Qindra milionë çdo vit në xhepat e të korruptuarve
Sindroma e tenderomanisë kriminale, që ka zënë rrënjë në Kosovën e pasluftës përmes krimit të organizuar, e ka shkatërruar vendin, ngase çdo vit rreth 700 milionë euro shpenzohen nëpër tenderët milionësh për investime kapitale, mallra dhe shpenzime kot së koti.
GRAPCI: Zyrtarët e lartë politikë, që janë të kapur me nëntokën kriminale dhe me klanin ‘Pronto’, çdo ditë po bëjnë marrëveshje shkatërruese për qytetarët dhe fitimprurëse për xhepat e tyre.
Sindroma e tenderomanisë kriminale, që ka zënë rrënjë në Kosovën e pasluftës përmes krimit të organizuar, e ka shkatërruar vendin, ngase çdo vit rreth 700 milionë euro shpenzohen nëpër tenderët milionësh për investime kapitale, mallra dhe shpenzime kot së koti.
Sipas njohësve të kësaj fushe, çdo vit mbi 700 milionë euro kalojnë nëpër duart e zyrtarëve të inkriminuar e të kapur të prokurimit, nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me nëntokën, si në nivelin komunal po ashtu edhe në atë qendror. Sipas analistëve, një përqindje e madhe e këtij 700 milionëshi çdo vit po ashtu përfundon në xhepat e kontot e politikanëve, zyrtarëve të prokurimit dhe nëntokës së krimit. Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në prokurim është bërë një gangrenë për shtetin dhe ekonominë e Kosovës, ku tenderët i marrin vetëm ata që paguajnë tallin për pushtetarët dhe mafio-oligarkët e inkriminuar. Ndërsa drejtësia është në gjumë, përballë këtij krimi të madh ekonomik, që ndodh hapur, por askush nuk e heton dhe nuk e ndëshkon me forcën e ligjit.
Prokurimi Elektronik, një dështim
Deputeti i opozitës Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se tashmë dihet botërisht se në Kosovën e pasluftës, sindroma e tenderomanisë kriminale që ka zënë rrënjë përmes krimit të organizuar e ka shkatërruar vendin. “Kjo, ngase çdo vit janë rreth 700 milionë euro para të thata të tatimpaguesve tanë që po shpenzohen nëpër tenderët milionësh për investime kapitale, mallra dhe shpenzime kot së koti”, u shpreh ai. “Më nuk ka asnjë dyshim se niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar në prokurim është bërë një gangrenë për shtetin dhe ekonominë e Kosovës, ku tenderët i marrin vetëm ata që paguajnë tallin për pushtetarët dhe mafiooligarkët e inkriminuar”, vijoi më tej Salihu. Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot’, tha se është për keqardhje që as platforma elektronike, e Prokurimit Elektronik, nuk ka realizuar pritjet për luftimin e korrupsionit. “Edhe pse kur u proklamua kjo platformë u tha se dallimi mes prokurimit të deritashëm dhe atij elektronik është i madh, sepse ky i fundit siguron kursime, ka siguri më të madhe dhe qëndrueshmëri në procesin e konkurrimit”, u shpreh ai. “Duhen edhe masa të tjera për të luftuar korrupsionin, pasi Prokurimi Elektronik nuk realizon pritjet se do të ndalë hajnitë e buxhetit dhe zhvatjen e tij, ngase janë në pyetje 700 milionë euro gjatë një viti, për të luftuar korrupsionin. Prokurimi Elektronik është mjet për të bërë prokurim, por e keqja është se as Prokurimi Elektronik nuk i realizoi pritjet tona në luftë kundër korrupsionit”, vlerësoi Maloku.
TALLI PËR MAFIO-OLIGARKËT
“Si është e mundur që po hesht prokuroria, aq më tepër kur dihet se korrupsionit dhe krimi i organizuar në prokurim janë bërë një gangrenë për shtetin dhe ekonominë e Kosovës, ngase tenderët i marrin vetëm ata që paguajnë tallin për pushtetarët dhe mafio-oligarkët e inkriminuar”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.
SHKELJE TË SHUMA
Gjatë vitit 2017 janë gjetur 322 shkelje të ligjit nga zyrtarët. Gjatë shqyrtimit të lëndëve për 553 ankesa të shqyrtuara nga OSHP-ja, 281 raste i ka kthyer në rivlerësim dhe ka vërejtur se ka pasur shkelje nga autoritetet kontraktuese, 26 raste flakje të ankesave, sepse kanë qenë të paplotësuara, 16 rastet janë tërhequr, 18 raste OSHP-ja ka lëshuar urdhëresa për moszbatim. Pra, janë 322 shkelje të ligjit nga zyrtarët, kurse OSHP-ja ka dhënë 25 gjoba.
