RCCOLA

Raporti i Krimit

/ 6 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Raporti për Kosovën i Komisionit Europian shpërfaq ngecje serioze thuajse në secilën fushë. Krimi i organizuar dhe korrupsioni – dy fenomene këto që politika dhe njerëzit rreth saj i kanë shtrirë në secilin institucion – janë lajtmotivi kryesor. Krim nuk don të thotë vetëm ta vrasësh dikë me plumb. Krim edhe më i madh është t’i vrasësh njerëzit çdo ditë nga pak, siç po bëjnë pushtetarët tash dy dekada, duke korruptuar e kriminalizuar gjithçka.

Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë endemik, ndërkaq vendi është në një fazë të hershme të luftës kundër krimit të organizuar. Kështu konstaton Raporti për Kosovën i Komisionit Europian, që ende kosovarët vazhdojnë ta quajnë i Progresit.

Asgjë e re, do të mund të thuhej, marrë parasysh se tash e sa vjet ky raport adreson thuajse problemet e njëjta për vendin. Por, po, me të drejtë ky raport mund të quhet raport i krimit, ngase qasja kriminale në të gjtha fushat ka bërë që përparimet të jenë të pakta dhe ngecjet të vazhdojnë.

Sa e sa herë është folur për politizimin e vazhdueshëm të administratës publike, gjë që evidentohet edhe sivjet. Mënyra se si adminisrata publike mbushet me militantë e simpatizantë partish politike në pushtet është kriminale. Është e tilë, sepse i mohohet e drejta për të gjetur një vend pune në administratë secilit që nuk ka një librezë partie, ndërkaq favorizohen të tjerë që ndër të rralla vlera kanë të qenët anëtarë partie. Kjo mënyrë e diskriminimit dhe keqpërdorimit të buxhetit të shtetit nuk ka se si të mos ndikojë negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës, siç vlerësohet edhe në raport. E kjo mënyrë e punësimeve në institucionet publike është kriminale. T’ia kushtëzosh dikujt të drejtën e punësimit me librezë partiake është kriminale.

Raporti për Kosovën mund të konsiderohet si raport i krimit, sepse konstatohen ndikimet politike në gjyqësor, ndërkohë që administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas.

Segmente të caktuar të gjyqësorit janë të kapur nga politika. Nga krimi. Nuk ka si të quhen ndryshe, veçse kriminale rastet kur zvarritet ngritja e aktakuzave, duke pritur që lëndë të caktuara të parashkruhen. Të tilla mund të konsiderohen edhe rastet kur të akuzuar lirohen “në mungesë provash”, ndërkohë që nuk hetohet prejardhja e pasurisë së tyre, e arritur në mënyrë po ashtu kriminale. Po aq kriminale është edhe neglizhimi i disa rasteve të krimeve të luftës nga gjykatat.

* * *

Reformat në përgjithësi kanë ngecur, ndonëse raporti vlerëson pozitivisht ato ekonomike. “Ka pasur progres edhe në ekonomi, pjesërisht në zhvillimin e mjedisit biznesor. Sidoqoftë, duhet të merren masa në luftimin e ekonomisë ilegale dhe papunësisë së lartë”, konstaton raporti.

Ekonomia ilegale nuk luftohet, sepse nga ajo në formë kriminale përfitojnë njerëzit e fortë, njerëzit e politikës dhe rreth politikës.

RCCOLA

Por, natyrisht, nuk ka se si të bëhet as reforma në administratën publike, kur duhet hequr nga puna një numër të madh njerëzish, që për partitë politike llogariten numër i madh votash.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, i shoqëruar me reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian, duhet të përshpejtohen”, thuhet më tej.

Nuk ka se si të ketë vlerësim pozitiv për fushën e arsimit, kur agjenci të pavarura përjashtohen nga organizata ndërkombëtare. Sikurse nuk ka se si të ketë lëvdata për sundim ligji e respektim të drejtash të njeriut kur kidnapohen shtetas të huaj në mënyrën më kriminale dhe kur deputetë të zgjedhur përpiqen natën të shfuqizojnë një ligj të miratuar nga vetë ata, siç ishte ai për Gjykatën Speciale. “Përpjekja e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës në dhjetor të vitit 2017 për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka ngritur shqetësime serioze. Do të jetë esenciale për Kosovën zbatimi i obligimeve ndërkombëtare lidhur me Gjykatës Speciale, që u formua për t’i adresuar për t’i gjykuar krimet ndërkombëtare në luftën e Kosovës”, thotë raporti.

Në mesin e shumë konstatimeve, raporti përmend edhe mjedisin, respektivisht mungesën e çfarëdo përparimi në këtë fushë. E kuptueshmë, pasur parasysh se qasja ndaj mjedisit që na rrethon është po ashtu kriminale. Njerëzit sëmuren e vdesin nga ndotja, e të fortët, politikanë e të tjerë rreth tyre, përfitojnë miliona duke degraduar mjedisin. Krim nuk don të thotë vetëm ta vrasësh dikë me plumb. Krim edhe më i madh është t’i vrasësh njerëzit çdo ditë nga pak.

* * *

Më e pakta që do të duhej të bënin udhëheqësit e një shteti normal, kur të lexojnë një raport të tillë si ky për Kosovën është t’iu vijë turp. Turp që bëjnë shumë pak për të adresuar e zgjidhur çështjet e evidentuara. Turp të provojnë për të arsyetur një raport që korrupsionin e krimin i ka lajtmotiv kryesor. Turp ku e kanë sjellë vendin dhe çfarë perspektive po iu ofrojnë qytetarëve. Por tek pushtetarët kosovarë ka kohë që turpi nuk zë vend.

Nëse ende vazhdon të thotë se e ka seriozisht qeverisjen, Ramush Haradinaj do të duhej ta lexojë mirë raportin dhe të ndërmarrë veprime të nevojshme. Të paktën për të përmirësuar diçka. Të gjitha institucionet do të duhej të fokusoheshin për t’i kryer detyrat mirë të evidentuara.

Nuk ka si të quhet ndryshe veç kriminal çdo hezitim për të ndërmarrë hapa seriozë në përmirësimin e gjendjes. E kriminal është edhe konstatimi qeveritar se ky na qenka raporti më i mirë për Kosovën deri më tash. Raport i korrupsionit e krimit. Kurrsesi i progresit.