KKVITI

Qetë për Atifeten

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Atifete Jahjaga ende mund të rrijë e qetë në zyrë. Partitë politike as që po merren me reformën kushtetuese, e cila e prek mandatin e saj. Madje, disa zyrtarë të subjekteve kryesore kanë filluar të flasin edhe kundër zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kreut të shtetit. Në PDK, LDK dhe AAK pohojnë se prioritet e kanë vetëm përfundimin e reformës zgjedhore.

Tash për tash, Atifete Jahjaga mund të vazhdojë të qëndrojë në Zyrën e Presidentit pa pasur rrezikun se mund ta largojnë nga posti që e kishte marrë si pasojë e marrëveshjes PDK-LDK-AKR.

Liderët e partive politike nuk kanë thënë asnjë fjalë për reformën kushtetuese, që ka të bëjë me zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale e që ishte dashur të përfundonte para fundvitit.

Aktualisht, PDK, LDK, AAK dhe AKR janë duke u marrë vetëm me reformën zgjedhore dhe përgatitjen e Ligjit për reformën elektorale.

Takimin e radhës e kanë lënë për të hënën e ardhshme dhe aty nuk është planifikuar të flitet për reformën presidenciale.

Me këtë pikë duket se pajtohen edhe diplomatët perëndimorë, të cilët kanë bërë thirrje që të përfundohet vetëm reforma zgjedhore.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka deklaruar se çështja e reformës për postin e Presidentes nuk është në agjendë.

Ai ka thënë se reforma kushtetuese do të qartësohet tek pasi të kryhen punët në reformën elektorale.

“Reforma kushtetuese sa i përket çështjes së zgjedhjes së Presidentit mund të diskutohet më vonë për shkak se kjo çështje është më e komplikuar pasi kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Grabovci.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në korrik të këtij viti, ka konstatuar se shkurtimi i mandatit të Presidentes nuk mund të bëhet me amendamente kushtetuese qysh patën planifikuar partitë politike.

Për dallim prej zyrtarëve të PDK’së, në LDK deklarojnë se Presidentja duhet të lëshojë postin dhe t’iu hapë rrugë reformave presidenciale.

Haki Rugova ka deklaruar se pavarësisht lojërave të partive tjera, LDK do të vazhdojë të kërkojë largimin e Jahjagës për të mundësuar zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.

“Ne ende mbetemi në qëndrimin që Presidentja duhet të largohet në mënyrë që t’i lëshojë rrugë reformave. Kjo është paraparë në marrëveshjen e liderëve. Ajo duhet të largohet dhe të japë hapësirë reformave”, ka thënë Nënkryetari i LDK’së.

LDK nga gushti i këtij viti pati bllokuar reformën zgjedhore duke e kushtëzuar me përfundimin e reformës kushtetuese, por muajin e kaluar Partia e Isa Mustafës ka hequr dorë nga kjo.

Por, tash disa parti politike dhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë lënë mundësinë e hapur të mos ketë fare reformë kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, pasi po shihet si më e dobishme që Shefi i Shtetit të zgjidhet përmes votave të deputetëve.

ARKATANA

Në këtë situatë, vetëm LDK e ka të qartë se dëshiron zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale. Ndërsa, në PDK thonë se kjo çështje edhe nuk është e përcaktuar.

Sidoqoftë, Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK kanë dalë kundër zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.

Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani ka thënë se ka nevojë të pastrohen kompetencat e Presidentit dhe të mos përzihen me ato të Kryeministrit. Por, ky zyrtar ka pohuar se personalisht është kundër zgjedhjes së drejtpërdrejtë të Presidentit në këtë kohë.

“Është çështje e cila nuk është diskutuar në substancë, por personalisht besoj se ka qenë e ngutshme hapi që të mendohet që Presidenti të zgjidhet në formë direkte e jo në Kuvend. Kjo çështje do të shihet në të ardhmen nëse do të ketë ndryshime apo jo”, ka thënë Ramadani për Express, të shtunën.

Ndërkohë, Adem Grabovci i PDK’së ka thënë se partia e tij nuk do ta imponojë mendimin.

“Ende nuk është definitive se a do të kemi zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale apo do të vazhdohet prapë të zgjidhet Presidenti në Parlament. Edhe disa subjekte të tjera politike e shohin këtë çështje me dyshim se cili variant është më i mirë”, ka thënë Grabovci.

“PDK është e përgatitur për të dy variantet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Atifete Jahjaga ka thënë se nuk do të largohet nga Presidenca për aq kohë sa nuk merren vesh liderët e partive politike.

Madje, ajo në një moment kishte thënë se nuk ia lejon Kushtetuta të japë dorëheqje.

Sidoqoftë, marrëveshje e cila kishte sjellë Jahjagën në krye të Shtetit ishte arritur në prillin e vitit 2011 me ndërmjetësimin e amerikanëve. Asnjë prej afateve të paraparë në atë marrëveshje nuk janë respektuar, pasi reforma kushtetuese ishte dashur të jetë e përfunduar, ndërsa ajo zgjedhore në fund të përfundimit.

Presidenten e rrezikon koalicioni PDK-AAK

Koalicioni mes PDK’së dhe AAK’së mund ta rrezikojë postin e Presidentes Atifete Jahajaag.

Burime të Express kanë thënë se largimi i Jahjagës nga Presidenca do të bëhet vetëm nëse arrihet marrëveshje për ndarjen e posteve që Lideri i PDK’së, Hashim Thaci, të bëhet President, ndërsa Ramush Haradinaj Kryeministër.

“Krejt kjo pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”, ka thënë një burim i gazetës.