Eko Higjiena

KKSB në Kamenicë diskuton sigurinë, sinjalizimin rrugor dhe përmirësimin e ndriçimit publik

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Kamenicë – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Kamenicë ka mbajtur mbledhjen e dytë për vitin 2026, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë publike, infrastrukturën rrugore dhe shërbimet komunale.

Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Komunës dhe njëherësh udhëheqësi i KKSB-së, Kadri Rahimaj, koordinatori i KKSB-së, Fisnik Kastrati, komandanti i Stacionit Policor në Kamenicë, Basri Shkodra, si dhe anëtarë të tjerë të këshillit.

Kryetari Rahimaj hapi takimin duke prezantuar rendin e ditës, i cili përfshinte miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, diskutimin mbi sigurinë në komunë, kontrollimin e shpejtësisë së automjeteve dhe gjendjen e sinjalizimit rrugor, funksionimin dhe përmirësimin e ndriçimit publik, si dhe çështje të tjera me interes për komunitetin.

Pas miratimit të procesverbalit, diskutimi u fokusua te siguria në trafik dhe infrastruktura rrugore. Drejtori i DSHPAIE-së, Zotrim Kastrati, bëri të ditur se vendosja e sinjalizimit të ri rrugor do të nisë javën e ardhshme. Sipas tij, projekti përfshin instalimin e një numri të konsiderueshëm shenjash të komunikacionit dhe përmirësimin e sinjalizimit pranë vendkalimeve për këmbësorë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, komandanti i stacionit policor, Basri Shkodra, prezantoi raportin mbi gjendjen aktuale të sigurisë në komunë, duke vlerësuar se situata vazhdon të jetë e qëndrueshme. Ai njoftoi se policia ka angazhuar edhe zyrtarë shtesë civilë, të cilët monitorojnë dhe trajtojnë shqetësimet e paraqitura nga qytetarët.

Hidromorava

Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësuan bashkëpunimin me institucionet e sigurisë, por njëkohësisht ngritën shqetësime lidhur me mungesën e hapësirave të mjaftueshme të parkimit, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta.

Duke iu përgjigjur këtyre kërkesave, kryetari Rahimaj njoftoi se komuna është duke planifikuar projekte të reja që do të rrisin numrin e vendparkingjeve në qytet. Ai shtoi se në përputhje me udhëzimet dhe standardet në fuqi, do të bëhet edhe rritja e numrit të parkingjeve të rezervuara për personat me nevoja të veçanta.

Në kuadër të pikës “Të ndryshme”, Rahimaj informoi anëtarët e KKSB-së se së shpejti komuna do të nënshkruajë një marrëveshje të re me NPL Dardana, e cila do të mundësojë zgjerimin e shërbimeve në fushën e ndriçimit publik përmes pajisjeve dhe kapaciteteve të reja teknike.

Takimi përfundoi me zotimin e institucioneve lokale dhe të sigurisë për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e Kamenicës./rajonipress/