KKVITI

Qemajl Behlulit i zbutet dënimi nga 15 në 10 vite burg

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Gjykata e Qarkut në Gjilan pasi ka shtjelluar provat në rastin e kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës, e ka dënuar me 10 vite burg Qemajl Behlulin, nga 15 sa ishte i dënuar më herët.

Gjykata e Qarkut në Gjilan ka shpallur aktgjykimin në lëndën e Qemajl Behlulit rast ky i kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Vllastimir Dimiq kryetar i trupit gjykues i ka dhënë një dënim unik Behlulit prej 10 vitesh burgim për tri vepra penale. Për të njëjtat vepra Qemajl Behluli ishte dënuar me 15 vite burg nga i njëjti trup gjykues, por Gjykata Supreme kishte gjetur shumë shkelje në shqyrtimin kryesor dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe , Qemajl Behluli është dënuar me 10 vite burgim për shkak të vrasjes së Sylejman Musliut dhe plagosjes së Arben Musliut më 26 shkurt 2010.

Në aktgjykimin e shkallës së parë të kryesuar nga kryetari i trupit gjykues Vllastimir Dimiq është thënë se Qemajl Behluli është gjetur fajtor sepse në datën kritike për shkak të marrëdhënieve të këqija ka privuar nga jeta Sylejman Musliun si dhe ka plagosur djalin e tij Arben Musliun.

Kurse Agron Uka prokuror i Qarkut dhe përfaqësues i aktakuzës ka përmendur elementin objektiv i cili është manifestuar me shkaktimin e vuajtjeve dhe dhimbjeve të mëdha viktimës kurse ai subjektiv, vetëdija ,dëshira si dhe pëlqimi i kryesit,që viktimës t`i shkaktojë dhimbje dhe vuajtje sa më të mëdha.

Uji Dea

Vet, Qemajl Behluli në mbrojtjen e tij ka thënë se veprën penale e ka kryer nën rrethanat e mbrojtjes së nevojshme. Derisa dëshmitari Arben Musliu ka thënë se ishim të sulmuar nga Qemajl Behluli, mbrojtja e të akuzuarit avokati Nijazi Hoxha ka thënë se klienti i tij ishte i sulmuar dhe me kohë i kishte paralajmëruar babë e birë që të largohen pasiqë me vete kishte revole.

Mbrojtja ka shfrytëzuar ekspertizën mjeko- ligjore të Arsim Gërxhaliut sipas të cilës vdekja e Sylejman Musliut nuk ka qenë e dhunshme apo mizore siç ka pretenduar prokurori. Qemajl Behluli ka thënë në mbrojtjen e tij se nga i ndjeri Sylejman Musliu ishte sulmuar me sëpatë dhe ai e kishte sharë dhe ofenduar familjen dhe moralin.

Kurse dëshmitari dhe i dëmtuari Arben Musliu ka thënë se kanë qenë duke ngarkuar dru në traktor, derisa kuptoj se pati dy të shtëna në drejtim të tij dhe dy apo tri të shtëna tjera në drejtim të babait të tij.

Qemajl Behluli është akuzuar dhe dënuar për veprën penale “vrasje e rëndë”, por avokati tjetër i angazhuar i tij Shemsedin Piraj pas shpalljes së aktgjykimit ka bërë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Piraj pasi ka analizuar aktgjykimin ka vërejtur se ka pasur shkelje esenciale të aktgjykimit dhe ka pasur shkelje ligjore në dëm të akuzuarit Qemajl Behluli.”Konsideroj se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë sepse ka prova që dëshmojnë të kundërtën e që nuk janë vlerësuar në mënyrë të drejtë” ka thënë Piraj në ankesën e tij drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës ku kërkon që rasti të kthehet në rigjykim.”Gjykata Supreme e Kosovës ka mundësi që këto lëshime dhe të meta t`i mënjanojë dhe përmirësojë”tha Piraj.

Piraj tha për rajonipress se klienti i tij ka marrë këtë dënim pasi ka ndryshuar edhe kualifikimi i veprës nga vrasje e rëndës në vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme. Edhe ndaj këtij aktgjykimi Piraj tha ka bërë ankesë./rajonipress/