Tjetërsimi i milionave
Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për ” Kosova Sot “, tha se miliona euro në vit tjetërsohen brenda institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në forma të ndryshme, që nga dyfishimi i çmimeve për një produkt të blerë, e deri te keqmenaxhimi i projekteve madhore, manipulohet edhe me komplekset memoriale, raste që çdo ditë raportohen në medie të shkruara dhe elektronike. “Pasojat ekonomike që dalin nga keqmenaxhimi dhe keqplanifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovarë humbin si pasojë e faktorit njeri, shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase, efektive dhe me një transparencë më të madhe”, u shpreh ai. Sipas KDI-së, rezultat i mungesës së cilësisë pas realizimit të kontratave po bën që investimet të ndodhin nga dy herë dhe operatorët ekonomikë detyrohen t’i frenojnë punët që nuk janë përfunduar mirë. “Ne si tatimpagues nuk mund të lejojmë humbjen e parasë publike, përveç detyrës si tatimpagues për të mbrojtur paranë publike duhet të brengosemi edhe për investimin e saj, pasi jemi dëshmitarë se investimet nga paraja publike shpesh keqmenaxhohen nga ana e shumë organizatave buxhetore”, ka thënë Beqiri. “Qeveria ‘Haradinaj’ aprovoi Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve ’90. Sipas Projektligjit, secili qytetar i Kosovës, i cili ka së paku një vit përvojë pune në arsimin paralel gjatë viteve të okupimit, ka të drejtë të marrë pension mujor. Sipas institutit GAP dhe i konfirmuar edhe nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës, kostoja vjetore e këtij ligji do të shkojë deri në 25 milionë euro në vit. Në 30 vjetët e ardhshëm, për zbatimin e këtij ligji do të nevojiten së paku 650 milionë euro”, potencoi ai.
PASURIMI I SHPEJTË TË HETOHET
“Duhet të veprojnë organet e drejtësisë, sepse përndryshe kjo temë do të mbetet brenda kornizave mediale që parimisht nuk mund të flasësh me shifra, por vetëm dy fakte janë të pamohueshme, rrjedha e mjeteve deri në destinim si dhe shtimi i shpejtë i pasurisë së njerëzve të pushtetit në krahasim me të hyrat e tyre reale. Me këtë dua të potencoj që duhet të bëhet auditimi i pasurisë me të hyrat i njerëzve të pushtetit, por kjo i takon detyrës së drejtësisë”, tha Mustafë Kadriaj për “Kosova Sot”.
BORXHI 1 MILIARD
“Problemi tjetër është huazimi nga institucionet ndërkombëtare çka kemi pasur edhe humbje të ndryshme si pasojë e mosmenaxhimit të duhur, Republika e Kosovës aktualisht ka borxhe rreth 1 miliard euro ose 1/3 e buxhetit të shtetit. Çdo qytetar i Kosovës i detyrohet borxhit me rreth 600 euro. Mirëpo, Ministria e Financave përgjatë viteve 2009-2017 ka respektuar në tërësi limitin e lejuar ligjor për marrjen e borxheve publike. Trendi i regjistruar gjatë kësaj periudhe nuk paraqet ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të shtetit raporton auditori i përgjithshëm në raportin e tij të vitin 2017”, tha Lulzim Beqiri për “Kosova Sot”.
Zhvatja e parasë publike
Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, tha për “Kosova Sot”, se dukuria e tenderomanisë dhe e zhvatjes së parasë publike nuk ka të ndalur, por më e rënda është se kjo dukuri trajtohet vetëm nga disa medie, që përkundër rrezikimit edhe fizik tentojnë që të hedhin në pah, por nga organet që janë të obliguara edhe me ligj dhe paguhen, por i mbyllin sytë para kësaj zhvatjeje që po e dëmton Kosovën ekonomikisht, por njëherësh edhe imazhin ndërkombëtar, që prapë po pëson ekonomia në vend dhe qytetari. “Përderisa drejtësia nuk e thotë fjalën e vet, duke dhënë dënime kapitale, këto grupe nuk do të ndalen, sepse përvetësojnë mjete marramendëse”, ka thënë ai. Analisti Dardan Grapci tha për ” Kosova Sot”, se tenderomania kriminale e ka sjellë ekonominë e Kosovës në këtë gjendje të mjerueshme, si dhe bizneset që janë të lidhura me tenderomanët e rrezikshëm direkt apo indirekt po përfitojnë në kurriz të qytetarëve, kurse ato biznese e qytetarë që punojnë sa për të mbetur gjallë dhe sa për të jetuar, sot për nesër, dhe dita- ditës po largohen nga tregu në pamundësi për të fituar diçka. “Zyrtarët e lartë politikë, që janë të kapur me nëntokën kriminale dhe me klanin ‘Pronto’, çdo ditë po bëjnë marrëveshje shkatërruese për qytetarët dhe fitimprurëse për xhepat e tyre. Ndaj, edhe niveli i lartë i korrupsionit mbetet një ndër problemet kryesore në Kosove, ngase si po duket Agjencia Antikorrupsion nuk po kanë mjete dhe ide se si ta luftojnë korrupsionin tek zyrtarët e lartë politikë dhe komunalë”, vlerësoi ai. Kurse, analisti Ragip Guraziu, për ” Kosova Sot”, thotë se një pjesë e madhe e shumës prej mbi 700 milionë euro për çdo vit përfundon në xhepat e kontot e politikanëve, të zyrtarëve të inkriminuar, dhe asnjë në përgjegjësi dhe asnjë i burgosur nuk është e kjo ndodh vetëm në Kosovë. “Pushtetarët tanë kaherë ishin në dijeni se tenderomania kriminale e ka shkatërruar Kosovën përmes krimit të organizuar, por ata po heshtin”, ka potencuar Guraziu.
(Kosova Sot)


