UBT

Qytetari të mbrohet

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Berisha – Bazuar në rezultatet e hulumtimeve të opinionit, mosbesimi në qeveri, gjykata, prokurori, është shumë i madh. Si të bëhet një shoqëri demokratike me gjithë këtë mosbesim në institucione?

Pse humbet kaq shumë energji në beteja së koti politike? Beteja jo e vogël ndërmjet legales dhe jolegales, d.m.th., ndërmjet të ligjshmes dhe të paligjshmes, është njëra prej tyre, e cila vetëm sa po konfirmohet nga një legjislaturë në tjetrën. Zhurmë plot për institucione, ndërsa veprimet aq shumë dëmtuese të tyre.

Dalin të zëshëm lloje të ndryshme jolegalistësh, po dy më të zëshmet janë ato që ushqehen nga taksat e qytetarëve.

Të parët, kanë dëshirë të thonë se nuk pranojnë legalitetin, pasi lavdia nuk është përkatëse me dëshirat e këtij populli. Ata nuk flasin për iluzionin, por për aspiratën legjitime, duke konstruktuar role dhe misione të mëdha.

Të dytët, në emër të mbrojtjes nga sulmet e jolegalistëve tjerë, ligjin dhe shumëçka legjitime, e fusin në xhepin e tyre, duke e vlerësuar dhe përdorur si pronë e të drejtë personale, private.

E vërteta, është kjo fushëbetejë e grupeve tashmë të rryera, por të papërgatitura në aspektin kulturor dhe politik për rolet që i kanë marrë në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Asnjëra palë, nuk ka trohë modestie, por shtyhen për të treguar se sa kush është më e fortë dhe më mospërfillëse ndaj ligjit.

Akomoduar në lëkurën e trashë të pushtetit ato nuk dalin nga kutia e bajraktarëve fisnorë a provincialë, sado që ngjyrosin pretendimin me misione dhe role moderniste shpëtimtare sociale dhe politike. Për të krijuar qartësi do thënë se këto që nuk janë larg tarafeve tradicionale, tashmë janë konvertuar në klientela politiko-ekonomike që d.m.th. janë shndërruar në identitete shtetërore.

Edhepse ata duan të tregojnë se janë, e vërteta, interesat e tyre nuk janë interesa të qytetarëve. Për të dominuar interesat e njërës dhe tjetrës palë në konflikte të vetëkonstruktuara, ushqejnë kriza, drama dhe gjendje emergjente, ku epiqendrohet roli preventiv i shpëtimtarëve, më saktë,vetëmi tyre. Emergjencat dhe preventiva e tilla ushqehen nga ushtrimi i forcës së paligjshme ndaj qytetarit.

Kjo gjendje shqetëson dhe dekurajon qytetarët që mbajnë tërësisht pasojat e jolegalitetit në kurrizin e tyre. Ata duan një perspektivë të urtë, të qetë dhe të ligjshme për veten në shtetin e tyre, Kosovën. Duan ujë për pije dhe ujitje dhe rrymë së paku, në natën e ndërrimit të moteve. Duan respektimin e institucionit të konkursit. Duan të jenë qytetarë të barabartë. Pra, duan një Kosovë njerëzore dhe jo misionare. Një Kosovë në tokë dhe jo në qiell. Një Kosovë të mirë sot që do të bëjë të mundur një Kosovë edhe më të mirë nesër. Prandaj janë skeptik, nuk besojnë. Apo më mirë thënë kanë humbur besimin në institucione.

Do përkujtuar se në vitin 2019, bazuar në gjykimet e të anketuarëve, 45 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk i besojnë aspak Qeverisë së Kosovës. Pastaj 33 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se nuk u besojnë fare gjykatave, ndërsa 43 për qind kanë rezerva ndaj këtyre gjykatave. (Raporti, 2019, QKSS) Në këtë frymë, është mosbesimi edhe ndaj Prokurorisë së Kosovës: 41 për qind e qytetarëve të anketuar kanë shprehur besim jo të kënaqshëm, ndërsa 29 për qind nuk i besojnë aspak punës që bën Prokuroria në Kosovë.

Si të bëhet një shoqëri demokratike me gjithë këtë mosbesim në institucione?

