RCCOLA

Qeverisje e dëmshme për qytetarët e Gjilanit

/ 17 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Fehmi Sylejmani – Pa dyshim qytetarët e Gjilanit janë ata, të cilët me votën e tyre të lirë, më 3 nëntor, do të përcaktojnë kush do ta udhëheq Gjilanin në katër vitet e ardhshme. Dhe s’do mend, këta qytetarë të respektuar tashmë i kanë kuptuar dhe shijuar të mirat dhe të këqijat e këtij pushteti aktual gjatë këtyre viteve që e kanë drejtuar Gjilanin.

Pa e mohuar absolutisht ndonjë anë pozitive të kësaj qeverisje, përfundimisht dhe rrjedhimisht del se shumë më shumë ka reflektuar me qeverisje jo të mirë dhe të dëmshme për qytetarët gjilanas. Po ia përkujtojmë kreut aktual të komunës dhe partisë së tij, por edhe opinionit të gjerë, se kjo qeverisje (kryetari Q. Mustafa) kishte premtuar investime në vlerë mbi 100 milionë euro. Premtim që nuk është realizuar as për së afërmi.

Vetëm 15 milionë euro janë investuar gjatë këtyre katër viteve që po i lëmë pas. Është simptomatike që madje vetë kryetari aktual, Qemajl Mustafa disa herë është ankuar publikisht se komuna e Gjilanit është anashkaluar nga qeveria sa i përket investimeve në këtë komunë, sikundër që edhe të gjitha subjektet politike në Asamblenë Komunale të Gjilanit, disa herë, kanë shprehur shqetësimet e tyre se qeveria e vendit po interesohet fare pak për Gjilanin me rrethinë. Andaj, çdo përpjekje e qeverisjes aktuale për t’u justifikuar se ka investuar më tepër, për çdo qytetar serioz, dorën në zemër, del shumë qesharake.

Para katër vitesh, gjithashtu ishte premtuar se do të bëhet hapja Universitetit Publik në Gjilan, madje duhet të kishte qenë i treti në vend, por, siç e di opinioni i gjerë dhe shumë i respektuar gjilanas, kjo gjë u”realizua” vetëm sivjet, në prag të fushatës elektorale, me ç’rast gjithçka u bë “ad hoc” dhe ndryshoi vetëm mbishkrimi në godinën e ish SHLP-së, ngase as pati degë të reja, as pati konkurs për pranim të studentëve. S’do mend se përshëndesim hapjen e Universitetit në Anamoravë, por në mënyrë të rregullt, pas debatit publik, dhe me pjesëmarrjen e profesionistëve të cilët do të kujdeseshin edhe për kapacitetin e infrastrukturës, edhe për numrin e studentëve edhe për Fakultetet eventuale që duhet të hapen.

Keqqeverisja lokale pa vizion zhvillimi dhe punësimi

Premtim tjetër ishte krijimi i 4 mijë vendeve të punës (punësimin e më shumë se 1000 personave në vit) dhe ngritja e standardit. Premtim i cili “është realizuar” duke rritur numri i punëtorëve (militantë) në administratën komunale, duke ngarkuar shportën edhe ashtu tejet të “hollë” të buxhetit komunal. Natyrisht, nuk ka pasur ngritje të numrit të punëtorëve në sektorin ekonomik, nga do të gjeneroheshin të hyra buxhetore. Të gjitha të dhënat e Qendrës Rajonale për punësim ofrojnë shifra sipas të cilave numri i të papunëve është në rritje rapide. Është premtuar përmirësim të infrastrukturës në tregun e gjelbër dhe krijimin e kushteve më të denja për shitësit. Por, edhe pas katër vitesh, tregu i gjelbër është ai që ka qenë edhe më parë. Ditëve të fundit kjo qeverisje u përpoq dhe do të përpiqet sërish t’i mashtrojë shitësit duke e prezantuar një projekt, i cili, në të vërtetë, është përgatitje për privatizimin e kësaj hapësire.

