Fundamenti

Quni: Deri në vitin 2028 FSK-ja do t’i arrijë kapacitetet e plota ushtarake

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka deklaruar se FSK-ja deri në vitin 2028 do të arrijë kapacitet e plota ushtarake për të menaxhuar situatat në rast të rrezikut potencial.

“Çështja e sigurisë është çështje që çdo ditë ndryshon për nga natyra faktorët që kanë ndikime të ndryshme, duke filluar ato globale deri tek regjionale. Natyrisht që institucionet tona të specializuara duhet të përcjellin dhe të sigurojnë informata në lidhje me sigurinë në veçanti me kapacitet e ngushta policore, njësive speciale, po ashtu edhe grupeve paramilitare terroriste të cilat mund të zhvillohen te shtetet fqinjëve. Tanimë është e ditur se Serbia ka një numër të konsiderueshme të personelit ushtarak, po aplikon teknologjinë e fundit ushtarake dhe ka një industri ushtarake të konsiderueshme. Është eksportues i disa produkteve nga industria ushtarake. Këto fakte mundin ta determinojnë se cilat masa do të duhej institucionet e Kosovës me ndërmarrë në raste të ndonjë rreziku potencial”, deklaroi Quni.

Ai ka thënë se varësisht nga përmasat e rrezikut, natyra e agresionit, operacioneve, taktikave, FSK-ja ka kapacitet për të menaxhuar situatat.

“Kur flasim për FSK-në, për një organizatë e cila është në zhvillim e sipër, është e paraparë që në vitin 2028 FSK-ja do të duhej të arrijë kapacitet e plota ushtarake. Kjo nuk do të thotë që nuk mundet edhe tani me disa njësi dhe disa natyra që rrezikojnë Kosovën. Natyrisht që varet nga përmasat e rrezikut, natyra e agresionit, operacioneve, taktikave e përmasa, nëse flasim për një ndërhyrje të njësive më të vogla, në një hapësirë të kufizuara jam e bindur që tanimë FSK-ja i ka kapacitet me i menaxhuar situatat e tilla. Por, nëse flasim për një agresim klasik, të përgjithshëm në tërë Republikën e Kosovës, atëherë nuk flasim për një problem për të cilën do të duhej të brengosemi vetëm FSK-ja, por e të gjithë qytetarëve, dhe ashtu do të duhej të përgjigjemi”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, Quni ka potencuar se FSK-ja duhet të vazhdojë me ngritjen profesionale dhe përgatitjen kolektive në mënyrë që jetë në hap me zhvillimin në botë.

Eco Higjiena

“Përveç faktorit njeri që kryesori që determinon suksesin duhet të vazhdohen në ngritjen profesionale të tyre si individë po ashtu edhe përgatitjen kolektive duke filluar nga njësitë më të vogla nga skuadrat deri tek niveli i brigadave, por edhe FSK-ja si në tërësi, por assesi nuk duhet të zhvendoset vëmendja nga inovacionet teknike. Kibernetika, Inteligjenca Artificiale, risitë që tani më së shumti vërehen në luftën në Ukrainë, do të duhej të studiohen dhe të analizohen nga autoritet e FSK-së dhe të shihet se a jemi në hapë me ato zhvillime dhe çka me ndërmarrë në avancimin në këto fusha”, tha Quni.

Në rast të një rreziku potencial, deputeti theksoi se është pjesa e rezervës të cilat thirren në shërbim në rast nevoje.

“Kur ekspertët e bëjnë analizat përafrohen tek një numër i cili mund të arsyetohet me buxhet të mjaftueshëm për me i mirëmbajtur dhe me zhvilluar, ato sistemet e kaluara nga koha e luftës, do të ishte e pa arsyeshme për ta mbajtur një numër të madh të mobilizuar përderisa nuk është në përputhje me shkallën e rrezikut. Gjithnjë flasim për raportin e forcave që sulmojnë dhe mbrojnë, është e menduar që këto forca që tani janë në gatishmëri janë të mjaftueshme me iu përgjigjur një rreziku, gjithnjë duke marrë parasysh edhe numrin e forcave të armikut potencial. Për këtë arsye është edhe një pjesë e rezervës që po ashtu i kanë pajisjet dhe përgatitjet në rast nevoje që ata të thirren në shërbim”, theksoi ai.

Kurse, për rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Quni e konsideron se kjo është një temë e braktisur, mirëpo ai propozoi që rinia të marrë njohuritë bazike të një ushtari, në mënyrë që të jetë i gatshëm të kontribuojë për vendin.

“Ka pasur shumë debate në lidhje më këtë çështje, në konsultime edhe me parterët tanë por duke pasur parasysh edhe që i kemi prezencës së KFOR-it, është një temë që është braktisur ka dekada që është braktisur ky koncept. Por kur shihen këto zhvillimet e reja atëherë do të duhet të merret në konsideratë se si rininë tonë të kemi të gatshëm në rast të ndonjë rreziku edhe ata të kryejnë një shërbim vendit. Ne si LDK kemi menduar një mënyrë tjetër jo me shërbim të detyrueshëm por njohuritë bazike që i ka çdo ushtarë që i përvetëson gjatë një trajnimi një mujor bazik. Shpërndahet në dy vitet e fundit të shkollës së mesëm si edukim dhe arsimim gjeneral”, përfundoi ai. /EkonomiaOnline