Fundamenti

Prokuroria Speciale, e nënshtruar ndaj oligarkisë mafioze!

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Analistët, njohësit dhe ekspertët e fushës së drejtësisë thonë se Prokuroria Speciale nuk do të duhej heshtur në asnjë rast dhe do të duhej ngritur hetimet pa hezitim “ex officio”, pra sipas detyrës zyrtare ndaj kryesve të dyshuar të krimeve.

Analistët, njohësit dhe ekspertët e fushës së drejtësisë thonë se Prokuroria Speciale nuk do të duhej heshtur në asnjë rast dhe do të duhej ngritur hetimet pa hezitim “ex officio”, pra sipas detyrës zyrtare ndaj kryesve të dyshuar të krimeve.

Derisa, sipas tyre, në anën tjetër është absurd i llojit të vet nëse Prokuroria pret që ata që dyshohet se vjedhin shuma të mëdha milionëshe, apo ata që japin shuma të mëdha milionëshe për tenderë, pastaj për leje ndërtimi e mjaft forma të tjera të veprave kriminale e të korrupsionit, që ta paraqesin veten penalisht apo për të përfunduar edhe vetë në burg. Po këta analistë thonë se është detyrë e Prokurorisë Speciale dhe prokurorëve që të përcjellin dhe të nuhasin gjurmët, po ashtu të hetojnë dhe të ngritin aktakuza kundër të dyshuarve me vepra penale. Por, ata pyesin se si është e mundur që Prokuroria Speciale hesht dhe i injoron të gjitha këto dyshimet e besueshme për hajni, sidomos në rastin për të parin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe dostat e tij të VVsë, i cili edhe publikisht në baza ditore e javore akuzohet për vepra të tilla të rënda penale, në kundërshtim me ligjin. Por, përse prokurorët e Speciales po hezitojnë për të hetuar dyshimet për shitjet e lejeve ndërtimore me ryshfet nga zyrtarët e komunave në të gjitha komunat në Kosovë, ku për të keq prin Komuna e Prishtinës e deri tek hajnitë përmes tenderëve prej milionësh, që bëhen çdo ditë në të gjitha institucionet qendrore dhe ndërmarrjet publike, përfshirë edhe rastin me “Z-MOBILE” të Devollëve të tejinkriminuar, rast ky i kryehajnisë më të madhe në dekadën e fundit në Kosovë? Për atë se përse Prokuroria Speciale nuk po shfrytëzon metodat me dëshmitarët e kallëzuesit “bashkëpunues e të mbrojtur nga ligji” për zbulimin e të dyshuarve të tjerë për vepra të rënda penale, përcjelljen, gjurmët, tabulatet etj., flet shkrimi në vijim.

Neglizhenca institucionale e PSRK-së

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se Prokuroria Speciale nuk do të duhej heshtur në asnjë rast dhe do të duhej vepruar menjëherë, duke filluar e ngritur hetimet “ex officio”, pra përmes detyrës zyrtare ndaj kryesve të krimeve. Siç tha ai, në anën tjetër është absurd i llojit të vet, nëse Prokuroria pret që ata që dyshohen se vjedhin shuma të mëdha, apo ata që japin shuma të mëdha për tenderë, pastaj për leje ndërtimi e mjaft forma të tjera të veprave kriminale e të korrupsionit, që ta paraqesin veten penalisht apo për të përfunduar vetë në burg. “Në të vërtetë, sikur çdo kund në një shtet ligjor, është Prokuroria ajo dhe realisht prokurorët janë ata që përcjellin, nuhasin gjurmët e krimit, hetojnë dhe ngritin aktakuza kundër të dyshuarve për vepra kriminale dhe të korrupsionit”, ka potencuar Kelmendi. “Por, si ka mundësi që Prokuroria Speciale të tregohet kaq neglizhente ndaj disa rasteve dhe aferave publike, sikur është rasti i aferës së “Z- Mobile” dhe PTK- së, që dyshohet se është një skemë kriminale, dhe të mos ngritë “ex officio” hetimet, derisa këtu janë në pyetje që të zhvaten milionat e gjigantit të PTK-së. Pra, është ky një krim i organizuar tipik, i përmasave të mëdha të hajnisë në Kosovë”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Eco Higjiena

Firmat e inkriminuara me pushtetin po i shpëtojnë përballjes me ligjin

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se gazeta “Kosova Sot” ka sjellë kohë pas kohe të dhëna shumë konkrete dhe dëshmi mbi korrupsionin në nivel qendror, por edhe në atë lokal komunal, deri edhe te kreu i Prishtinës (Shpend Ahmeti), ndërsa në anën tjetër, Prokuroria Speciale, që i thonë, kurrë nuk ka hapur hetime ose ato i ka bërë sipërfaqësisht sa për t’i mbyllur shpejt. “Të gjitha organet në Kosovë, pavarësisht nivelit dhe punës, financohen nga taksapaguesit e Republikës. Mjetet financiare në shtetin tonë nuk vijnë nga ‘Devolli’, e firma të tjera të ngjashme, por nga populli i Kosovës. Firmat e tilla dyshohet se janë kryesisht firma mafioze të lidhura me krimin e organizuar dhe me korrupsionin dhe që nëpërmjet politikës, përkatësisht pushtetit shtetëror qendror e lokal, i mbajnë nën kontroll dhe natyrisht se Prokuroria Speciale nuk futet fare”, në fakt ik sa më larg, theksoi ai. “E vetmja punë që është kryer nga kjo Prokurori janë disa raste tepër anësore dhe të pavlera për të luftuar krimin. Nga këta janë hetuar disa vepra të vogla dhe të nivelit të ulët kriminal. Ndërkaq, Prokuroria Speciale nuk hetoi ‘Devollin’ dhe ‘ETC’-në, nuk e hetoi veprimtarinë e “Z- Mobile” dhe as të tjera krime të renda. Shtetit tonë i duhen ndryshimet në politikë, në sistemin e drejtësisë dhe në pushtet, ku duke bërë atë krijohen rrethanat e reja dhe me kuadër të ri, që do të kryejnë punën me disiplinë dhe në bazë të ligjit, me etikë e integritet profesional”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar Muhamet Kelmendi

Prokurorët të mos rrinë duarkryq

Hasan Preteni, nga ‘Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet’, ka nënvizuar se prokuroritë e kanë për mision që të hapin raste sipas detyrës zyrtare, në momentin kur dëgjojnë ndonjë informatë, pas publikimit të ndonjë artikulli, pas shkrimit në ndonjë gazetë, duhet të jenë proaktivë dhe jo të presin që dikush t’ua sjellë informacionet në “pjatë”. Ata duhet të veprojnë nëpër gjurmët e informacionit. “Këto deklarimet e fundit të pretendentëve për të marrë pushtetin lokal janë sinjale të fuqishme, se duhet të ketë rregull, prokurorët t’i hapin rastet pas deklarimeve ose t’i akuzojnë shpifësit për publikimet e pavërteta. Situata të tilla nuk mund të ketë në shtetet normale”, u shpreh më tutje ai. “Nuk më kujtohet asnjë rast që prokurorët e kanë hapur dhe përfunduar ndonjë rast sipas detyrës zyrtare ‘ex officio’. Puna e tyre siç shihet është heshtja dhe mosveprimi në zbatim të ligjit. Në krim të organizuar janë të përfshirë ata që i kanë emëruar, ata edhe i kontrollojnë. Nëse edhe e hapin ndonjë rast, këtë e bëjnë për ata që aktualisht nuk janë në pushtet”, spikati për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni, nga ‘Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet’.

(Kosova Sot)