gjoja këtyre u paska plasur zemra për bujqësinë. E mira e kësaj pune është se qytetarët e sidomos fermerët e mbajnë mend atë periudhë, e cila ishte krejtësisht shterpë dhe e krahasojnë me këtë të sodit, kur janë duke i gëzuar të mirat e saj ka thënë në përgjigjen e tij nga akuzave të LDK-së, Nazmi Rapuca drejtor i bujqësisë.

Nazmi Rapuca nuk e ka kursyer Ramiz Ramadanin për akuzat që bëri një ditë më parë në adresë së drejtorisë së bujqësisë dhe të këtij sektori për mos angazhim dhe realizim të projekteve.

Rapuca reagimin e tij e nisë me një batutë: Një herë një shtëpiak i mirë kishte thënë: “Nuk po mërzitem që më ndodhi ky rast, por po mërzitem kush vjen me më pa”.

“Ky Ramiz Ramadani i LDK-së me krejt LDK-në, për 8 vjet me radhë, nuk patën bërë asgjë për bujqësinë e Gjilanit, e tash po mundohen me pallavra me shkaktua huti në opinion, se gjoja këtyre u paska plasur zemra për bujqësinë. E mira e kësaj pune është se qytetarët e sidomos fermerët e mbajnë mend atë periudhë, e cila ishte krejtësisht shterpë dhe e krahasojnë me këtë të sodit, kur janë duke i gëzuar të mirat e saj” ka thënë Rapuca.

Sipas tij projektet si: subvencioni për mbjelljet pranverore, për foli plastike, për shtëpiza të bletëve, për shoqëri të bletëve, për makina mjelëse, për sera komerciale, për dhi, panairi i produkteve të bletës, panairi regjional i gjedhit, manifestimi fermeri i vitit, këshillimet, trajnimet dhe seminaret, u realizuan plotësisht dhe me sukses.

Pati shumë subvencione dhe grante nga Ministria për Bujqësi. Pati shumë projekte nga donatorët. Thënë shkurt, viti 2012 për Drejtorinë e Bujqësisë dhe për fermerët tanë, ishte një vit i suksesshëm i cili bujqësisë gjilanase i solli mbi 1.1 milion euro investime.

Një milion euro të tjera erdhën nga Komisioni Europian për përpunuesit e mishit dhe drithërave (nga 500.000 €, përfituan thertorja “Luli” dhe “Kualiteti”) dhe një milion tjetër përfitoi ferma “AskFood” nga Ministria për Bujqësi, për ndërtimin e një frigoriferi për grumbullimin dhe ruajtjen e frutave, që do të jetë 20% më i madh sesa frigoriferi i Shillovës. Të gjitha këto mjete, mbi 3 milion euro, janë dhënë falas dmth.pa kthim. Këto mjete pa dyshim se po ndikojnë në zhvillimin e sigurt të bujqësisë sonë. Sot, thuajse nuk mbetet asnjë pëllëmbë toke pa u punuar, përderisa deri në vitin 2008, mbi 50% e sipërfaqeve bujqësore ishin djerrinë ka shtuar Rapuca.

Hidromorava

Sipas Rapucës viti 2013, do të jetë edhe më i suksesshëm. “Kemi planifikuar edhe më shumë projekte, kemi rritur edhe buxhetin komunal .Ministria, poashtu, ka rritur buxhetin e saj për grante dhe subvencione. Presim përkrahje edhe nga donatorët. Nuk ka fermer që nuk ka përfituar dhe nuk do të mbetet pa përfituar në vitin 2013. Vetëm Ministria ka planifikuar mbi 27 milion euro për grante dhe subvencione. Do të subvencionohen të gjithë fermerët që kultivojnë: grurë, misër, lule dielli, pemë, perime, ata që mbajnë bagëti si:lopë, dele, dhi, blete, pula, brojler. Grante do të përfitojnë për ngritjen e shtallave, për ngritjen e pemishteve, për ngritjen e serrave, për blerjen e makinave bujqësore, për rregullimin e ujitjes. Do të përfitojnë edhe përpunuesit e mishit, qumështit, frutave të malit etj. Pra nuk do mbetet askush pa përfituar”.

Rapuca mendon se ajo që e vret LDK-në, është pikërisht fakti që, fermeri kurrë nuk ka qenë më mirë i trajtuar dhe më të kënaqur sesa sot. “Në kohën e LDK-së, pra atëherë kur Ramizi ishte pjesë e Drejtorisë për Bujqësi, lere që nuk janë ndihmuar , por fermerët nuk kanë mundur as të hyjnë në zyret e tyre. Sot secili fermer mund të qaset në cilën do zyre edhe te drejtori pa trokitur fare edhe pritet si zotëri. Janë të shumta evokimet e fermerëve për kohët e shkuara se si janë përbuzur e injorua pikërisht nga stafi i kësaj drejtorie, me theks të veçantë nga drejtori i saj i LDK-së. Sot fermerët tanë janë me fat, kur është fjala për shërbimet që marrin nga stafi i drejtorisë: informata, ndihmesë në përgatitjen e dokumentacionit, fotokopjimi falas i të gjitha dokumenteve, përpilimi falas i projekteve, dhënia e këshillave profesionale, trajnime e seminare. Vlerësimi i dëmeve dhe mbrojtja e tyre në rast të ndonjë shkelje të pa qëllimtë nga MBPZHR”.

Në saje të përkushtimit të stafit të drejtorisë dhe angazhimit të vet fermerëve, komuna jonë është rekorde në përfitimin e granteve nga MBPZHR dhe nga donatorët. Psh. Në vitin 2012 gjilanasit kanë përfituar 32 grante, përderisa asnjë komunë nuk ka marrë mbi 15 grante mendon Rapuca.

Sipas tij janë e vetmja drejtori që kanë një staf të kompletuar prej 10 ekspertësh të fushave të ndryshme të bujqësisë. “E vetmja që i trajton të gjithë fermerët një soj. Çdo projekt realizohet përmes aplikimit të fermerëve. Komisioni profesional verifikon të gjithë aplikuesit dhe bazuar në kriteret e miratuara përzgjedh përfituesit. E vetmja që kemi databazë të kompletuar për të gjithë fermerët. E vetmja që kemi u-eb faqen tonë, ku të gjithë të interesuarit mund të marrin informata e këshilla profesionale. E vetmja që organizojmë trajnime e seminare. E vetmja që u bëjmë projektet falas. E vetmja që ka një organogram mirë të strukturuar (sektori i prodhimtarisë bimore, sektori për blegtori dhe sektori për pylltari). E para që ka krijuar dhe ka dhënë në menaxhim vendgjuetitë sipas ligjit.Më e mira në ruajtjen e pyjeve etj.

Edhe pas gjithë këtij angazhimi e përkushtimi, jemi të vetëdijshëm se bujqësia gjilanase ka nevojë për përkrahje larg përtej mundësive që ka komuna. Shumë e rëndësishme është qasja dhe përkushtimi ynë ndaj bujqësisë. Ne, falë kryetarit të komunës Qemajl Mustafa, bujqësinë e kemi radhitur si prioritetin numër dy të komunës, menjëherë pas arsimit ka sqaruar Rapuca.

Rapuca thotë se fermerët janë me fat, pasi që ne do të jemi gjatë në pushtet, dhe bujqësia do ta merr vendin që i takon. “Ajo do të ndërrojë krejtësisht pamjen e saj. Do të modernizohet duke e aplikuar mekanizmin modern dhe teknologji të reja të prodhimit. Do të rritet shumë rendimenti e cilësia dhe natyrisht profiti” tha ai./rajonipress/

Mund të ju interesoj: