Pse Edi Rama nuk mund të flasë për dhe në emër të Kosovës?
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Buburrecat kombëtarë dhe hiçët e politikës: Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, u takua në Nish me, aktualisht, kryeministrin më të fuqishëm në Ballkan, Aleksandar Vuçiqin, nga i cili kërkoi ta njohë pavarësinë e Kosovës sikur që i bëri me dije se “Trepça” është e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Gjithashtu ia bëri me dije kryeministrit serb, se drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, u arrestua politikisht. Këtë fakt tërthorazi e pranoi edhe Vuçiqi, pasi e krahasoi me rastin e Oliver Ivanoviqit që u dënua për krime lufte dhe krime kundër civilëve në Mitrovicë. Natyrisht se për njohësit mesatarë, këto dy raste janë të pakrahasueshme dhe se arrestimi i Nehat Thaçit është bërë pikërisht kur Gjykata e Apelit po e shqyrton ankesën e ekipit mbrojtës të Ivanoviqit, pra qëllimi është që lirimi i Thaçit të kushtëzohet me lirimin e Ivanoviqit.
Tregti e ndyrë politike. Kryeministri shqiptar, në takim me kryeministrin e Serbisë, mbajti një qëndrim prej burrështetasi duke iu përmbajtur preambulës së Kushtetutës së Shqipërisë e cila, shprehimisht e njeh Shqipërinë si Piemont të gjithë shqiptarëve sikur që e detyron atë se duhet të dalë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve kudo që jetojnë, pavarësisht rrethanave dhe kontekstit politik. Ashtu veproi kryeministri Rama dhe nuk kishte të drejtë të vepronte ndryshe, nëse do t’i përmbahej Kushtetutës. Pas kësaj nisi një fushatë kundër kryeministrit Rama që udhëhiqej nga një ish-kamerier i një kafeneje të njohur si çerdhe e nostalgjikëve jugosllavë dhe “baballarëve” impotentë të “kombit kosovar”, të cilin presidenti aktual e bëri me çykë të zorit politikan nën një mesatare e që është referencë për një karrierë të suksesshme diplomatike.
Ky kritikues i kryeministrit shqiptar, kur erdhi para mëdyshjes, lekët apo karriera politike, e gjeti më të arsyeshme, që për interes të Kosovës, gjithsesi, të përcaktohet për lekët e Sfidave të Mijëvjeçarit duke u thirrur në maksimën gjeniale të Karl Marksit se: “Baza materiale përcakton superstrukturat e tjera ku politika zë vend qendror”.
Ky kritikues i Ramës në politikë ka hyrë në mënyrë klandestine për t’i shërbyer me “illy” padronit që e futi në politika provinciale dhe, si i tillë, gjithmonë do të kujtohet. Përpjekja për t’u fërkuar me Ramën ishte vetëm një përpjekje për “fisnikërim” të tij politik, por përmbajtja që e ka nuk e duron potencialin mbushës të Edi Ramës. Të gjithë e kemi një letëridentiteti njerëzor, kombëtar, politik dhe moral prandaj, ndonëse mund ta falsifikojmë letërnjoftimin e tjetrit, sjelljet e shpërfaqin atë të vërtetin nga i cili vështirë se mund të ikim. Unë e them se e kemi të pamundur të ikim. Sulmin pastaj e vazhdoi, nga shteti i të gjithë shqiptarëve trashëgimtari i emrit dhe mbiemrit (pa një shkronjë) të atij që më shumë se 40 vjet e sundoi Shqipërinë dhe i cili nuk bëri asgjë për shqiptarët dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm, Hoxhës së Gjirokastrës. Qartazi, adashi i Hoxhës së Gjirokastrës, kosovari, ish-shef i servuesit të “Illy” kafes, Hoxha i Suharekës, rrëshqiti në mes të Tiranës duke marrë nën thua te figura gjigante e kryeministrit shqiptar dhe fati që nuk e theu kurrizin ndonëse u lakua keq në drejtim të Prishtinës dhe Thaçit.
Pushkatimin medial dhe virtual të kryeministrit shqiptar e vazhdoi “batalioni i kosovarëve”, me “gjeneralët” e dështuar e që duan të ringjallen nëpërmjet infuzionit Rama. Pastaj, ata që Kosovën e kanë në gojë kurse Jugosllavinë dhe Serbinë në kujtesë dhe zemër, fort u hidhëruan me Ramën sepse, në takim me Vuçiqin nuk e paska luajtur rolin e endacakes së Brukselit që karrierën e saj të ministres për Mashtrime, e filloi me rrena dhe po e përfundon me rrena.
