Qindra libra për disa mijë euro

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Ndonëse ishte paraparë që të mbyllet me datën 23 të muajit shkurt, konkursi për blerjen e librave, i shtyrë edhe tri ditë më shumë, është mbyllur dje. Në bazë të rregullores së re për punën e Këshillit të Librit nga 23 janari deri më 23 shkurt të këtij viti, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte hapur konkurs për të gjitha shtëpitë botuese në Kosovë, me qëllim përkrahjen e tyre.

Sipas konkursit që tashmë është mbyllur, librat që do të blihen nga MKRS-ja, ndër kriteret që duhet të përmbushin veprat që do të blihen janë: veprat me vlerë kulturore artistike kombëtare, përkthime që paraqesin arritje të përgjithshme artistike, dhe të jenë vepra të botuara në dy vitet e fundit nga botues të regjistruar në Republikën e Kosovës.

Shkelzen Dragaj, këshilltar i ministrit Memli Krasniqi, për këtë iniciativë thotë se kjo është bërë sipas rregullores për mbështetje të librit. “Prioritet dhe iniciativë e ministrit Krasniqi ka qenë rritja e mbështetjes për librin, por krahas saj edhe të pasurohen bibliotekat në vend”, ka thënë Dragaj.

Kushtet dhe procedurat e zgjedhjes janë pjesë që i takon Këshillit të Librit, thotë Dragaj, ndërsa për sasinë dhe mënyrën e zgjedhjes së tyre, ai thotë se kjo është pjesa e cila i takon Këshillit të Librit, se cilat do të përzgjidhen. Favoret më të mëdha nga ligji i themeluar së voni, më së shumti do të përfitojnë bibliotekat komunale, të cilat thonë se janë në nevojë për mbushjen e rafteve. Konkursi për libër ka paraparë që secili libër me të cilin konkurohet të ketë jo më pak se 50 libra dhe jo më shumë se 100, numër ky i përcaktuar nga Këshilli i Librit.

Ndërsa në konkursin për përkrahjen e botimit të revistave letrare thuhet se MKRS-ja do të përkrahë revistat që kultivojnë vlera letrare, artistike e kulturore dhe revista me përmbajtje të profilizuar të rëndësisë së veçantë. Profilizimi programor, aktualiteti, baraspesha konceptuale, janë disa nga kriteret. Sivjet do të jenë gjithsej tri konkurse për libra e revista.

Eco Higjiena

Nazmi Rrahmani, nga shtëpia botuese “Faik Konica”, thotë se kjo iniciativë e MKRS-së është gjesti më i mirë që mund të mendohet në të mirë të librit të cilat janë më të mira. Por, pas kësaj ai ndjehet i frikësuar nga ky ligj duke thënë se librat që do të mbështeten të mos jenë të shokëve të udhëheqësve në MKRS. “Ka qenë shpallja e hapur dhe ne si gjithë të tjerët kemi konkuruar e tani po presim se si do të mbështetet libri”, thotë Rrahmani.

Ndërsa tregon se shtëpia botuese “Faik Konica” të cilën e përfaqëson vetë Rrahmani, i ka dërguar të gjitha gjinitë e mundshme, si: libra për fëmijë, prozë, poezi, libra nga historia, publicistika dhe kultura e përgjithshme. “Ndonëse ministria mendon se duhet të blihen librat e lirë që të jetë sasia më e madhe, atëherë mendoj se e ka gabim, mendoj që duhet të blihen librat që kanë nevojë lexuesit për to”, shtoi Nazmi Rrahmani.

Për marrjen e vendimit dhe zgjedhjen e librave, Dragaj tha se kjo së shpejti do të bëhet publike, ngase është procedurë e cila duhet të rishikohet nga Këshilli i Librit.

Buxheti vjetor për librin në vitin 2011 ka qenë vetëm 30 mijë euro, në vitin 2012 është rritur në 60 mijë, ndërsa në 2013-n kjo shumë është ngritur në 80 mijë euro.(zeri)