Premtim tjetër ka qenë investime në bujqësi me vlerë mbi 6 milionë euro. Në shikim të parë, investime në bujqësi ka pasur, në ngritjen e serave, dhënien e makinave mjelëse, të fidanëve apo edhe farës, mirëpo nga bujqit ka pasur shumë pakënaqësi, madje edhe refuzime, për mënyrën se si është bërë ndarja e tyre, s’do mend, janë favorizuar aktivistët partiakë nëpër fshatra, kryesisht të pushtetit, dhe nuk janë investuar as afër 6 milionë, por shumë më pak.

Kishte premtime edhe për investime në industri, ndërtimtari dhe turizëm. Investime në industri nuk ka pasur fare. Në ndërtimtari ka pasur zhvillime nëpërmjet partneritetit publik-privat, kjo ngase është mënyra më e përshtashme për përfitime individuale dhe klanore. Ky veprim, të cilit i vjen era korrupsion, është kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga profesionistët, me arsyetimin se prona komunale në qendër të qytetit u është dhënë privatëve, të cilët po përfitojnë. Rasti i godinës së Kadastrit, është shembulli më i stërkequr i PPP-së.

Investime në fushën e turizmit në Gjilan nuk ka pasur, madje as është diskutuar ndonjëherë si ide.

Premtim tjetër, “i dështuar” ka qenë krijimi i kushteve më të mira për thithjen e investimeve të huaja dhe vendore. Deri më tani nuk ka ndodhur që ndonjë i huaj të investojë në Gjilan, përkundër interesimit të shprehur. Ka raste, kur investitorët vijnë e largohen, të “frikuar” nga “kushtet” e kërkuara nga qeveritarët. Vendorët kanë investuar më shumë në hapjen e qendrave tregtare dhe të veprimtarive të tjera shërbyese, por më pak – në ekonomi e prodhim. Në ndërkohë janë mbyllur shumë biznese të vogla dhe të mesme, të “mbytur” nga konkurrenca jo e drejtë me tregtarët e mëdhenj të supermarketeve.

Është premtuar ndërtimi i parkut industrial prej dhjetëra hektarëve, ku investitorët vendorë dhe të jashtëm do të joshen me lehtësira të ndryshme që të investojnë. Po ua përkujtojmë ky premtim nuk është realizuar kurrë.

Pastaj, është premtuar investime në infrastrukturën shkollore dhe reformimin e mësimdhënies e mësimxënies në shkollat ekzistuese. Infrastruktura shkollore është duke u përmirësuar, kurse cilësia në mësim është për keqardhje. Përkundër premtimeve të shumta, në Gjilan ende ka shkolla që punojnë në tre turne edhe me orë të shkurtuara mësimore, ndërkohë që mungesa e kabineteve dhe mjeteve të konkretizimit në mësim është bërë “e zakonshme”, sikundër që ka mungesë të theksuar të terreneve sportive dhe sallave të edukatës fizike, nga sa dimë në këtë aspekt Gjilani qëndron më keq se Bresalci!.

Kryeministri, në mbështetje të kryetarëve të komunave nga partia e tij, kishte premtuar lap-top-ë dhe teknologjinë informative nëpër të gjitha shkollat, por kjo nuk ndodhi. Po ashtu, ka stërvonesa në hapjen e shkollave të ndërtuara, e sidomos rasti i objektit të ri të gjimnazit, i cili akoma nuk është përfunduar, ndërsa po afrohet edhe viti i ri mësimor. Hapësira përreth këtij gjimnazi është në gjendje të rëndë infrastrukturore, andaj edhe sikur “të prehej shiriti” para fillimit të zgjedhjeve, nxënësit nuk do të kenë mundësi të qëndrojnë dhe të kenë qasje normale për në shkollën e tyre. Është premtuar në krijimin e një ambienti ekologjik në shkollë dhe jashtë saj. Kushtet shumë pak kanë ndryshuar, sepse fare pak është investuar.

Premtime të mëdha kishin marrë edhe sportistët, mirëpo, përveç investimeve të pjesërishme në fushën e stadiumit të qytetit, investime të tjera nuk ka pasur. Ishte premtuar edhe një fushë ndihmëse dhe një stadium tjetër krahas këtij aktual – të vetmit në qytet, por jemi dëshmitarë të gjallë, se kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë me këtë qeverisje, sepse nuk kanë fitim në këto objekte, si te shitja e ndonjë banese.

