Qeveria na la në izolim me vetëkushtëzimin për Demarkacionin

Nga një deklaratë e fundit e eurodeputetes sllovene Tanja Fajon, del se në fakt nuk është përgjegjësia kryesore te Bashkimi Evropian për vendosjen e këtij kriteri si kusht shtesë për liberalizimin e vizave, por ka qenë vetë Qeveria e Kosovës e mandatit të kaluar, e drejtuar nga ishkryeministri Thaçi që e ka kërkuar dhe pranuar një kriter të tillë.
Ekzekutivi kosovar e pranoi vetë kriterin shtesë, shkruan gazeta Kosova Sot.
Bazuar në zhvillimet e fundit në raportet BE- Kosovë rreth debatit për liberalizimin e vizave, dhe kriteret e përcaktuara me specifika të veçanta, në mesin e të cilave është futur edhe Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, për të cilin kriter Qeveria dhe spektri politik e ka akuzuar vazhdimisht BE-në për kinse imponimin dhe diskriminimin e padrejtë, e vërteta po del ndryshe, duke zbardhur hilen që kanë pasur në këtë agjendë vetë krerët e shtetit të Kosovës.
Nga një deklaratë e fundit e eurodeputetes sllovene Tanja Fajon, del se në fakt nuk është përgjegjësia kryesore te Bashkimi Evropian për vendosjen e këtij kriteri si kusht shtesë për liberalizimin e vizave, por ka qenë vetë Qeveria e Kosovës e mandatit të kaluar, e drejtuar nga ishkryeministri Thaçi që e ka kërkuar dhe pranuar një kriter të tillë. Edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analistët politikë të fushave të ndryshme konsiderojnë se e vërteta po del lakuriq, se është vetë politika kosovare përgjegjëse që në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave në mënyrë të njëanshme e kishte futur edhe Demarkacionin si detyrë shtëpie, kusht, duke bërë një precedent të panjohur deri atëherë për asnjë nga shtetet e Evropës. Me deklaratën e Fajonit dolën më në fund në shesh të palarat e zyrtarëve të Qeverisë për Demarkacionin si kusht të padrejtë për vizat, dhe për këtë dikush do të duhej që me patjetër të mbaje përgjegjësi. IshQeveria “Thaçi” e la Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj në izolim të plotë për arsye politike, të një pushteti oligarkik e të inkriminuar.
Kushti sui generis
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku konsideron se ky është vetëm një nga argumentet e mëdha të gabimeve në hapa dhe sjelljes “adoleshente” të lidershipit politik e qeverisës të Kosovës, një gabim që është krejtësisht i papërmirësueshëm në procesin që kemi përpara. “Ka një nonsens të madh në funksionimin e kastës politike në Kosovë, dhe krejt kjo si pasojë e mospasjes së një vetëvlerësimi karshi ndërkombëtarëve. Kushti i përmendur për Demarkacionin nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës në raport me liberalizimin e vizave, nëse krahasojmë kushtet ndaj vendeve të tjera, është komplet suigeneris. Bashkimi Evropian nuk ka një vizion të unifikuar as për Kosovën, e as për Ballkanin si tërësi”, u shpreh ai. “E kam përsëritur edhe më parë, faji vazhdon të ketë burim faktorin ndërkombë- tar dhe klasën politike të Ballkanit, e cila është e pandërgjegjshme në raport me shtetin e qytetarin”, tha Maloku për “Kosova Sot”.
Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti pohon se faktikisht kushti për Demarkacionin është bërë precedent i veçantë për shtetin e Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë shtet pretendent për liberalizim vizash, derisa teoritë spekulative çdo ditë e më shumë po vërtetohen nga zyrtarët e BE-së, se kushti i Demarkacionit është bërë me insistimin e përfaqësuesve të Kosovës për qëllime të caktuara politike. “Gjykoj se insistimi i përfaqësuesve qeveritarë ka qenë për disa arsye, në njërën anë për të fuqizuar marrëveshjen, e cila në thelb është shumë e dyshimtë, kurse në anën tjetër për ta krijuar në opinionin publik bindjen se marrëveshja e nënshkruar është legjitime dhe duhet të përfundojë, por edhe për ta zbehur kauzën opozitare për Demarkacionin”, është shprehur ai./kosova sot/