RCCOLA

Qeveria kundër zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes me Serbinë

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Kryeministri, Albin Kurti, ka refuzuar idetë dhe propozimet që marrëveshja bazike Kosovë-Serbi të zbatohet sipas preferencave të pikave të saj.

Sipas tij, marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve nuk është tryezë suedeze, por ajo duhet të zbatohet në tërësi dhe në mënyrë se sekuencuar.

“Nuk është marrëveshja bazike një tryezë suedeze ku mund ta marrësh gjellën tënde të preferuar dhe t’i hedhësh të tjerat. Gjashtë fjali në preambulë, 11 nene në marrëveshje, plus aneksi i zbatimit nga Ohri i marsit të vitit të kaluar me 12 pika, pra duhet ta kemi pikënisje tërësinë, jo ndonjë pjesë duke mohuar tërësinë. Unë e kam diskutuar edhe në Bruksel këtë. Nuk mund të ofrojë unë kafe pa filxhan, cili është burimi legal juridik i asociacionit, a është Kushtetuta e Kosovës, apo diçka tjetër, Beogradi thotë nuk e pranoj Kushtetutën e Kosovës, atëherë pse jemi duke diskutuar. Nuk mund të thuash unë kam marrë sa kam marrë , dua të marr edhe më shumë por ti nuk ekziston. Ata duhet ta pranojnë Kosovën, çkado që kërkojnë për serbët në Kosovë duhet ta kërkojnë përbrenda rendin juridik dhe kushtetutës të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ky qëndrim i kryeministrit Kurti erdhi disa ditë pasi presidentja, Vjosa Osmani, konsideroi se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërish i institucioneve tjera. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, ka deklaruar Osmani.

Por, nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, e quan të vonuar idenë e presidentes Osmani për garanci ndërkombëtare.

“Për ta menduar dhe besuar një ide të tillë duhet reflektuar pak për rrethanat politike në të cilat Kosova është. Ne jemi më pak se tre muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe e kemi një Qeveri jo funksionale bashkë edhe me një Parlament jo funksional. Pse është dashur që të kalojnë katër vjet për të ardhë të një konkluzion të tillë. Ne kemi Presidencën po aq sa edhe Qeverinë në një mandat të plotë në pushtet dhe asnjëherë nuk janë kujtuar dhe nuk kanë reflektuar për një ide dhe për një propozim të tillë. Për më tepër ne humbëm anëtarësimin në Këshillin Evropës, e humbëm mundësinë për marrjen e statusit kandidat në BE. Pas një mori dështimesh, izolimesh të Kosovës dhe vendosjen e masave nga BE-ja ne vijmë të një ide e tillë e cila është surreale të mendohet e lëre më të realizohet”, tha Mimoza Ahmetaj, për rtv21.

Eco Higjiena

Deputetja e grupit parlamentar të VV-së nga Lista Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se Kosova nuk ka garanci konkrete nga faktori ndërkombëtar për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas saj, në rrethana të tilla Kosova do të vazhdojë të qëndroj brenda kornizës së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mënyrë që palët të zbatojnë obligimet në mënyrë të barabartë.

“Mirëpo nga informatat që kemi, nga rrethanat që i kemi parimisht flitet për marrëveshjen franko-gjermane, për marrëveshjen e Ohrit si dhe obligimeve karshi asaj marrëveshje. Nga takimet që kemi pasur nuk ka pasur garanci konkrete, diçka që do të ishte në interes për Kosovën sikurse anëtarësimi në NATO, ose njohja e pesë shtetet mos njohëse të BE-së apo anëtarësimi në BE, diçka që do ta bënte Kosovën që të ri pozicionohej”, tha Statovci.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, tha se deklaratat e presidentes Osmani e cila ka kërkuar garanci ndërkombëtare për zbatimin e njëanshëm të marrëveshjes është puro politike.

“Deklarata e presidentes Osmani se Kosova do të duhej të vazhdonte me implementimin e marrëveshjeve në qoftë se ka garanci nga ndërkombëtarët për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare është një deklaratë puro politike pa një përmbajtje”, tha Jashari.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, gjatë një konference për Siguri në Beograd, tha se është e rëndësishme të mbështetet dialogu i udhëhequr nga BE.

Sipas tij, duhet bërë shumë punë për të arritur statusin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.