Rrënimi i Bibliotekës rajonale – shkatërrohet që në fillim të punimeve

Objekti i Bibliotekës rajonale ka ngecur në procesin fillestar të punimeve, vetëm disa ditë nga fillimi, punimet u ndërprenë dhe tërë projekti “avulloi”. Ajo edhe është pasqyra më e rrezikshme e udhëheqjes së keqe të komunës, ngase bëhet fjalë për 2 milion euro, donacion nga Komisioni i Bashkimit Evropian, gjegjësisht taksapaguesve evropianë, i cili rrezikon të humbet, siç rrezikohet interesimi i donatorëve të jashtëm në Gjilan, për shkak të krijimit klimës së shëmtuar të qeverisë lokale dhe qendrore. Këtë e dinë krerët komunalë, por edhe të gjithë qytetarët, sepse sa herë rastisin të kalojnë kah sheshi “Kadri Zeka”, mund të shohin një ndërtim të gjymtuar dhe të dështuar!

Pastaj, ka pasur premtime edhe për ndërtimin e shkollës së re në fshatin Kishnapole, mundësimin e mbarëvajtjes së praktikës për studentët, decentralizimin e administratës dhe vendosjen e saj pranë qytetarit. Por, radhët e krijuara para ndërtesës së Administratës janë treguesit më të mirë se me çfarë administrate kemi të bëjmë, edhe përkundër faktit që administrata është e “digjitalizuar”.Kjo është pasojë e dështimit të ndërtimi të objektit të ri për administratën dhe kuvendin, me të cilin premtim kryetari aktual krenohej para katër vitesh, duke premtuar se “do të mbahet në mend në Gjilan”. Tani, çka është e vërteta, do të mbahet në mend, porse për së keqi, sepse drejtoritë komunale në Gjilan janë të ndara pikë e pesë, kurse shumica e qytetarëve humbin orë të tëra gjersa e kuptojnë se ku gjendet një drejtori e caktuar, derisa trafiku urban është projekt i premtuar vetëm në letër.

Kishte premtime të mëdha para elektorale në lagjen Arbëria. Por, janë vetë qytetarët e kësaj lagjeje që po e shohin se janë mashtruar rëndë nga kjo qeverisje, sepse ka pasur shumë pak investime në këtë lagje.

Janë premtuar investime në energjetikë, ndriçim publik, hapësira të gjelbëruara, parkingje, unazë transitore, rregullimin e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit, trajtim të plotë të mbeturinave dhe ujërave të zeza. Edhe përkundër faktit se është investuar diç në energjetikë, edhe atë falë qeverisë zvicerane, për ndriçim publik qytetarët kanë vërejtje, të cilat mund të përmbyllen me atë se më shumë është investuar në dy fshatra, në Përlepnicë dhe, sidomos, në Malishevë, prej nga vijnë numri më i madh i udhëheqjes së PDK-së dhe të komunës. Nëpër qytet janë mbjellë drurë të ri dekorativë, për çka ka pasur vërejtje të qytetarëve, për shkak se janë hequr blirët e vjetër, sikundër që ka pasur vërejtje të madhe edhe rreth çmimit të këtyre drurëve “ekzotikë”. Problemi më i madh i qytetit vazhdon të mbetet trajtimi i ujërave të zeza, të cilat vazhdojnë të derdhen në lumin Mirusha, duke rënduar ambientin me erë kundërmuese. Përkundër të gjitha premtimeve që gjendja do të rregullohet shumë shpejt, ky problem ende nuk është rregulluar. Komuna ia hedh fajin qeverisë, e cila “nuk i ka dhënë mjetet e premtuara”, kurse qeveria e hedh “topin” në fushën e komunës… Në ndërkohë, deri më tashti është kryer vetëm një pjesë e vogël e punëve në periferi të qytetit.

