Hidromorava

Rama e Haradinaj nuk dinë as si të vishen e as si të sillen

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Daut Dauti – Kohëve të fundit e keni parë se si vishet – dhe veçanërisht si mbathet – kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë takimeve diplomatike të shteteve ballkanike dhe ato të NATO-s, e keni parë se si sillen Ramush Haradinaj dhe Edi Rama. E keni parë se si këta dy u shkojnë pas burrështetasve, që në këtë rast ishin gra, duke u munduar që të bisedojnë me to. Haradinaj i fliste Angela Merkelit edhe pse ajo jepte shenja se nuk dëshironte të bisedonte. Haradinaj e zbatonte stilin: s’ka lidhje a po don ti, unë po du!

Edi Rama me patika (atlete) para udhëheqësve të botës. Me dy duart e tija të gjata e kapte nga pas në supe Theresa May-in. Demek, të kam shoqe të ngushtë apo të kam pikë të dobët. Ajo e ngrata e ulte kokën dhe mundohej ta minimizonte këtë rast duke e injoruar sjelljen e pahijshme të kryeministrit shqiptar.

Pyetja: Pse këta ‘udhëheqës’ tanë i bëjnë këto budallakina? Përgjigja: I bëjnë jo vetëm për shkak se u mungon edukata, por më shumë për shkak se mendojnë që ne mahnitemi (pozitivisht) me ta. Pra, do të fascinohemi sesa afër janë ata me udhëheqësit e superfuqive të botës. Këta udhëheqës tanë me siguri nuk e dinë që këto momente ne i shikojmë me turp, duke u munduar të fshihemi nën tavolinë para televizorit.

Kur flasim për turpin, por edhe për momente tjera të pavolitshme, njerëzit duhet të sjellin shembuj apo përvoja nga jeta e tyre. Unë një herë jam ballafaquar me turpin. Më poshtë po ua rrëfej një rast kur unë jam turpëruar për shkak se nuk kam ditur si të vishem ose kur jam veshur sikur Edi Rama.

Rasti ka të bëjë me vizitën time të parë në ‘Reform Club’ dhe takimin me Sir Reginald Hibbertin të cilin e kisha takuar disa herë dhe intervistuar. Duhet ta përkujtojmë se Hibbert është autor i një libri të shkëlqyeshëm që quhet ‘Albania’s national Liberation Struggle: The Bitter Victory’ e përkthyer edhe në shqip. Hibbert është shkolluar në Oksford dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer si oficer ndërlidhës britanik me partizanët e Shqipërisë. Pastaj Hibbert ka shërbyer në poste të larta diplomatike në Foreign Office, përfshirë pozitën e shefit të kuadrove, dhe ambasador britanik në disa vende të rëndësishme duke u pensionuar pas shërbimit si ambasador në Francë.

Një herë, gjatë vitit 1992, Sir Hibbert më ftoi që të takoheshim në ‘Reform Club’, që ishte klubi ku ai ishte anëtar e që gjendet në një vend prestigjioz të Londrës. ‘Reform Club’ është i themeluar në vitin 1841 dhe gjatë historisë është njohur si klub i burrave (Gentlemen’s Club) me ide liberale që kanë ushtruar influencë të madhe në Britani dhe në botë. Ky klub edhe sot është aq i rëndësishëm sa që diku, në ndonjë shtet, më lehtë bëhesh kryeministër ose president sesa anëtar i këtij klubi. Ta zëmë, anëtarë të ‘Reform Club’ kanë qenë personalitetet siç është Winston Churchill dhe shumë të tjerë të këtij rangu, siç janë sot disa anëtarë të familjes mbretërore britanike.

Në ditën e takimit unë shkova në ‘Reform Club’ dhe u paraqita te recepcioni. Recepsionisti, një burrë i moshuar por tejet elegant, më pyeti për arsyen që isha aty. Kur i tregova se dëshiroja të hyja brenda se kisha takim, ai më shikoi në sy me habi të madhe. Pastaj, më ‘skanoi’ nga gishtat e këmbëve e deri te flokët. Nuk tha gjë me gojë, por shikimi i thoshte: ’Ku je nisë kështu?’

Uji Dea

‘Ju, zotëri, nuk keni mundësi ta takoni askënd në këtë klub’, më tha me mirësjellje. Kur e pyeta pse, ai u përgjigj: ’Për shkak se nuk jeni i veshur siç duhet’. Pastaj ma shpjegoi kodin e veshjes: këpucë të zeza me lidhëse (toja), këmishë me kravatë dhe pantallona e sako të stofit me ngjyrë të mbyllur. Nga të gjitha këto rroba që kërkoheshin unë kisha vetëm këmishë të veshur. Rrobat tjera ishin këpucë ngjyrë kafe, farmerka (jeans) dhe për sako kisha një jakne (xhaketë) të lëkurës. Unë isha në rregull sikur të shkoja në koncert të ‘Rock & Rollit’ po jo për ‘Reform Club’. ‘Shko vishu dhe kthehu e hynë brenda’, më tha recepsionisti. Pasi që për këtë gjë nuk kishte mundësi, unë kërkova që ai ta thërriste Hibbertin që ta shihja.

Sir Reginald Hibbert zbriti shkallëve duke më shikuar me habi. Por, shpejt e mbuloi habinë me një buzëqeshje të një diplomati të rryer. ‘E rregullojmë këtë punë’, i tha recepsionistit. Më kërko falje që nuk ma kishte shpjeguar kodin e veshjes. Në fakt, gabimi ishte më shumë i imi për shkak se unë duhej ta dija ku po shkoja. Sidoqoftë, ai më merr në një dhomë që në fakt ishte gardërobë ku anëtarët e klubit kishin rrobat e veta rezervë, por edhe për mysafirë të rastit siç isha unë. Pas një kombinimi u vesha dhe kur dolëm në korridor recepsionisti më tha:’That’s it, Sir’ (kështu duhet, zotëri) dhe i shkoi buza në gaz.

Domethënien e buzëqeshjes së tij e kuptova kur dola në pushimoren e parë të shkallëve dhe e pashë veten në një pasqyrë të madhe. Këpucët e dija që nuk ishin të numrit tim se filluan të më dhembnin gishtat e këmbëve. Por, tashti i pashë mirë pantallonat që vareshin në mes këmbëve si shallvare. Sakoja ishte më e ngushtë se që duhej. Me një fjalë, unë në ‘Reform Club’ nuk dukesha aspak si ‘xhentëlmen’. E mbaj mend që për shkak që nuk ndjehesha mirë, nuk koncentrohesha në bisedë.

Turpi im nuk përfundoi këtu. Sir Hibbert për veshjen time i kishte treguar një shoqes sonë të përbashkët dhe ajo, pastaj, si një agjenci e lajmeve, tërë atyre që njiheshim reciprokisht. Nuk vonoi dhe tërë Londra e mori vesh stilin e veshjes time në ‘Reform Club’.

Por, unë nga ky moment u mësova se si duhet të vishem kur shkohet në disa vende.

Do të ishte mire që në këto tubimet ku marrin pjesë udhëheqësit tanë të qëndrojë dikush te dera për t’ia ndaluar hyrjen Edi Ramës i cili nuk di as se si të vishet. Natyrisht, duhet edhe një tjetër të qëndrojë brenda dhe t’i nxjerr jashtë Ramushin dhe Edin për shkak se nuk dinë as se si të sillen. Pa gjuhë diplomatike t’ju thotë: ’Dilni jashtë, bre hajvana’!