Ramën e kundërshtuan ata që u mësuan me rolin përfaqësues, në emër të paraardhësve të tyre, të Titos, Rankoviqit, Millosheviqit dhe mbrojtësve të tjerë të dëshmuar të çështjes kombëtare jugosllave dhe serbe e që e konsideronin si çështje kombëtare të tyre. Tre udhëheqësit, që më së shumti e dëmtuan çështjen kombëtare e që e sunduan Shqipërinë afërsisht 80 % të kohës, që nga shpallja e Pavarësisë, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha dështuan pikërisht sepse e mohuan rolin e Piemontit të Shqipërisë dhe paternalizmin ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë e që dhunoheshin deri në zhdukje. Deri kur shqiptarëve do t’u mohohet e drejta të jetojnë sipas vullnetit të tyre e që u njihet serbëve, turqve, maqedonasve, romëve, egjiptasve, boshnjakëve etj?! Pse të gjithë të tjerët paskan të drejtë ta kenë pasaportën e shtetit amë, pavarësisht ku jetojnë, kurse shqiptarëve të Kosovës u mohohet kjo e drejtë. Realisht dhe kryesisht bartës të pasaportave shqiptare janë këta që po e sulmojnë Edi Ramën, që janë kundër bashkimit kombëtar, që i kanë shërbyer qençe, me prindër dhe edhe personalisht, Jugosllavisë dhe Serbisë. Të tillët i nderon sot Shqipëria, për turp. Edi Rama dhe çdo kryeministër i Shqipërisë duhet të flas për Kosovën dhe në emër të Kosovës për t’i ngushtuar hapësirën këtyre injorantëve politik që Kosovën e shndërruan në kasollen e Xha Tomës kurse qytetarët e saj në personazhe të Migjenit. Në Kosovë sot himni kombëtar është Poema e Mjerimit.
Rama dhe çdo kryeministër i Shqipërisë duhet të flasë për dhe në emër të Kosovës, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare që ende ka mbetur e pazgjidhur në Ballkan. Në të kundërtën do ta kemi një situatë sikur në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës ku i keni shqiptarët skajshmërisht të defaktorizuar dhe të pafuqishëm politikisht. Injorantët politik po e fajësojnë Ramën se e paska defaktorizuar Kosovën për librat shkollorë në Luginë kur kamionët me libra nga Kosova mbetën në depot e Serbisë për muaj me radhë dhe Kosova nuk ishte në gjendje të bënte asgjë përveç se t’i pranojë mbrapa.
Shqipëria ishte dhe mbetet bërthama e shtetit e të gjithë shqiptarëve, përmbajtja e saj, kuptimi i shtetit dhe vet ekzistenca e shtetit dhe kombit shqiptar. Prandaj, Shqipëria ka detyrim njerëzor, kombëtar, moral, politik dhe historik të flasë për dhe në emër të shqiptarëve kurse, për alienët e kombit kosovar mund dhe po flasin falanga e injorantëve “intelektualë” që lehtësisht i blen me një porcion qebapë. Kjo falangë e tredhur kombëtarisht i palohet çdo sunduesi në Kosovë i cili kërkon nga shqiptarët e Kosovës të deklarohen si kosovarë por këtë kërkesë nuk e kanë për serbët e Vuçiqit, Sheshelit dhe Nikoliqit, për turqit e Erdoganit, boshnjakët gjithashtu të Erdoganit, romët, egjiptasët, ashkalinjtë etj.
Këta që po e kritikojnë Ramën po veprojnë sikur një shkollë e natës për zhdukjen e analfabetizmit që e kundërshton dhe u shpall luftë për jokompetencë universiteteve të Kembrixhit dhe Oksfordit. Deri më sot gazetarët e Kosovës, por as të Shqipërisë, nuk kanë pasur mundësi të përcaktohen se a duan të veprojnë si dy shtete apo si një shtet, kurse qytetarëve të Kosovës në mënyrë arbitrare u janë imponuar simbolet kombëtare dhe shtetërore sikur që janë flamuri, himni apo stema e Kosovës e që nuk ndodh në asnjë vend normal. Nuk ka Shqipëri të Madhe sikur që nuk kishte as Gjermani e as Vietnam të Madh, por ka Shqipëri natyrore, si kornizë dhe përmbajtje shtetërore për shqiptarët dhe joshqiptarët që pranojnë të jetojnë aty. Çdo imponim dhe rregullim shtetëror me ndihmën e kërcënimit, frikësimit apo shantazhit ka jetëgjatësi sa edhe vetë këto dukuri terrorizuese. Shpërbërja e perandorisë sovjetike dhe asaj jugosllave e forcojnë këtë pohim timin.