Mobi Casa

Kolektimi i stërvonuar dhe i pjesshëm i ujërave të zeza

Tjetër premtim ka qenë kolektimi i ujërave të zeza në të gjithë fshatrat e mëdha dhe pastaj trajtimi i tyre në një ‘fabrikë’. Banorët e fshatrave përreth Moravës ankohen se lumi është shndërruar në kolektor të ujërave të zeza, kurse ndërtimi i një impianti, i cili ishte premtuar ka, ngelur vetëm premtim. Kurse projekti për trajtimin e lumit Stanishor, as që ka filluar ndonjëherë.

Ishte premtuar, me të madhe, edhe projekti për ndërtimin e një qendre multi‐kulturore, ku do të veprojnë të gjitha grupet rinore, teatrale-dramatike, muzikore, figurative, ku do të ketë hapësirë të mjaftueshme, si dhe kushte të denja për punë dhe aktivitete kulturore të rinisë gjilanase. Projekt i cili jo vetëm që nuk është realizuar, por, siç po del, as në letër nuk është hedhur kurrë. Pastaj, ndërtimi i parkut me një qendër rekreative sportive, në hapësirën e zbrazët që dikur ishte treg i kafshëve. Pos largimit të tregut të kafshëve, nuk është punuar asgjë në këtë drejtim.

Është premtuar një godinë e re për QKMF-në edhe hapja e disa qendrave të reja. Natyrisht, objekt të ri për QKMF nuk ka, por vetëm janë bartur shërbimet e kujdestarisë në lagjen Dardania. Me sa e di opinioni i gjerë, nuk ka pasur asnjë ndërtim të ri në infrastrukturën e mjekësisë familjare, ndërkohë që shërbimet shëndetësore, veçmas në Spitalin Rajonal, janë mjaft jo kualitative.

Ishte premtuar edhe ndërtimi i shtëpisë për të moshuarit, por ky problem as është diskutuar ndonjëherë. Tjetër premtim ishte mbrojtja dhe respektimi i Planit zhvillimor urban. Edhe përkundër faktit që është hartuar plani i ri zhvillimor urban, ka vërejtje (ekziston dyshimi) se i njëjti është ndryshuar, sidomos kur ka të bëjë me lagjen “Fidanishtja”, ndërkohë që shërbimet në Drejtorinë e Urbanizmit janë aq burokratike, sa mund të kalojnë më shumë se tre muaj për t’u pajisur me leje për ndërtim.

E veçmas(Mustafa) ka premtuar asfaltimin e rrugëve nëpër viset urbane dhe rurale, si kundër edhe nëpër fshatrat e brezit kufitar. Është premtuar rruga me katër korsi për në Prishtinë e po ashtu edhe për në Ferizaj, por ja që asnjëra nuk ka ndodh. Është premtuar asfaltimi i rrugës në fshatrat Karavaricë, Nasalë dhe Bilinicë, por ja që akoma këta qytetarë të nderuar nuk e kanë asfaltin. Pikërisht janë politikat e gabuar të kësaj qeverisje për fshatrat e brezit kufitar, të cilat çdo ditë e më shumë veç sa po boshatisen nga banorët e saj.

Shumë rrugë në lagjen më të urbanizuar në qytet, Dardani janë shndërruar në gërmadha dhe liqe artificial, e ky pushtet asnjëherë nuk ka investuar në këtë lagje, e kur dihet mirëfilli se banorët e kësaj lagjeje janë më të ndërgjegjshmit për obligimet tatimore dhe komunale.

Rruga në drejtim të Kodrës ë dëshmorëve – e premtuar me shumë pompozitet, para tre vjetësh, është shembulli më “i mirë” i efikasitetit të qeverisjes lokale… Tash oborri i spitalit është shndërruar në kullosë bagëtish, kurse trotuari i kësaj rruge është shndërruar në parkim makinash të atyre që kanë punë në spitalin regjional.

