Vitia mobilizohet për sezonin veror, Haliti mbledh institucionet për parandalimin e zjarreve
Viti – Komuna e Vitisë ka mbajtur një takim koordinues me institucionet dhe mekanizmat përgjegjës për menaxhimin e emergjencave, me qëllim forcimin e masave për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve gjatë sezonit veror 2026.
Takimi u udhëhoq nga kryetari i komunës, Sokol Haliti, i cili së bashku me përfaqësues të institucioneve lokale diskutoi gatishmërinë operative dhe koordinimin ndërinstitucional për përballimin e rreziqeve që mund të paraqiten gjatë muajve të verës.
Gjatë këtij takimi u prezantua Plani Komunal për Parandalimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Zjarret, dokument që parasheh masat konkrete për parandalimin e vatrave të zjarrit, organizimin e reagimit të shpejtë dhe koordinimin mes institucioneve përgjegjëse.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi nevojën e forcimit të masave parandaluese, angazhimin e grupeve operative në terren dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve që kanë rol kyç në menaxhimin e situatave emergjente. Në fokus të veçantë ishte edhe rritja e nivelit të gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për reagim të menjëhershëm në rast të paraqitjes së zjarreve.
Po ashtu, u vlerësua si shumë i rëndësishëm intensifikimi i fushatave vetëdijesuese për qytetarët, me qëllim që të shmangen veprimet e pakujdesshme që mund të shkaktojnë zjarre dhe dëme të konsiderueshme në mjedis.
Kryetari Haliti u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes maksimal gjatë periudhës së verës, duke respektuar rekomandimet dhe masat parandaluese.
“Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët mund të mbrojmë pyjet, kullotat, pronën dhe mjedisin tonë nga pasojat e zjarreve”, theksoi ai gjatë takimit.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të drejtorive komunale, të Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Policia e Kosovës, Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Inspektoratit Komunal, Agjencia Pyjore e Kosovës, si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm në përgatitjen e komunës për sezonin veror, me synimin që të minimizohen rreziqet dhe të sigurohet mbrojtje sa më efektive e qytetarëve dhe pasurive natyrore./rajonipress/


