Promovohet libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” i autorit Korab Hoxha

/ 5 minuta lexim

Tiranë- Një manual të pazëvendësueshëm për shkollën shqipe të përkthimit. Kështu u vlerësua libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” i autorit Korab Hoxha, pedagog në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë.

Promovimi i tij u organizua nga shtëpia botuese “Naimi” në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë, në sallën e MKRS (ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Studiuesi Agron Tufa, poetët Ilirjan Zhupa dhe Izet Duraku folën më në hollësi për studimin monografik të Korab Hoxhës.

Libri synon të rreh të shqyrtojë e të vlerësojë prurjet e përvojës sonë më të mirë përkthimore prej poezisë ruse si dhe të analizojë përcjelljen e saj në letrat shqipe në dy harqe të mëdha kohorë: në vitet ’60 dhe në vitet’90, sepse, për vetë rrethanat historike të krijuara, ky proces nuk ka qenë drejtvizor e i vazhdueshëm, por i ndërprerë dhe, për më tepër, i gjymtuar.

Kështu, nëse deri në vitet ’60 të qindvjetëshit të kaluar, pavarësisht nga kriteret politike që u ndoqën, procesi rrodhi, le të themi, normalisht, pas këtyre viteve shfaqet një hendek rreth tridhjetë vjeçar. Letrat shqipe i humbasin lidhjet e drejtpërdrejta më poezinë ruse, përkthimet rreshtin dhe studiuesit nuk mund ta ndjekin dot nga afër procesin poetik. Procesi i përcjelljes së poezisë ruse në shenjat shqipe rifilloi së bashku me zhvillimet demokratike të viteve ’90, kur, ndërkohë, vetë poezia ruse kish shpërfaqur tashmë pjesën më problematike të saj, pjesën e errët, të panjohur për ne.

Ndërkohë, ky libër synon të vërë në dukje edhe ato të meta që erdhën si pasojë e dëmtimit të vetë poezisë ruse, në radhë të parë prej kufizimeve ideore të kohës, por, dhe pse jo, edhe prej koncepteve përkthimore artistike shpesh të gabuara, sepse jo vetëm poezia ruse, por dhe gjykimi për të do të vinte i dëmtuar. Kështu, kriteri ideologjik do ta zhvendoste shkallë shkallshëm kriterin artistik. Pro apo kundër do të ishte parimi bazë i krejt vlerësimit të poezisë ruse. Kjo, në aspektin formal, do të sillte humbjen e një pike referimi në sistemin e vlerave çka, në rrafshin artistik, do të ndihej dukshëm edhe në modelet përkthimore, që do të përcilleshin drejt nesh, të cilët, shpesh, nuk do të ngriheshin mbi truallin e tyre zanafillor filozofik.

Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është bazuar mbi një literaturë gjithëpërfshirëse artistike dhe shkencore, por përfundimet, praktikisht, janë arritur prej qëmtimesh të imta të modeleve përkthimore shqipe të krahasuara me gjuhën e origjinalit, por dhe me disa modele nga më të mirat të traditës anglo-saksone dhe amerikane.
Këto analiza janë bërë, më së shumti, nën optikën e arritjeve semiotike, ku tekstura poetike është parë dhe interpretuar si njësi tredimensionale, pra, si një ndërthurje rrafshesh semantikë, morfosintaksorë, fono dhe morfonologjikë, duke u dhënë, në të njëjtën kohë, përgjigje pyetjeve si dhe pse është përcjellë në këtë mënyrë kjo lëndë poetike prej përvojës sonë përkthimore dhe se cilat janë prirjet e saj në këtë drejtim.

Disa vlerësime për librin

Uji Dea

Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është një studim monografik i munguar prej kohësh, që rreh të shqyrtojë e të vlerësojë prurjet e përvojës sonë më të mirë përkthimore për sa i përket poezisë ruse. Ajo që të bie në sy është analiza moderne e strukturës poetike, çka sjell për pasojë dhe shkeljen e disa tabuve, deri më tani krejt të paprekura dhe kjo padyshim përbën një risi për mendimin tonë estetik.

Përsa i përket mënyrës së shtjellimit, do të vija në dukje ndërthurjen e përjetimeve poetike me përfundimet shkencore, që vijnë pas qëmtimesh të shumta modelesh përkthimorë e që grupohen rreth një metafore të gjetur, që autori e quan dukuria e hënës, prej së cilës deri vonë ne kishim njohur vetëm anën e saj të ndritshme. Mendoj se paskëtaj hëna e poezisë ruse shpërfaqet e plotë në shenjat shqipe.

Prof. dr. Ilia Lëngu

Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është shkruar me ndjenjën e një poeti dhe saktësinë e një studiuesi. Ajo çka më lë mbresa më shumë është përkujdesja me të cilën është përzgjedhur materiali letrar që merret në shqyrtim, si dhe analiza që i bëhet atij, prej së cilës përftohen përfundime shpesh krejt befasuese.
Prof. dr. Josif Papagjoni

Disa të dhëna për autorin e librit:

Korab Hoxha ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi, Universiteti i Tiranës. Ka shërbyer fillimisht për disa vjet si mësues, pastaj si gazetar i artit dhe kulturës në “Radio Tirana”. Ndërkohë publikon cikle poetike, ese, përkthime dhe artikuj kritikë në shtypin e përditshëm. Në vitin 1994 ndjek studimet pasuniversitare në Institutin Letrar “Maksim Gorki” Moskë, Rusi, ndërsa në vitin 1995, ndjek leksione mbi letërsinë moderne dhe postmoderne në Universitetin e Sankt- Petërburgut.

Aktualisht, është pedagog i letërsisë ruse pranë katedrës së gjuhëve sllave dhe ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Tiranë, ku ka mbrojtur gradën doktor me studimin “Një vështrim krahasues mbi përkthimet poetike nga rusishtja në shqip, në ndërkohët 1960-1990”. Ky punim, i pasuruar dhe i zgjeruar më tej, u shndërrua në librin Shenja të munguara në letrat shqipe, i cili, tashmë, po i paraqitet një lexuesi më të gjerë./rajonipress/