Qeveria ndan rreth 626 mijë euro për arsimin dhe lobimin institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se në kuadër memorandumit që kanë me Këshillin Kombëtar Shqiptar, do të ndajnë 626,400 euro për studentët e Luginës.
Kurti gjatë mbledhjes së Qeevrisë u shpreh se kjo vjen si mbështetje për arsimin dhe lobimin institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar.
Tutje ai tha se “gjatë qeverisë sonë jemi siguruar që lidhja jonë dhe kujdesi për shqiptarët e Luginës, të jetë institucional dhe financiar. Ky vendim sot, është dëshmia e radhës”.
Ai po ashtu foli edhe për Samitin e 34-të i NATO-s që u mbajt në Hagë të Holandës.
“Ne e përshëndesim përfundimin e punimeve të këtij samiti si dhe vendimin unanim të vendeve anëtare të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Bruto Prodhimit Vendor. E vlerësojmë lart edhe rikonfimimin e vendeve anëtare për zotimin për mbrojtje kolektive që adresohet në Nenin 5 si një ndër parimet themelore të NATO-s. Gjithashtu, përshëndesim vendimin për mbajtjen e Samitit të 36-të të NATO-s në Tiranë, në Republikën e Shqipërisë, në vitin 2027”.
Siç u shpreh Kurti, Kosova është e palëkundur në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur dhe po vazhdon të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me qëllim mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës, si dhe kontributin për sigurinë evropiane dhe më gjerë. E pikërisht sot Forcës së Sigurisë së Kosovës ia shtuam edhe 350 rekrutë të rinj, gjithsej 2700 pjesëtarë më shumë për ushtrinë tonë në këtë mandat”, tha ndër të tjera Kurti. /Telegrafi/