RCCOLA

Qershitë e Washingtonit

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Refuzimi i projektit të Mini Schengenit dhe sulmet ndaj idesë së korridorit të Serbisë drejt Adriatikut, e më pas pranimi i tyre në Washington, të sjellin ndërmend atë kallëzimin popullor me qershitë. Avdullah Hoti i kapërdiu ato që i refuzonte, e për të cilat thoshte se e defaktorizojnë Kosovën politikisht dhe ekonomikisht. Njohjen reciproke e harroi.

Pak muaj më parë Avdullah Hoti dha gjashtë arsye pse Mini Schengeni nuk ishte në interesin e Kosovës. Atëbotë ai nuk ishte kryeministër dhe argumentonte se si ky projekt ishte një modalitet tjetër i Unionit Doganor Ballkanik, të cilin qeveria e Isa Mustafës e kishte refuzuar në vitin 2016. Një ndër argumentet e Hotit, nëntorin e kaluar, ishte se Mini Schengeni e defaktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në kontekst të marrëdhënieve rajonale.

Nëntë muaj pas këtij deklarimi, Hoti e nënshkroi në Shtëpinë e Bardhë zotimin se Kosova do të bëhet pjesë e këtij projekti. Pra, nëse është për t’i besuar deklarimit të vetë atij, Hoti pranoi të defaktorizojë Kosovën politikisht dhe ekonomikisht.

Kur ish-ministri Blerim Reka përmendi mundësinë e dhënies Serbisë të një korridori tranzit për në Adriatik, në këmbim të njohjes nga Serbia, ai u sulmua ashpër nga partitë opozitare. Ramush Haradinaj madje e cilësoi këtë ide si kthim të Kosovës në Serbi, respektivisht ofertë shkatërruese “që i mundëson Serbisë të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbrit”. Sipas tij, deklaratat si kjo e Rekës prodhojnë pasoja të nënshtrimit dhe kapitullimit politik.

Gjashtë muaj pas kësaj deklarate AAK, si pjesë e koalicionit qeverisës, pranoi të nënshtrohet dhe të kapitullojë politikisht, sipas gjuhës së Haradinajt, teksa në Washington kryeministri Hoti u zotua për realizimin e projekteve infrastrukturore që i mundësojnë Serbisë pikërisht daljen në Adriatik. Për më tepër, pa kushtin e njohjes së Kosovës si kundërvlerë, një frazë kjo shumë e pëlqyer nga Haradinaj. Madje, këtë kushtin e njohjes nuk e përmendi më as Hoti, i cili para se të nisej drejt SHBA’ve thoshte se me Vuçiqin do të bisedonte veç për njohje reciproke.

* * *

Premtimet, zotimet si këto të Hotit e Haradinajt të sjellin ndërmend atë kallëzimin popullor me qershitë, me atë udhëtarin i cili pasi ishte ngopur, kishte urinuar mbi kokrrat e mbetura të qershive, por gjatë kthimit të njëjtës rrugë, i uritur ishte detyruar t’i hajë sërish të njëjtat, duke u ngushëlluar, respektivisht duke ia bërë qejfin vetes se disa nga to që po i kapërdinte ishin të pastërta.

Fidanishtja

Avdullah Hoti gëlltiti në Washington ato për të cilat rrihte gjoks se nuk do t’i gëlltiste asnjëherë, për shkak se ishin të dëmshme për vendin. Rrjedhimisht, sipas linjës logjike të deklaratave të tij, ai me vetëdije të plotë dëmtoi vendin.

Për Hotin duket se prania në Shtëpinë e Bardhë ishte e mjaftueshme që të pranojë gjithçka që vjen si propozim nga administrata amerikane, paçka se çmimi që paguan Kosova mund të jetë i madh. Kështu veproi me Liqenin e Ujmanit, kështu veproi me pikën kufitare në Merdar, kështu veproi me moratoriumin njëvjeçar në përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Me deklarimet paraprake për njohje reciproke, kryeministri Hoti i rriti pritjet aq shunmë, sa që nënshkrimi më pas në fund të listës me zotimet e dakorduara doli të jetë bllof. Sepse, nëse përsërit çdo ditë se po shkon në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar vetëm për njohje reciproke dhe vë nënshkrimin në krejt diçka tjetër, që nuk e përfshin atë, atëherë kjo është hipokrite, është e dëmshme. Nëse flet çdo ditë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë dhe pastaj vë nënshkrimin në një listë zotimesh që përfshijnë edhe moratoriumin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit që udhëheq, atëherë për çfarë parimesh a pozicionesh shtetformuese bëhet fjalë?

* * *

Që të realizohen në praktikë, zotimet e dakorduara në Washington duhet të përkthehen në marrëveshje ndërmjet dy shteteve. Udhëheqësit institucionalë kosovarë duhet të jenë shumë të kujdesshëm si dhe në çfarë mënyre do të zbatohen ato dhe sa mund të jenë të dëmshme disa nga to për shtetin e Kosovës.

Jo domosdoshmërisht të gjitha zotimet mundet dhe duhet të jetësohen. Çështjen e njohjes së diplomave dhe atë pikës kufitare në Merdar – pjesë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit – Serbia i zvarrit tash gati një dekadë. Ndërkohë që plot marrëveshje të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme nëpër botë, nuk janë jetësuar asnjëherë.

Për më tepër, koalicioni aktual qeverisës nuk e ka fuqinë që të çojë përpara zbatimin e zotimeve që i ka marrë përsipër. Kjo determinon situatë të re në skenën politike, që çon në zgjedhje të reja. Dëmi i qershive të gëlltitura nga Hoti e Haradinaj nuk është personal, por ka të bëjë me shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Të shtetit që do të pauzojë një vit.