ARKATANA

Qeveria në Anamoravë vetëm vjel

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Gani Sadiku – Se Anamorava ka mbetur nën mëshirën e askujt, dhe se në këtë anë asnjëherë nuk është ndie dora e shtetit, e dëshmon edhe fakti se ne jemi regjioni që kemi më së paku investime si në infrastrukturë ashtu edhe në projekte të ndryshme kapitale, që do ti ndihmonte banorët e kësaj ane të mos shpërngulen nga trojet e tyre për të shkuar në qytete të ndryshme e më pas për tu bërë barrë sociale e shtetit, duke shtuar numrin e të varfërve në Kosove.

Kjo varfëri nuk na erdhi si rezultat i asaj që ne nuk e duam pasurinë,por si rezultat i asaj që shteti pos që nuk investoi, edhe e plaçkiti më së shumti këtë regjion i cili para lufte ishte ndër pjesët më të pasura të Kosovës ku një numër i madh i banorëve të kësaj ane kanë punuar në perëndim që nga vitet e ‘70 e ndoshta edhe më herët.

Ky lloj i mos interesimit të Qeverisë për këtë anë, mund të ketë pasoja fatale për shtetin e Kosovës nga se është pikërisht territori i Kamenicës i cili kufizohet me Serbinë në një gjatësi të madhe,( duke filluar nga pika doganore e Dheut të Bardhë) për të vazhduar me Karaqevën, banorët e së cilës kanë pasur shumë herë probleme, sepse në territorin e sajë ndodhë që shpeshherë të paraqiten xhandarmëria Serbe e cila i frikëson banorët, dhe pikërisht me këtë vijë kufitare përgjatë këtij fshati asnjëherë s’janë marrë instancat më të larta të shtetit të Kosovës. Njëherë presim që gabimi të bëhet i pa përmirësueshëm e pastaj të merremi me pasojat në vend se të merremi me shkaqet.

Po ashtu duhet cekim se përmes fshatit Sfircë paralufte ishte një lidhje në mes të Banjës së Sijarinës, dhe Medvegjes në njërën anë dhe Kamenicës ose thënë më mirë Anamoravës në anën tjetër.

Ky kontakt i cili pos që ndihmonte në mbajtjen e lidhjeve shpirtërore dhe familjare në mes të shqiptarëve në të dy anët, lehtësonte edhe zhvillimin ekonomik meqë lëvizjet e njerëzve dhe mallrave i ka ndihmuar shqiptarët e asaj ane që të mbeten në trojet e tyre në një masë të konsiderueshme deri pas luftës në Kosovë. Atëherë shtrohet pyetja çfarë kontributi ka dhënë Qeveria e Kosovës në hapjen e një pike doganore në vendin e quajtur Kapi, ku do të ndihmonte shumë në mbajtjen e këtyre lidhjeve dhe këto territore do të vazhdonin të mbeteshin të populluara me shqiptarë.?

Deri në ditët e sotme nuk jemi në dijeni se ka pasur ndonjë lëvizje serioze në këtë drejtim. Në vazhdën e humbjeve ciklike të territoreve shqiptare pas çdo lufte me fqinjët, kësaj radhe më së paku mundë ta shfajësojmë këtë Qeveri e cila në fakt fsheh humbjen e sovranitetit në një pjesë të territorit në veri të Kosovës, por edhe t`kurrjen në Bujanovc e Medvegjë, në territoret e banuara jo fort të largët në kohë, nga një shumicë shqiptare.

Ndërtimi i autostradës nëpër arat e zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet ( në vend se të vinte në drejtim të Shtimes dhe Ferizajt e më pas për ta lidhur Kosovën qendrore me Kosovën lindore), jo vetëm që nuk e ndihmoi Anamoravën të zhvillohet ekonomikisht, por përkundrazi i falimentoi shumë kompani që merreshin me ndërtimin e rrugëve duke shpenzuar buxhetin tërësisht në këtë autostradë dhe për kompani jasht vendit. Veprimet e tilla kanë bërë këtë Qeveri nga më të pa përgjegjshmet në Evrope, dhe kryeministrin me klikën e tij më të korruptuarin, i cili dobëson shtetin për të forcuar pushtetin.

FIDANISHTJA

Shtrohet pyetja përse paguajmë ne taksat tona për policë e prokurorë, gjyqtarë e pjesëtarë të policisë për krime ekonomike, auditor të jashtëm dhe të brendshëm, inspektor që kanë për detyrë të garantojë ligjin, dhe kushtetutën, jetën dhe pasurinë e çdo qytetari, sistemin demokratik dhe vlerat e tij.

Ata nuk paguhen për të përkrahur haptazi partinë në pushtet, për të krijuar alibi për keqbërësit, për të krijuar pista të gabuara hetimi dhe për të arrestuar në mënyre spektakulare persona të gabuar dhe as për të bëre hajni brenda institucionit i cili është i thirrur me kushtetutën dhe ligjet e vendit ta luftojë hajninë dhe krimin.

Se kjo parti në pushtet asnjëherë nuk është marr seriozisht me çështjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës,për ngritjen e sistemit të drejtësisë, për krijimin mekanizmave që të mbrohen gjykatësit dhe prokurorët special në mënyrë që ata të mund të merren me dënimin e rasteve të rënda, që të pengojnë inkorporimin e policisë në korrupsion dhe në krim të organizuar, të krijojnë një administrate efektive për kryerjen e shërbimeve për qytetarët e vendit, të mos lejoj unifikimin e shoqërisë civile me politikën, të krijoj ambient stabil për joshjen e investitorëve te huaj, apo ti shtoj kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike që nënkupton jetë për qytetarin dhe biznesin.

Partia në pushtet i lë larg pushtetit njerëz që nuk janë përfolur për korrupsion, dhe hyjnë emrat e njerëzve që janë simbole të akuzave për korrupsion dhe krim te organizuar. Kjo tregon se jo vetëm që është marr peng pushteti aktual, por bashkë me të është kapur qeverisja e sotme dhe e nesërme e vendit.

Përzgjedhja e një udhëheqësi në krye të qeverisë së vendit për mandatin e tretë, edhe sikur ai person të ishte me “ylli në ball” do të ishte një papërgjegjësi totale e elektoratit të një vendi qoftë ai vend me një demokraci të avancuar e lëre ma në vendin tonë ku korrupsioni i kthyer në sistem qeverisës funksionon në mënyrë absolute.

Një fjalë e urtë popullore thotë; “Bukuria e jetës nuk është se sa je t`i i kënaqur me të tjerët, por sa të tjerët janë të kënaqur me ty.”/rajonipress/