Qazim Kryeziu, një talent i rrallë i artit muzikor

Gjilan – Muzika është arti i shpirtit të njeriut. Nuk ka njeri që nuk e adhuron muzikën. Muzika i shëron njerëzit. I bën të jenë më të relaksuar në jetë. Kush jeton me muzikën, ai njeri nuk di ç’ është dhembja, vuajtja e lodhja e përditshme. Me muzikë, njerëzit jetojnë më lehtë e më gjatë. Pra, muzika është vetë kënga njeriut që e bën jetën ta jetojë qetë e pa brenga. Andaj, kaherë në këtë rrugë të artit të bukur është nisur Qazim Kryeziu, profesor i artit muzikor në Gjilan. Ky edukator është vetë “arti” i të jetuarit. Është maestro i fiz-harmonisë. Sa herë gjendet pranë këtij mjeti muzikor, ai shkrihet dhe jeton me tingujt e saj. Pra, nuk ka më bukur se ta adhurosh artin shpirtëror! Pse jo? Arti e hijeshon jetën e njeriut.
Qazim Kryeziu është një talent i rrallë i artit muzikor. Ai ka shqisa e vesh për muzikë. Jeton me melodinë, tingullin, zërin, por jeton edhe me notat dhe me instrumentet e ndryshme muzikore. Kur këto “sende” bijnë në takt, ai “dehet” dhe jeton. Njerëzit e çmojnë punën e tij, për faktin se, vegla që i bie Qaza, këngëtarit ia rregullon melodinë dhe s’ka se si mos të jetë në “dyzen” të shijes së të tjerëve. Por, edhe melodia, që buron nga dora profesorit Qaza, maestro, adhurohet dhe vlerësohet lart nga të gjithë artdashësit e kësaj fushe. Jo vetëm kaq.
Qazim Kryeziu është i lindur në fshatin Përlepnicë, më 16 .XI. 1974. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Studimet i kreu në Akademinë e Muzikës në Prishtinë, dega e Artit Muzikor, në të njëjtin vend kreu edhe studimet post-diplomë master, dega teori e artit muzikor. Punon për qe tetë vite rresht në Gjimnazin ”Zenel Hajdini” në Gjilan.
Krahas punës pedagogjike, ai merret edhe me aktivitetet muzikore duke shfaqur programe me nxënësit e talentuar të kësaj shkolle në festat e shkollës, festat kombëtare etj. Pos angazhimit me kor, ka bërë edhe disa përpunime për kor si dhe një kompozim për mësuesin dedikuar korit të kësaj shkolle duke marr pjesë në ditën e mësuesit, ku kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i shkollova të kësaj komune. Për tri vjet me radhë Qazim Kryeziu qe pjesëmarrës aktiv në Manifestimin tradicional “Flaka janarit”. Qazim Kryeziu jeton e vepron në Gjilan. Jo vetëm kjo punë e tij.
Në një bisedë rasti, kur e pyetëm se si është rrugëtimi i tij gjer sot, ai pa u hamendur tha se, artin e muzikës e kam dashur qysh nga mosha e re. “E dijë se isha në moshën 7 apo 8-vjeçare kur kam filluar të hyj në botën e artit. Por, jeta i ka sfidat e veta. Më është dashur disa herë ta ndërpres aktivitetin tim në këtë fushë të dijes. Këto “pengesa” më kanë ngjarë në përfundim të shkollës së mesme. Isha nxënës i elektro-teknikës. I ndërpreva mësimet e rregullta, shtoi Qaza, “ e nuk ia dija rëndësinë apo vlerën e këtij profesioni! Papritur, e fillova ta ushtroj muzikën duke i ushtruar fiz-harmoninë etj. Ishin këto nisjet e mia të para, por të “guximshme” drejt artit të jetës. Kështu, në përfundim të shkollës së mesme, kam filluar të punoj si amator. Fillimi ishte si një “lojë” fëmijësh, por, për një kohë të shkurtër, kjo “gjendje”, ndryshoi për të mirën time. Kisha shokë dhe dashuria ndaj artit gjithnjë më është shtua nga pak. Çdo ditë shihja një ecje përpara. I gëzohesha sukseseve të kësaj fushe…
Pas përfundimit të shkollës së mesme, e kam regjistruar Fakultetin Ekonomik. Edhe këtë fakultet e ndërpreva. S’di, më erdhi etja për të filluar studimet në një fushë ku e doja me shpirt. E regjistrova Akademinë e Muzikës, aty ku më vlonte shpirti e zemra për tingujt dhe melodinë e jetës. Këtu pata punë me studimet e rregullta. Bëra 4 vjet me radhë në studimet e lëndës në fjalë. Pas kësaj kohe, kam diplomuar në lëndën e polifonisë te Valton Beqiri, profesor dhe ish ministër i kulturës. Kjo kohë ishte para lufte. Më vonë kam diplomuar në vitin 2005.
Qazim Kryeziu shton edhe këtë se nuk qëndruar duarkryq. Ka punuar dhe gjithnjë e ka dashur artin e muzikës. “Në vitin 2012 kam magjistruar në drejtimin e teorisë së muzikës te Memdi Menxhiq, mentor. Ky profesor ka qenë profesionist i mirë dhe me talent. Sot i gëzohem punës sime që e kam studiuar muzikën dhe degët e saja. Tash punoj në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. E ligjëroj lëndën e muzikës. Por, punoj edhe në Shkollën e Muzikës në Gjilan. Këtu e ligjëroj lëndën e harmonisë. Kjo është jeta ime me artin e shpirtit. E dua këtë fushë, se ma gëzon jetën dhe shpirtin. Me një fjalë, jetoj me këngën, melodinë e bukur…”
I pyetur, ku pas kohës së ligjërimit, Qazim Kryeziu, profesor, tha se, angazhohem me shokë dhe bëj muzikë: “Po, pas kohës së angazhuar, shkoj dhe bëj muzikë me një grupin e quajtur “Suita”. Bëj muzikë nëpër dasma dhe e ndjej vetën të kënaqur, por të kënaqur ndjehen edhe familjarët e dasmave. Me fjalë të tjera, i argëtojmë jo vetëm të tjerët, por argëtohemi edhe ne si grup. Kështu e ka jeta jonë. Më mirë është të jetosh me muzikë.
Në shtëpi e kam një studio të vogël. Aty bëj muzikë dhe komponoj këngë për fëmijë. E kam pasion komponimin. Jetoj me komponimin e këngëve. Pra, artin e muzikës nuk e urrej, por e dua çdo ditë e më shumë, se jetoj dhe s’mund të jetoj pa të.”/tefik selimi/rajonipress/