Qeveria s’ka plan për armatosjen e FAK-ut

Vetëm 7 milionë euro është vlera e armëve që ka në posedim Forca e Sigurisë së Kosovës.Për pesë vjet e pak muaj të ekzistencës së saj, Forca ka arritur të armatosë të gjithë ushtarët e saj me armë të gjata dhe ato të brezit, të blera me buxhetin e saj nga firma amerikano- gjermane “Heckler & Koch”.
Nga 42 milionë euro, sa kishte forca të ndara për këtë vit, 2 milionë e 500 mijë euro janë të dedikuara për armatim dhe mirëmbajtjen e tij, transmeton Koha.net. Drejtori për informim në FSK, Ibrahim Shala, ka potencuar se Forca është armatosur në bazë të nevojave të vendit dhe strategjisë së përpiluar nga ministria dhe institucionet gjegjëse.
Ai ka thënë se FSK-ja ka nisur nga zeroja dhe se i gjithë armatimi është i blerë nga buxheti i saj, duke precizuar se donacionet e marra nga amerikanët dhe gjermanët kryesisht kanë qenë mjete ushtarake të transportit dhe jo armë.
Aktualisht, përveç armatimit të lehtë, FSK-ja nuk ka blerë e as që ka në plan të blejë armatim tjetër.
Edhe pse me ligj, FSK-ja ka të drejtë të posedojë edhe helikopter, qeveria kishte vendosur t’i japë përparësi policisë të pajiset me një mjet të tillë, raporton KTV.
Por, edhe pse tashmë është zyrtare që FSK-ja do të ndërrojë mision dhe status, Shala nuk ka precizuar se sa buxhet do t’i nevojitet kësaj Force për t’u armatosur ashtu siç duhet.
E shumica prej armëve, me të cilat luftuan ushtarët e UÇK-së, tashmë janë shkatërruar.
Në vitin 2000, pas çarmatosjes së UÇK-së, armët e luftëtarëve ishin demoluar nga KFOR-i, ndërsa 2 mijë sosh ishin mbajtur për nevoja të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të cilat në momentin e shuarjes së TMK-së ishin dorëzuar sërish në KFOR.
Safet Syla, drejtor i zyrës për çështjen e trashëgimisë të TMK-së, i cili me profesion është ushtarak, ka një synim tjetër.
Që të gjitha armët e UÇK-së dhe ato të TMK-së tashmë janë shkatërruar, duke përjashtuar vetëm disa sosh që po ruhen me qellim të ekspozimit në muzeun e luftës, që synohet të hapet në të ardhmen.
Por, askush nuk e di nëse ekzistojnë apo ruhen diku edhe armët e komandantëve të vrarë në luftë.
Syla beson se në këtë drejtim mund të ndihmojnë familjet e dëshmorëve.