RCCOLA

Qëndrueshmëria dhe partneriteti

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Ramadani – Në përgjithësi, është e dukshme që Kosova, në 10 vjetorin e pavarësisë së saj, është në fazën më të rëndësishme të shtetësisë së vet. Kompletimi i shtetit të Kosovës mbetet detyra kryesore. Qeverisja e mirë, po se po. Zhvillimi ekonomik, cilësia në arsim, ofrimi i shërbimeve shëndetësore, përmirësimi i sigurisë publike dhe të gjitha fushat e ngjashme janë domosdoshmëri.

Por, çështja kryesore mbetet: kompletimi i shtetit.

Në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, synimi kryesor edhe më tutje ndërlidhet me shmangien e çfarëdolloj ideje tjetër rreth Kosovës. Çfarëdo dhe kushdo që pretendon vendosjen e modaliteteve tjera për Kosovën, sigurisht se nuk do të ndihmonte dhe as të përmirësonte të tërën.

Kompletimi i shtetit, arkitekturës së tij, funksionalizimit të plotë dhe hapat e shpejtë në integrimet euro-atlantike janë përgjigja më e mirë dhe më e qëndrueshme për idetë e vjetra të elitës së vjetër politike të Serbisë mbi gjetjen e “zgjidhjeve tjera”, qofshin ato territoriale, qofshin ato “ndryshim kushtetutash”. Kosova, që nga viti 2008, ka krijuar argumente të mjaftueshme të sjelljes së saj të përgjegjshme në tri fusha të rëndësishme: i) në raport me përpjekjet për tejkalimin e ndarjeve etnike; ii) në raport me sigurinë dhe zhvillimin e rajonit; iii) në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe iniciativat globale.

Tashmë, këto kanë ndërtuar profilin e Kosovës si aktor i përgjegjshëm në rendin e sotëm botëror, ashtu-ashtu të sfiduar nga akterët e papërgjegjshëm në rajone të ndryshme të globit. Nuk është e thënë (lexo: objektivisht e mundshme) që një shtet i vogël, sikurse është Kosova, të jetë shembulli ndjekës për shtetet e konsoliduara. Por, është tejet e rëndësishme që një shtet i vogël, sikurse është Kosova, të jetë një shembull i mirë për shtetet postkonfliktuoze dhe në transicion për sa i përket sjelljes ndërkombëtare, rajonale dhe paqtuese midis grupeve të ndara në shoqëri.

Pjesa e parë, përkatësisht dukja e gjerë e Kosovës është pozitive dhe si e tillë, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve të percepsionit, ka kaluar shumë prej pritjeve.

RCCOLA

Në anën tjetër, shumë të rëndësishme, Kosova duhet të tejkalojë me vendosmëri dhe saktësi të veprimit çështjet e hapura, përkatësisht ato që interpretohen si të hapura.

Dialogu me Serbinë, kompletimi i shtetësisë, hapat vendimtar në integrime euro-atlantike. Këto janë tri çështjet që kërkojnë angazhim maksimal, qartësi dhe partneritet të palëkundur.

Së pari, dialogu me Serbinë në formë të rikornizuar duhet të mbyll përgjithnjë çështjen e “normalizimit të raporteve”. Është e qartë, besoj, se “normalizimi” do të thotë “njohje” dhe se pa njohje nuk mund të arrihet normalizim i plotë i marrëdhënieve. Në këtë kontekst, politika e vjetër e Serbisë do të pretendonte, sikurse shumë prej tyre e kanë formuluar në publik, të kërkojë “zgjidhje tjera kufitare”. Pra, rivizatim kufijsh, sipas agjendave të njohura dhe të vjetra të politikave territoriale mbi të cilat është udhëhequr elita e atjshme politike për dekada me radhë. Kjo, jo vetëm që nuk duhet të ndodh, por vet nxitja e diskutimit të tillë në Beograd është e gabueshme dhe destabilizuese.

Kompletimi i shtetësisë së Kosovës nuk është vetëm çështje e krijimit, ndryshimit, transformimit apo evoluimit të mekanizmave dhe institucioneve shtetërore. Sigurisht, në këtë pikëpamje, kompletimi i shtetësisë i jep fund pretendimeve që “Kosova nuk është çështje e përfunduar”. Synimi për të konsoliduar dhe kompletuar të gjitha hallkat e sistemit politik e juridik të Kosovës është i orientuar drejt stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Së treti, hapat vendimtar në integrimet euro-atlantike tejkalojnë lënien e Kosovës në “një zonë qorre”. Kjo do të ndihmonte edhe përbrenda Kosovës, edhe në raportet rajonale dhe më gjerë. Barazia e shtetit të Kosovës, në trajtimin e qytetarëve dhe në trajtimin shtetëror, është objektiv që arrihet përmes partneritetit kërkues dhe zbatues.

Në përgjithësi, është e dukshme që Kosova, në 10 vjetorin e pavarësisë së saj, është në fazën më të rëndësishme të shtetësisë së vet. Kjo periudhë mund të jetë vendimtare për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.