Eko Higjiena

Qeveria shton mjetet për projekte kapitale, por të këtij viti s’i ka shpenzuar as gjysmën

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Në projektbuxhetin për vitin 2025 Qeveria ka ndarë gati 1 miliard euro për investime kapitale. Ekonomistët thonë se zhvillimi varet nga investime të këtilla, por shprehin brengën se buxheti i planifikuar kurrë nuk shpenzohet

930 milionë euro është buxheti për investime kapitale që Qeveria planifikon për vitin 2025. Ky planifikim i projektuar në draftbuxhet shënon rritje prej 71 milionë eurosh krahasuar me vitin aktual.

Më së shumti mjete për investime kapitale ka përfituar Ministria e Infrastrukturës. Asaj i janë ndarë 217 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, ka thënë se institucionet duhet të shpenzojnë buxhetin për atë që është planifikuar, pasi në vitin 2024 për investime kapitale është shpenzuar vetëm 36 për qind nga mjetet e parapara.

“Përkundër që kërkesa jonë është që të ketë më shumë mjete për investime kapitale të planifikuar, prapë po vijmë në pozicionin që nuk po na jep shpresë, që edhe ajo që është planifikuar ku shpenzohet. Nëse e shohim për vitin 2024, e shohim që vetëm 36 për qind të planifikimit është shpenzuar tek projektet kapitale dhe kështu që kjo nuk po na jep shpresë që jo që nuk do të ketë më shumë mjete për investime kapitale”, ka thënë Rafuna.

Sipas tij, mosrealizimi i buxhetit për investime kapitale ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik.

Mobi Casa

“Rritja ekonomike tek ne vjen nga investimet kapitale, shpenzimet kapitale, vjen nga investimet private, por vjen edhe nga konsumi, nga kredi të ndryshme, por në rastin tonë nuk po kemi projekte konkrete kapitale që do të ndikonin direkt në rritje ekonomike”, ka shtuar ai.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, ka shtruar nevojën që Qeveria t’u japë prioritet projekteve kapitale meqë, sipas tij, vetëm çereku i buxhetit të ndarë për to është shpenzuar.

“Shkalla e realizimit të investimeve kapitale është shumë e ulët. Qeveritë, cilado qoftë ajo duhet të koncentrohet më tepër në realizimin e projekteve, sepse realizimi i tyre lë për të dëshiruar, duke i parë realizimet e viteve të kaluara”, ka thënë Qerimi.

Bazuar në projektbuxhetin prej 3.6 miliardë eurosh, edhe komunat do të mbështeten për projekte kapitale.

Prishtinës i janë ndarë 46 milionë euro, Prizrenit 20 milionë euro, Gjakovës e Pejës nga rreth 15 milionë euro e Ferizajt 12.4 milionë euro. Komunave të tjera u është ndarë buxhet nën shumën 10 milionë euro.