Kryetari Mustafa dënohet me 700 euro nga Gjykata për konflikt interesi

Ishte premtuar edhe përmirësime në NP “HIGJIENA” dhe NP “HIDROMORAVA”, kompani që nuk i kanë përmirësuar shërbimet, kurse komuna është munduar ta “mbajë gjallë” (mos)punën e tyre me kushtëzime ndaj qytetarëve. Për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme, komuna i ka detyruar qytetarët të paguajnë shërbimet e ujësjellësit dhe higjienës, edhe pse njëra nga këto kompani është rajonale e jo komunale. Tash, së fundi, kompania “Higjiena” nuk është më kompani publike, por është paraparë të jepet për 15 vite përmes PPP-së. Dhe shumë dyshime aludojnë për atë se në këtë kompani aksionar është edhe vetë kryetari aktual Mustafa, i cili nga Gjykata ishte dënuar me vetëm 700 euro gjobë për konflikt të interesit.

Agjencia kundër korrupsionit kishte njoftuar se gjykata komunale për kundërvajtje në Gjilan ka dënuar me gjobë prej 700 eurosh kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa për shkak se nuk ka përfillur kërkesat e Agjencisë kundër Korrupsionit për tu shmangur nga konflikti i interesit në të cilin ndodhej.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se ky aktvendim është sepse më datë 23.02 2012 nga Agjencia kundër Korrupsionit është vërtetuar se ekziston konflikti i interesit meqë Mustafa si njëri prej pronarëve të biznesit privat SH.P.K “Fruta Viva” ka qenë personi i vetëm i autorizuar i atij biznesi, dhe si rrjedhojë ka bërë vepër kundërvajtëse nga neni 8 paragrafi 1 i ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Mustafa nuk përfill rekomandimet e Auditorit

Kryetar Qemajl Mustafa, vazhdon të kërkojë nga kompanitë private ndërtuese, që të paguajnë anëtarët e komisionit vlerësues të komunës të cilët bëjnë pranimin teknik të objektit të tyre.

Këtë vendim, komuna është dashur që ta anulojë që vitin e kaluar, pasi që nga ana e Zyrës së Auditorit Gjeneral të Kosovës, i cili vitin 2012, është konsideruar se detyrimi i kompanive private që shumën 1 për qind të vlerës totale të tenderit t’ia japin punëtorëve të komunës që caktohen si Komision për pranim teknik të objekteve të financuara nga komuna, paraqet si shkelje dhe veprim i jashtëligjshëm.

Zyrtarë të Auditorit gjeneral të Kosovës, bëjnë të ditur se komuna e Gjilanit akoma nuk e ka përfillur rekomandimin e tyre për anulimin e vendimit të vitit 2008, edhe pse një gjë e tillë i është rekomanduar qysh vitin e kaluar.

Gjilanasit njihen si prijës të ndryshimeve të mëdha

Nuk është vështirë të kuptohet se cilat projekte janë realizuar e cilat fare nuk janë realizuar. Mos të flasim që shumica e fshatrave të Gjilanit kanë probleme me rrugë të paasfaltuara, pa kushte për zhvillim të bujqësisë dhe blegtorisë, pa mundësi punësimi për të rinjtë, etj. Po ashtu, edhe ato projekte që janë përfunduar, nuk janë përfunduar si duhet, sepse shtresa finale e asfaltimit mungon tërësisht, trotuaret dhe kubëzat kanë mbetur pa u rregulluar dhe i tërë investimi mund të shkojë kot. Andaj është lehtë të thuhet se kjo qeverisje lokale e Qemajl Mustafës dhe PDK-së, me “koalicionin” aktual, nuk ka udhëhequr aspak mirë, prandaj duhet të ik sa më shpejt.

Jemi shumë të bindur se qytetari i Gjilanit di mirë të vlerësojë kujt duhet t’ia besojë qeverisjen lokale, gjilanasit janë të njohur si forcë e ndryshimeve të mëdha, andaj PDK-ja në pushtet do të jetë tregim i së shkuarës. Gjilanasit dinë të befasojnë, për t’u bërë pjesë kryesore e ndryshimit të këtij mentaliteti qeverisës. Shpresa është ringjallur, po aq sa edhe zhgënjimi i thellë që i ka kapluar qytetarët nga kjo qeverisje e koalicionit aktual. Prandaj, kthimi i vërtetë i shpresës do të vijë në plotësi, sidomos kur të realizohet ky ndryshim në qeverisje, me ndershmëri, vizion, drejtësi dhe guxim.