Eko Higjiena

Qeveria themelon edhe tri universitete publike në Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Qeveria e Kosovës ka marr vendim për themelimin edhe të tri universiteteve publike, në Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan. Zyrtarët më të lartë institucioneve të vendit këtë e kanë vlerësuar si një hap në ngritjen e cilësisë së arsimit, rritjen e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit.

Ekzekutivi i vendit, sot ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e universiteteve publike në Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan, si institucione të arsimit të lartë.

Shefi i ekzekutivit, Hashim Thaçi ka thënë se duke marr parasysh faktin që edukimi superior ka qenë dhe është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila është e interesuar për ngritjen e universiteteve për cilësi dhe infrastrukturë, po merret ky vendim sot.

“Duke marr parasysh që ne jetojmë në epokën e përparimit të shkencës dhe teknologjisë, si kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe si kabinet qeveritar jemi përkushtuar që të ndërtojmë një sistem të arsimit të lartë. Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me Ligjin për arsimin e lartë të Republikës së Kosovës propozon themelimin e universiteteve publike në Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan si institucione të arsimit të lartë. Edhe qyteti i Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit duhet të kenë universitetet e tyre, në mënyrë që të kenë krijohen këtyre rajoneve kushte dhe qasje në arsimin e lartë”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

KKVITI

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka thënë se kjo kërkesë për hapjen e këtyre universiteteve publike ka ardhur nga komunat.

“Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë duke pasur parasysh kërkesat e vazhdueshme të komunave të Mitrovicës, Gjakovës e Gjilanit, si dhe duke pasur parasysh zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës, me qëllim të përfshirjes së numrit sa më të madh të studentëve në studime dhe ofrimit të shërbimeve të arsimit të lartë sa më afër qytetarëve të Republikës së Kosovës i propozojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimit për themelimin e universitetit publik të Mitrovicës, Gjakovës dhe Gjilanit si institucione publike të arsimit të lartë të cilat do të ofrojnë dije, diploma dhe grada universitare të arsimit të lartë”, ka thënë Buja.

Ky vendim pastaj duhet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim.