Hidromorava

Qosja i penduar që nuk mbrojti studentët

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Sot pritet të bëhet promovimi i ditarëve (1966-2014) të Akademikut Rexhep Qosja, ku rrëfehet për ngjarjet më të rëndësishme dhe pengjet që i kanë mbetur profesorit. Pendimi i thellë për marrëdhënien me gruan dhe fëmijët, por edhe mos guximi për të mbrojtur studentët që arrestoheshin, zënë vend në ditarët e profesor Rexhep Qosjes.
Akademiku rrëfen në Gazeta Shqiptare përmbajtjen e ditarëve (1966-2014), jep një gjykim për politikën shqiptare sot, për letërsinë shqipe, suksesi i së cilës u shënua para 1990-ës, për emrat e saj, për mungesat e saj dhe nuk lë jashtë vëmendjes Festivalin e Librit dhe Artit, mangësitë e posterit dhe vlerësimin për çmimin “Ardian Klosi”.

Keni nisur botimin e ditarëve nga viti 1966 deri më 2014. Pse i mbajtët ata ditarë dhe pse fillojnë më 1966?

Qosja: Ditarët kapin kohën prej 1966 deri në 2014. Do doja të bëheshin 50 vite, sepse aktualisht janë 48, por kjo, nëse unë jetoj më gjatë. Ditarët mbahen për të thënë ato gjëra të cilat njeriu nuk mund t’i thotë lirisht, në mënyrë publike zakonisht. Pra, thuhen ato të cilat nuk mund të thuhen lirisht në kohën kur ndodhin ngjarjet, dukuritë, fenomenet për të cilat shkruan. Stefan Cvajg thotë se ditari është bisedë me Zotin, e njerëzit mund ta kuptojnë këtë fjalë në mënyra të ndryshme, unë e kam kuptuar kështu si e thashë: në ditar thuhen ato që nuk thuhen publikisht.

Ditari fillon në vitin 1966, për arsye se në atë vit, ka ndodhur një ngjarje shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, në të cilën janë qëruar hesapet me UDB-në dhe me ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe, nënkryetar i Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviç. Qërimi i hesapeve me UDB, që ka bërë tmerre në Kosovë, sadokudo i ka zgjeruar mundësitë tona për t’u shprehur, dukshëm më lirisht se përpara dhe për të bërë disa punë, që përpara nuk kemi pasur mundësi t’i bëjmë, në përgjithësi në Kosovë. Në Ditar, duke filluar prej asaj ngjarjeje, jam marrë me dukuri të ndryshme, me figura të ndryshme politike, intelektuale që kanë vepruar në atë kohë, që kanë vepruar mirë, por më shumë jam marrë me veprimet që më janë dukur që nuk janë në pajtim me kohën dhe me ardhmërinë e Kosovës dhe popullit shqiptar.

A u jeni treguar besnik të atyre që keni shkruar në atë kohë në ditar, edhe pse përgjatë viteve mund të ketë ndodhur që të keni ndryshuar mendim, për çështje e persona të ndryshëm?

Qosja: Aty janë portretet e një vargu vetjesh, personazhesh, personalitetesh politikë, shtetarë, intelektualë e krijues të ndryshëm, gazetarë e publicistë. Unë i kam paraqitur ngjarjet ashtu si kanë ndodhur në një moment të caktuar, por edhe individët, ashtu si kanë vepruar në një çast, në një situatë, në një ditë, e nëse në një ditë tjetër, në lidhje me ngjarje të ndryshme, ata kanë vepruar ndryshe, unë i kam paraqitur ndryshe. Nëse në një situatë ata kanë vepruar mirë, në pajtim me interesat e përgjithshme, e jo sipas interesave të tyre a grupeve të tyre, i kam paraqitur me përkushtim e me simpati, por nëse kanë vepruar në kundërshtim me interesat e përgjithshme, unë i kam paraqitur ashtu si kanë vepruar. I njëjti person, e njëjta figurë politike, shtetare, tek unë, mund të paraqitet në një situatë dukshëm pozitive e në një situatë tjetër, në lidhje me ngjarje të tjera, mund të paraqitet dukshëm negative.

Mobi Casa

Domethënë, nuk ka nota subjektivizmi?

Qosja: Unë jam përpjekur të jem objektiv deri në fund, çka nuk është e lehtë, në ditarë e në kujtime sepse kanë përmasa subjektive. Keni hedhur në kujtime edhe ditarët mbi Kongresin e Drejtshkrimit.

Si e shihni atë kongres sot?

Qosja: Unë në atë kongres kam qenë anëtar i këshillit organizues si drejtor i Institutit Albanologjik. Më kanë propozuar e zgjedhur me Idriz Ajetin, anëtar të këshillit organizues dhe kam marrë pjesë në të gjithë takimet e kongresit, madje kam qenë edhe në kryesinë e tij. E kam përshkruar në vija të përgjithshme se si është zhvilluar ai dhe kam përshkruar një numër intelektualësh, shkrimtarësh, gjuhëtarësh, shkencëtarë e historianë dhe individë të tjerë me të cilët jam takuar. Disa i njihja më para e disa i kam njohur aty. I kam paraqitur në ditar ashtu si i kam parë, çmuar e përjetuar krijimtarinë e tyre, duke u përpjekur të jem objektiv në paraqitjen e tyre dhe në paraqitjen e tyre në kongres dhe kontributin që kanë dhënë ata në të, për gjuhën, për standardin. E kam parë si një ngjarje të madhe, si një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në historinë e popullit shqiptar, sepse një popull-një gjuhë standarde, ose një popull-një gjuhë, ky ka qenë parimi ynë. Me këtë ide ne kemi mbajtur në Kosovë atë që njihet si Konsulta Gjuhësore.

Ju trajtoni në këto ditarë edhe raportet shkrimtar-shtet, në Kosovë dhe në Shqipëri. Cilat janë në fakt këto raporte?

Qosja: Nuk ka shumë dallim mes raportit shkrimtar-shtet në Kosovë dhe në Shqipëri. Këtu ka mbizotëruar doktrina e realizmit socialist, që ka vënë kufizime, dhe kufizime të forta krijuesve, në mënyrë të veçantë shkrimtarëve, historianëve, krijuesve të shkencave shoqërore. Në Kosovë nuk ka qenë doktrinë e detyrueshme realizmi socialist. Jugosllavia është shkëputur me realizmin socialist në vitin 1948, por megjithëse realizmi socialist nuk ka qenë doktrinë e obliguar, doktrinë politike shtetërore, megjithatë, edhe në Kosovë shkrimtarëve u janë vënë kufizime. Nuk kemi mundur të shkruajmë si duam e çfarë duam në mënyrë të veçantë për traditën tonë, për letërsinë, për krijimtarinë, për studimet albanologjike, etj. Nuk kemi mundur të shkruanim si të donim, ka pasur disa kufizime që u janë vënë ideve, qëndrimeve, atdhetarizmit dhe pikëpamjeve tona, e në mënyrë të veçantë qëndrimit tonë ndaj Shqipërisë. Jugosllavia në vazhdimësi është sjellë me censura politike, ideologjike ndaj Shqipërisë, duke na kufizuar edhe ne krijuesve./gazeta shqiptare/