Fundamenti

Pushteti i Kadri Veselit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Arbana Xharra- Ai është i vetmi që nuk guxojnë ta zënë në gojë, ka pushtet të madh edhe pse zyrtarisht nuk ka asnjë pozitë brenda Partisë Demokratike të Kosovës(PDK). Është i vetmi emër që asnjë klan brenda kësaj partie nuk merret me të.

Me prezencën e tij nën hije dhe paralajmërimet se në një të ardhme të afërt mund të vijë në politikë, deri me tash nuk është dalë ndonjë version zyrtar për angazhimin e tij në skenën politike.

Kadri Veseli, ish- shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) është i vetmi kandidat potencial për t’ia zënë vendin në krye të Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçit. Këtë e thonë vetë zyrtarët e lartë të PDK-së por në heshtje. Të gjithë janë të vetëdijshëm, edhe brenda partisë e diskutojnë, por asnjëri nuk flet publikisht për të ardhmen e Veselit në krye të PDK-së dhe zëvendësimin e Thaçit nga ai.

Deri më tash Veseli ka mbajtur një qëndrim indiferent ndaj zhvillimeve politike, duke vrojtuar situatën nga larg me paralajmërime të kohëpaskohshme për prezencën e tij në politikë. Zhvillimet e fundit brenda PDK-së, akuza të ndërsjella nuk kanë përmendur Veselin në asnjë kombinim të mundshëm mes dy grupeve tashmë të ndara zyrtarisht brenda kësaj partije.

Fundamenti

Deklaratën e fundit përmes korrierëve të tij, Veseli e ka dhënë duke bërë me dije se nuk është në favor të koalicionit të ngushtë PDK-AAK. Ai indirekt ka zgjedhur të thotë se do të përfshihet në PDK, vetëm nëse do të ndikonte në ndryshimet pozitive brenda partisë. Për të mos dalë vetë zyrtarisht me kritika ndaj PDK-së, ditë më parë njerëz të afërt me Veselin kanë thënë se ai konsideron se ndryshimet në PDK janë të domosdoshme duke aluduar në pakënaqësitë për zhvillimet dhe strukturat e saj.

Por deri më tash nuk ka dalë zyrtarisht me ndonjë kritikë ndaj PDK-së. Politika e tij indirekte sinjalizon inicime për ndryshime brenda PDK-së. Veseli është hierarkia e PDK-së ndonëse zyrtarisht e njohim të vetmin me pushtet brenda saj Thaçin. Duke e marrë parasysh të kaluarën e tij në krye të SHIK-ut, dhe batalionin e madh që ka pas vetës, militantët, strukturat dhe përfshirjen e tyre në sektorët më të rëndësishëm shtetërorë, Veseli do të jetë pasardhësi i vetëm i Thaçit.

Ish- të burgosurit të cilët pretendojnë se PDK-ja është meritë e tyre; Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj dhe grupi pas tyre, ku merr pjesë Hydajet Hyseni, Nait Hasani dhe disa të tjerë nuk janë marrë me Veselin, të kaluarën e tij të tashmen dhe të ardhmen në parti. Krasniqi, i cili së fundmi pos kundërshtimeve të ashpra ndaj Thaçit, mori guximin që të flasë haptazi për vjedhjen e votave nga vetë deputetë të PDK-së, për krimin e organizuar, privatizimin…duke shpalosur publikisht ato që janë mbajtur fshehtë nga PDK-ja tashmë kanë hapur një shteg të ri. Por praktikat e deritashme kanë dëshmuar se pushteti brenda partisë nuk është më me merita të luftës por me fuqinë financiare të individëve të caktuar.

Që nga viti 2007 kur kjo parti ka ardhur në pushtet ka ndërtuar shtyllat financiare nga përfitimet joligjore përmes tenderëve publikë që i japin forcë një grupi të caktuar brenda saj. Ata që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e krimit të organizuar do të mbesin përfundimisht jashtë, pa ndikim. Të tjerët që ndajnë hesapet, llogarisin favoret e njëri tjetrit, ndajnë pozicionet dhe ecin tutje. Një është e sigurt e kaluara e tyre, përfshirja në pazarllëqe do të mbajë njëri- tjetrin. Kjo situatë tregon se PDK-ja nuk ka sesi të reformohet sepse është numri i madh i atyre që janë të zhytur deri në fyt.