Protesta mbyllet me të lënduar, vazhdon edhe nesër

Prishtinë – (E plotësuar) Së paku gjashtë studentë mësohet se janë lënduar në protestën e së enjtes dhe kanë vazhduar trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ndërkohë dhjetëra studentë të tjera janë trajtuar nga dy ekipe të ndihmës së shpejtë që kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në protestën e së enjtes përpara rektoratit të UP-së.
Policia e Kosovës ka njoftuar për pesë policë dhe një zyrtarë të sigurimit të Rekotratit të kenë marrë lëndime. E studentët do të vazhdojnë protestën me të gjitha kërkesat e tyre edhe të premten. Kështu është thënë pak para përfundimit të protestës të së enjtes, që ka përfunduar me t’u kryer edhe orari i punës së administratës. Studentët janë shprehur se nuk do të ndërpresin protestat deri sa të arrihen kërkesat e tyre.
E kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e menjëhershme e rektorit të UP-së, Ibrahim Gashi. Dy marshe janë paralajmëruar edhe për të premten, të cilat do të nisin nga ora 13:00. Njëri nga sheshi “Skënderbeu” e tjetri nga Qendra e Studentëve. Ata i kanë bërë thirrje të gjithë studentëve, profesorëve e qytetarëve që t’u bashkohen marshit të tyre. Para masës thirrje të njëjtë kanë bërë edhe Ilir Deda nga “KIPRED” e Avni Zogiani nga “Çohu”.
E protesta e së enjtes ka qenë ndryshe nga të tjerat që studentët kanë organizuar deri tash. Rreth dhjetë policë të njësisë speciale kanë barrikaduar portën kryesore të rektoratit, ndërsa dhjetëra policë të rregullt kanë rrethuar të gjithë objektin. Studentët u kanë kërkuar atyre që të largohen, duke i shtyrë jashtë rrethojave të oborrit të këtij institucioni.
Policia ka përdorur gazin lotsjellës, ndërsa dy ekipe të ndihmës së shpejtë kanë trajtuar dhjetëra raste të studentëve që kanë pësuar nga gazi. Shumë studentë kanë marrë lëndime të lehta.
Ndërkohë, Policia e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp të lëshuar pas përfudnimit të protestës ka thënë se “pesë zyrtarë policor dhe një pjesëtar i sigurimit të Rektoratit të UP-së, kanë pësuar lëndime trupore, ky i fundit lëndimet i ka të shkaktuara nga një mjet i fortë (guri) në pjesën e pasme të kokës”.
Sipas Policisë, protestuesit kanë shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit dhe dhunës të cilët përveç veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), të njëjtit gjithashtu kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të policisë si dhe kanë shkruar mbishkrime në një automjet të policisë.
“Për të ndaluar këto veprimeve të dhunshme, policia ka përdorur pajisjen zyrtare sprej, me ç ‘rast irritim nga spreji kanë pësuar disa protestues”.
Policia speciale mbron hyrjen, studentët oborrin e Rektoratit (video)
Prishtinë, 6 shkurt – 14:43 – Një grup i policisë speciale po qëndron para dyerve të Rektoratit e studentët po i largojnë nga oborri i tij policët e rregullt. Qindra studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile aktualisht ndodhen te rektorati. Ata vazhdojnë te mbeten këmbëngulës për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi dhe për zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohet UP, njofton reporterja e Kohës Ditore.
Fillimisht ata kanë hyre në oborrin e Rektoratit në një protestë të qetë duke përzënë nga aty policët që po siguronin objektin e rektoratit .
Durim Jashari, një nga udhëheqësit e protestës deklaroi se nuk kishin për qëllim të përlesheshin me policinë, por të zbatonin ligjin e cila uniformave ua ndalon praninë brenda institucioneve të Universitetit.
Ndërkohë ka ndërhyrë polica speciale, dhe pas kësaj kanë ndodhur edhe përleshjet fizike mes protestuesve e policisë.
Derisa policia speciale përdori spreje për largimin e studentëve, këta të fundit përdoren gurë dhe mjete rrethanore.
Kanë ardhur edhe ambulanca mjekësore për ndihmë të lënduarve.
Nuk ka raport zyrtar, por flitet për dhjetëra studentë e policë të lënduar./koha.net/