Hidromorava

Motivuar edhe më këso sjellje bajraktarësh politikë, propaganduesit vigjilentë jashtë, i kanë paraqitur shqiptarët zi e terr. Mosvlerësimi i vetvetës u ka dhënë shkasin atyre që të bëjnë llojlloj shkrimesh që kanë mbetur fatkeqësisht deri sot ndonjëherë, edhe referenca akademike. Do përkujtuar shkrimet e “intelektualëve në zë serbë”, si ishte ai i njërit prej ideologëve të Serbisë së Madhe, Vladan Gjorgjeviq: Askund në Evropë nuk është më lirë jeta e njeriut …edhe sot shqiptarët konsiderojnë si turp nëse vdesin në shtrat. Nuk ka ndonjë mallkim më të rëndë për shqiptarin se sa t’i thuash ” dashtë zoti të vdesish nga ndonjë sëmundje”.

Tërheq vërejtjen ai se shqiptarët si një përmasë e jostabilizuar, janë të egër dhe të rrezikshëm për gjithë rajonin e Evropës. Leximi i sërishëm të shton edhe më shumë gjasën e përgjasimit me aktualitetin e vrazhdë publik. Shih ti: Fëmija shqiptar që i vogël mësohet të mbajë mend: Ky apo ai fis është armik i fisit tënd; ata na i vranë kaq e kaq njerëz; ata na kanë borxh kaq e kaq gjak. Nuk ke detyrë më të shenjtë se sa ta marrësh atë gjak dhe ta shuash fisin e armiqve tu. Vetëm kështu do të jeshë një hero shqiptar. (Siberc)

Po a është e mundur ende të mos kuptohet çfarë sjell modeli i komunikimit publik që lexohet e dëgjohet që nga Parlamenti deri tek statuset në facebook? Sharje dhe ofendime. Kërcënime dhe paraqitje e njerëzve që duan të tregojnë se janë diçka, po kryesorja, nuk kanë aspak respekt për ligjin? Ne dëgjojmë e lexojmë se si kërkohet ndëshkimi i fajtorit jashtë kornizës ligjore? Apo se si iket nga korniza ligjore bazuar në autoritetin pushtetor. Në këtë rast, sikur përçohet mesazhi se këtu mungon një trohë shtet ligjor?

Pra, jolegalja, joligjorja gjen hapësirë, duke u bërë një dëmtues i madh i shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Është pikërisht ajo që ia ka pasur qejfi të thotë shovenisti Gjorgjeviq, se për të qenë hero shqiptar duhet të jesh hakmarrës, kuptohet vetëm ndaj vetvetes.

Në fund të fundit, si mund të presësh të të respekton dikush kur nuk e respekton vetveten?

Arsyetimet gjenden gjithmonë, po ato nuk zgjidhin problemin. Prandaj, është gjithë ky mosbesim ndaj institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Gjithë kjo reflekton ikjen nga ballafaqimi real me të keqen jolegale për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe demokratike.

Por, si thotë Huantington, vështirësitë me të cilat sot ballafaqohen demokracitë e reja janë në rend të parë probleme të trashëguara nga e kaluara e regjimeve paraardhëse totalitare dhe e problemeve të tjera që përcjellin vetë demokracinë dhe shoqëritë që demokratizohen. Demokratizimi do të thotë heqje qafe e problemeve të tiranisë, por vetë procesi i demokratizimit mund të krijojë apo thellojë problemet e tjera me të cilat demokracitë e reja duhet të kacafyten.

Në këtë kontekst, ka mbetur përkujtuese fjalia e Xhejms Bejkerit, sekretar shteti amerikan, thënë në Fuxhimuri: Nuk mbrohet demokracia duke e shkatërruar atë. Pra, as demokracia dhe as shteti nuk mbrohen duke i shkatërruar pjesët qenësore të tij.

Nuk është kjo një praktikë e re, aspirata për të dëmtuar shtëpinë tënde. Mid’hat Frashëri para 90 vjetëve kishte shkruar se qeveritarët, intelektualët, gazetarët, shkrimtarët, idealistët, gratë, kritikuesit e intrigantët, hajdutët e badihavxhinjtë, injorantët e karrieristët, të pasurit, të varfërit, etj., janë grupet shoqërore a profesionale të cilat duhet të kishin në vëmendje se t’ligat t’ona, prandaj duhet të mos i hedhim mbi kurriz t’atyre që na pasojnë. Një ballafaqim konkret me këto të këqija është edhe një shërbim sado i vogël, për ata që do të të kenë arsye të jetojnë dhe ta duan këtë vend.